A po rrezikohet ftohja e marrëdhënieve me Turqinë?

Më të lexuarat

Loja e rrezikshme e Ramës me aleancat historike dhe kostot e mundshme nga distancimi me mikun e ditëve të vështira.

Vizita e fundit e Kryeministrit Rama në Izrael, në një kohë kur tensionet globale janë në pikun e tyre, ngre hije të forta dyshimi mbi qëndrueshmërinë e busullës sonë diplomatike. Ndërsa Tirana nxitohet të forcojë lidhjet me Tel Avivin, pyetja që shqetëson shumë çdo shqiptar që e njeh mirë historinë e tri dekadave të fundit është: A po e harrojmë kaq shpejt dorën e shtrirë të Turqisë, e cila ka qenë ndihmuesja më e sinqertë dhe më konstante e Shqipërisë që nga viti 1990?

Një ftohje e mundshme e raporteve me Ankaranë, nuk do të ishte thjesht një krizë politike, por një thyerje e një bese të ndërtuar në ditët tona më të vështira. Historia nuk gënjen dhe faktet flasin për një aleat që nuk na ktheu kurrë shpinën, edhe kur të tjerët hezitonin.

Kur Shqipëria kërcënohej hapur nga provokimet e qarqeve shoviniste greke në vitet e vështira 1994-1997, ishte Turqia ajo që qëndroi si mburojë e sovranitetit tonë, duke garantuar se kufijtë e Shqipërisë ishin një “vijë e kuqe” për të.

Kush mund ta harrojë rolin e palëkundur të Ankarasë gjatë krizës së Kosovës, ku mbështetja turke ishte shtylla kurrizore e mbijetesës sonë kombëtare, apo lobimin e fuqishëm që hapi dyert e NATO-s për Shqipërinë në një kohë kur skepticizmi evropian ishte në kulm?

Edhe në historinë më të afërt, kur tragjedia e tërmetit të vitit 2019 la mijëra shqiptarë pa kulm mbi kokë, Turqia nuk erdhi me premtime burokratike, por me kantiere ndërtimi dhe ndihmë të prekshme, duke u bërë e para që nisi rindërtimin e shtëpive të rrënuara.

Kjo histori bujarie, që shtrihet nga siguria kombëtare te strehimi i familjeve tona, e bën jo vetëm vizitën në Izrael por sidomos përmbajtjen e saj, të duket si një lëvizje e nxituar që injoron peshën e mirënjohjes.

Të kthesh sytë nga Tel Avivi me kaq entuziazëm, pikërisht në momentin kur Ankaraja mban një qëndrim diametralisht të kundërt mbi shumë çështje por duke filluar nga Gaza dhe kauza palestineze, ngjan me një akt harrese diplomatike që mund të ketë kosto të rënda morale por jo vetëm.

Mbi të gjitha, kjo vizitë ngre një pikëpyetje akoma më shqetësuese: A është kjo një linjë e menduar mirë gjeopolitike apo një lëvizje në panik e sipër e Edi Ramës nga problemet e brendshme? Shpeshherë, kur qeveria gjendet nën presionin e skandaleve apo konsumimit politik brenda vendit, kërkon “shpëtim” në skenën ndërkombëtare për të prodhuar lajme që zhvendosin vëmendjen.

Nxitimi për t’u rreshtuar krah Izraelit, duke anashkaluar ndjeshmëritë e një aleati historik si Turqia, mund të jetë thjesht një tentativë për të blerë mbështetje të jashtme përballë një klime të rënduar politike në Tiranë.

Por dyshimi i madh mbetet: A po sakrifikon Tirana një miqësi të provuar në zjarr për përfitime të pasigurta të momentit? Një ftohje me Turqinë nuk do të ishte thjesht humbje e një partneri strategjik, por një njollë mbi integritetin e shtetit shqiptar, i cili po tregon se mund të luajë me ndjenjat e një aleati që nuk na la kurrë vetëm kur bota na shihte me indiferencë.

Nëse ky kurs vazhdon pa marrë parasysh ndjeshmërinë e Ankarasë, Shqipëria rrezikon të humbasë të vetmin mik që nuk na vuri kurrë kushte në këmbim të mbijetesës sonë, të vënë jo pak herë në dyshim 35 vitet e fundit. /tesheshi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit