A U TAKUAT ME MAKIAVELIN E POLITIKËS SONË!

Më të lexuarat

A U TAKUAT ME MAKIAVELIN E POLITIKËS SONË!

-Makiaveli, këshilltar i princave italianë gjatë Rilindjes, shkroi me një sinqeritet brutal për mënyrën si të ngjitesh në pushtet dhe si të qëndrosh aty.
Emri i tij lidhet ndoshta më shumë sesa duhet me manipulimin, gënjeshtrën, tradhtinë dhe të gjitha ato lojëra të fshehta që ndodhin “në oborrin mbretëror.”

Por “oborri mbretëror” sot nuk është pallat, është fushata parazgjedhore.
Çdo buzëqeshje është e llogaritur, çdo premtim i matur me sondazh, çdo fjalë e stolisur për të joshur zemrën e votuesit.

Në këto ditë, duket sikur Makiaveli ka zbritur në Kosovë,
dhe po pi kafe me asambleistët e deputetët tanë,
duke u pëshpëritur në vesh strategjitë e pushtetit:
si të duken të përulur, pa qenë;
si të premtojnë shumë, pa dhënë asgjë;
si të fitojnë zemra, duke ruajtur fronet.

Unë nuk them që të bëhesh makiavelist — por nëse të neverit cinizmi i tij, kujto se ai ndoshta tashmë ka zë brenda teje.
Sepse, sa më shumë e mohon, aq më shumë ai vepron nga hija.

-Njih Makiavelin tënd të brendshëm:
Brenda çdo njeriu fshihet një Makiaveli shpirtëror, një zë i hollë, i zgjuar, por i rrezikshëm, që e njeh lojën e brendshme të dëshirave, frikave dhe ambicieve.
Ai të mëson si egoja vishet me petkun e idealit, si interesi quhet “shërbim”, dhe si lakmia vishet me fjalën “përkushtim.”

Në fushata, kjo bëhet edhe më e qartë: buzëqeshjet janë të ngrohta, por shpirtrat të ftohtë; fjalët janë të ëmbla, por qëllimet të hidhura.
Në secilin kandidat, në secilin premtim, fshihet një duel i heshtur mes idealit dhe interesit.

Prandaj, tako Makiavelin e deputetëve dhe asambleistëve tanë. Jo për t’i gjykuar — por për t’i parë si pasqyra të shpirtit tonë shoqëror.
Sepse shpesh, ne projektojmë të këqijat tona tek ata.
Ne i shohim tek politikanët mashtrimet që i fshehim tek vetja, lakmitë që i arsyetojmë, ambiciet që i quajmë “të drejta.”
Dhe kështu, pa vetëdije, votojmë hijen tonë, jo dritën tonë.

-Sekreti nuk është ta luftosh Makiavelin, por ta njohësh.
Dëgjoje, kuptoje, por mos e lër të sundojë.
Nëse e njeh, ai bëhet mësuesi yt;
nëse e mohon, bëhet armiku yt.

-Në fund, zgjedhjet e vërteta nuk ndodhin në kutitë e votimit,
por në thellësitë e shpirtit,
aty ku secili vendos:
të ndjekë dritën e sinqeritetit,
apo hijen e interesit.

(Frymëzimi për këtë ese, me ndërhyrje dhe shtesa, nga libri bestseller: “The Highly Sensitive Person”, nga autorja Elaine Aron)
Hoxhë Rijad Misini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit