16.1 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

A lejohet aborti me qëllim që t’i shpëtohet jeta nënës?

Më të lexuarat

Duhet ditur gjithnjë se nuk ekziston ndonjë religjion, fraksion, fondacion, shoqatë etj., që i ka dhënë femrës pozitë më të lartë sesa Islami. Mjafton që e ka vlerësuar si nënë, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër duhet ta dijë çdo musliman se Islami ka vendosur ligje rreth çdo çështjeje, me qëllim që të ruhet interesi njerëzor dhe për këtë Islami e ka bërë ruajtjen e jetës njerëzore një ndër pesë qëllimet e ekzistimit të ligjit juridik.

Islami ka bërë që çdokush që inicion krim kundër njeriut apo përfshihet në krim, të ndëshkohet sipas normave juridike fetare.

Nëse i hedhim një vështrim studimor mendimeve të hershme të juristëve islamë, shohim se unanimisht e ndalojnë abortin pas frymëzimit të shpirtit, edhe nëse fetusi ka çrregullime në mitër dhe pa marrë parasysh sa i madh mund të jetë rreziku. Nga kjo pikëpamje do mundohem të paraqes disa nga mendimet e këtyre juristëve si dhe argumentet e tyre, duke i ilustruar edhe me rregulla juridike, me qëllim që kjo çështje juridike të trajtohet si një çështje e detyrueshme, e nevojshme.
Juristët islamë kanë dy mendime esenciale lidhur me këtë çështje juridike.

Mendimi i parë: Shumë nga juristët e hershëm islamë nga të katër shkollat juridike, gjithashtu edhe disa nga juristët bashkëkohorë e ndalojnë një gjë të tillë.

Në librin “Bahru err-rraik sherh kenz ed-dekaik”, tëi autorit Ibën Nugjejm el Hanefij”, 8/233, tekstualisht thuhet: “Një femre shtatzënë i është rrotulluar fëmija në barkun e saj dhe assesi nuk ka mundësi që t’i nxirret fëmija, përveçse me operim. Nëse nuk veprohet kështu, jeta e nënës rrezikohet nga vdekja. Nëse fëmija (fetusi) është i vdekur në stomak, nuk prish punë që të nxirret (abortohet) fetusi. Nëse ai është i gjallë, assesi nuk lejohet, ngase ngjallja e një shpirti (shpëtimi jetës së një njeriu) për ta vrarë një njeri tjetër nuk është e ligjshme.”

Ibën Abidini, Allahu e mëshiroftë, dijetar me famë i shkollës juridike hanefite, duke komentuar fjalët e sipërshënuara shton e thotë: “d.m.th. edhe sikur fetusi të ishte i gjallë, nuk lejohet aborti, ngase vdekja e nënës për shkak të tij është mashtrim- jo e sigurt, dhe nuk lejohet assesi vrasja e njeriut për çështje iluzioni, mashtrimi.” Shiko “Hashijet Ibën Abidin”, 2/238.

Juristët e shkollës juridike malikite e ndalojnë abortin që nga starti i krijimit të fetusit në embrion, siç thonë: “S’ka dyshim se fetusi është i gjallë në barkun e nënës së tij pas katër muajsh, këtë e vërteton edhe zhvillimi dhe rritja e tij si dhe hadithet e frymëzimit të shpirtit. Prandaj nuk lejohet hapja e barkut (operimi) i femrës së vdekur për ta nxjerrë fetusin, edhe nëse ai është i gjallë, ngase shpëtimi i tij nga rreziku është çështje dyshimi, prandaj ndalohet prekja e kufomës së saj për shkak të tij.’ Shiko librin “Xhevahir el Iklil sherh Muhtesa elHalil lil Ezheri”, 1/117.

Gjithashtu, nuk lejohet për atë që i është rrezikuar jeta nga uria që të ushqehet nga mishi i njeriut të vdekur, edhe nëse nuk gjen gjë tjetër për të ngrënë. Si arsyetim i këtij mendimi sjellin rregullin “nuk lejohet marrja e shpirtit të njeriut për t’i shpëtuar jetën një tjetër njeriu”.

Në bazë të këtyre argumenteve, malikitë pohojnë edhe se nuk lejohet assesi edhe në gjendje kritike që të vritet njeriu–abortohet fetusi, që t’i shpëtohet jeta njeriut tjetër, nënës së fetusit.

Librat juridike shafite pohojnë se aborti është i ndaluar me konsensus, duke mos përjashtuar këtu asnjë rast. Nga ky mospërjashtim i ndonjë rasti përfitojmë, siç thotë Imam Neveviu, se “nëse femra shtatzëne vdes dhe në barkun e saj gjendet fëmija, nëse shpresohet se shpëton fëmija, lejohet hapja e barkut për ta nxjerrë fëmijën, përndryshe nuk lejohet. Nëse nuk shpresohet shpëtimi i jetës së fëmijës, në këtë rast nuk bën të varroset nëna e fëmijës derisa të verifikohet vdekja e fëmijës në barkun e saj. Edhe pse disa juristë nga kjo shkollë juridike pohojnë që t’i vihet mbi barkun e nënës diçka e rëndë me qëllim që të përfundojë jeta e fetusit sa më shpejt, pjesa më e madhe e kësaj shkolle e mohojnë një gjë të tillë, duke e ilustruar se kjo është krim mbi këtë fëmijë. Edhe nëse nuk shpresohet jeta e tij, por urdhri për vrasjen e tij pa kurrfarë arsye shpie në krim dhe këtë e ndalon Islami.” Shiko “Revdat etTalibejn liNevevi”, 1/662, “Havi liMaverdi”, 3/231, “Megjmu’ë sherh elmuhedheb liNevevi”, 5/270.

Nga ky koncept nënkuptojmë se nuk lejohet pa arsye vrasja e atij jeta e të cilit nuk shpresohet- fetusi që është në barkun e nënës së tij- edhe nëse rrezikohet jeta e tij për shkak të ndonjë sëmundjeje të nënës së tij, nuk lejohet që të ushtrojmë krim mbi të me vrasje.

Edhe juristët e shkollës jurdike hanbelite pohojnë të njëjtën gjë si dhe juristët e mëhershëm. “I është thënë Imam Ahmedit, se Sufjan Thevriu është pyetur rreth një femre e cila ka vdekur, kurse në barkun e saj lëviz fëmija, është ende i gjallë. Ka thënë: “Nuk prish punë që të operohet e t’i nxirret fetusi”. Ka thënë Imam Ahmedi: “Vallahi shumë mendim i keq është ky”, dhe e ka përsëritur sa herë Imam Ahmedi këtë fjalë duke thënë: “Subhanallah, sa mendim i keq është ky.”

Këta juristë arrijnë në përfundimin se nëse nuk lejohet operimi i femrës së vdekur -nga respekti i ndalimit të kufomës, për ta nxjerrë fetusin që është i gjallë, assesi nuk lejohet aborti pas frymëzimit të shpirtit, nëse vazhdimësia e tij rrezikon jetën e nënës seriozisht.

Nga e tërë kjo mund të konkludojmë se assesi këta juristë nuk e lejojnë abortin e fetusit për të shpëtuar jetën e nenës. Prandaj dhe nxjerrim në pah se nuk ekziston konsensus i juristëve islamë se lejohet një çështje e tillë absolutisht. Këtë mendim e mbron edhe dijetari bashkëkohor me famë, Ibën Uthejmini. Shiko librin “Kadaja fikhije muasire”, e përpunuar nga komisioni i profesorëve të zgjedhur në Universitetin e Az’harit, f. 127 dhe “Sher erbain eNevevie li Ibën Uthejmin”, f. 93.

Argumentet e mendimit të parë

1) Thotë Allahu xh.sh. në Kuran: “Dhe mos mbytni njeriun që Allahu ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi…” (El Isra’ë, 33)

Fetusit që i është frymëzuar shpirti nuk lejohet të vritet, sepse është krijesë e mbrojtur. Nga ky kontest, nuk lejohet sakrifica e tij për t’i shpëtuar jetën dikujt tjetër që është i barabartë me të në jetë dhe i mbrojtur.
2) Transmeton Abdullah ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Nuk lejohet derdhja e gjakut të muslimanit i cili dëshmon se s’ka zot (të adhuruar me të drejtë) pos Allahut dhe se unë jam i Dërguar i Tij, përpos me njërën prej tre rasteve: zinaja (prostitucioni) pas martesës, nëse vret dikë tjetër pa të drejtë dhe ai i cili lë fenë dhe largohet nga xhemati.” (Buhariu dhe Muslimi)

Hadithi në fjalë shumë qartazi na tregon se gjaku i muslimanit është i ndaluar dhe mbrojtur, e më pas vijnë përjashtimet kur lejohet derdhja e tij, siç u përmendën në këtë hadith, kështu që fetusi është shpirt musliman i mbrojtur, prandaj dhe nuk lejohet abortimi i tij për t’i shpëtuar jetën nënës.
3) Transmetohet nga juristët tanë të parë se nuk lejohet vrasja e vetvetes për atë që i imponohet vrasja e vetes së tij, pa marrë parasysh se i çfarë lloji është imponimi i vrasjes. Kjo është unanime te juristët islamë. Nga kjo nxjerrim se nuk lejohet vrasja e njeriut të gjallë edhe në raste të detyrimit, gjithashtu nuk lejohet as abortimi i fetusit të gjallë për t’i shpëtuar jetën nënës. Shiko “Bedaia sanaia lilKasani” 7/177, “Bidajetul mugjtehid”, 2/396, “Elmuhedheb lish-Shirazi”, 2/227, “Elmugni liIbën Kudame”, 7/645, “Ahkam el igjhad fil fikh elislami”, Dr. Ibrahim ibën Muhamed Kasim, f. 185.

4) Juristët islamë janë në ujdi se nuk lejohet vrasja e dikujt tjetër për t’i shpëtuar jetën vetes nga rreziku i mundshëm, ngase ai është sikurse ti. Kjo na mëson se juristët islamë i kanë dhënë prioritet ruajtjes së jetës së njeriut mbi çdo detyrim dhe arsye tjetër. Shiko “Elmugni 8/601-602; Revistën “Esheria ve dirasat elislamije”, nr. 13, Ramazan 1409h/1989, Dr. Muhamed Naim Jasin, f. 248-249.

Mendimi i dytë: Shumë nga dijetarët bashkëkohorë, komisione të fetvave islame e vende zyrtare lejojnë abortin pas frymëzimit të shpirtit nëse kjo është e vetmja rrugë a alternativë për t’i shpëtuar jetën nënës nga rreziku i kanosur. Disa nga juristët bashkëkohorë mendojnë se një veprim i tillë është i detyrueshëm.

Komisioni i Përhershëm për Hulumtime dhe Vendime të Sheriatit në Arabinë Saudite, nr. 140, më datën 20/06/1407h merr këto vendime tekstualisht:

1) Nuk lejohet aborti në të gjitha periodat e zhvillimit, pos me arsye të justifikueshme fetare edhe në raste shumë të veçanta.

2) Nëse shtatzënia është në periodën e parë të zhvillimit, në dyzetditëshin e parë, lejohet abortimi nëse në abortim ka ndonjë interes fetar, ose mbrojtje nga ndonjë rrezik i mundshëm, kurse abortimi gjatë kësaj faze të zhvillimit me pretekst se femra ka frikë për edukimin e tyre apo rrezik furnizimi për jetë dhe shkollim të tyre, se i rrezikohet e ardhmja apo se mjaftojnë fëmijët tjerë që ka çifti, në këto raste është i ndaluar.
3) Nuk lejohet aborti edhe gjatë fazave të zhvillimit si alaka (gjak i ngjizur) apo mudgah (copë mishi), përderisa të vendosë një komision nga mjekët i cili është i besueshëm, se vazhdimësia e shtatzënisë i rrezikon jetën nënës. Në raste të tilla lejohet aborti, pasi të jenë përdorur të gjitha mjetet e duhura të mundshme që evitojnë rrezikun.

4) Pas përfundimit të fazës së tretë të zhvillimit dhe pas plotësimit të periudhës katërmujore nga shtatzënia, nuk lejohet aborti derisa të vendosë për një çështje të tillë një komision i formuar nga një grup mjekësh të specializuar e të besueshëm, të cilët pohojnë se vazhdimësia e shtatzënisë në barkun e saj shpie në vdekje të nënës. Mirëpo kjo mund të ndodhë mbasi të janë përdorur të gjitha mjetet e duhura për t’i shpëtuar jetën e tij- fetusit. Një veprim i tillë është i lejuar në bazë të kushteve të posatheksuara, duke shpresuar mbrojtjen nga dëmi më i madh i mundshëm si dhe kërkimin e njërit prej dy interesave më të mëdha. Komisioni apelon që ta kemi frikë Allahun dhe ta verifikojmë këtë çështje mirë para veprimit të saj.

Përgjigje të njëjtë me të kaluarën ka dhe shtëpia e fetvave në Egjipt, tekstualisht thonë: “Juristët islamë janë në ujdi se nuk lejohet aborti mbas frymëzimit të shpirtit dhe se jeta e fetusit verifikohet mbas plotësimit të njëqind e dyzet ditëve nga fekondimi, ashtu siç thonë. Aborti gjatë kësaj periudhe konsiderohet krim mbi një të gjallë dhe se krimineli për këtë krim duhet të dënohet në të dyja botët. Mirëpo nëse verifikohet se vazhdimësia e shtatzënisë deri në periodën e fundit rrezikon jetën e nënës me vdekje, lejohet aborti mbasi të verifikohet nga mjekët e besueshëm e të specializuar, mbasi të sjellin raport për një çështje të tillë. Një veprim i tillë është i detyrueshëm për t’i shpëtuar jetën nënës. Shiko “Fetfa dar el’ifta elMisrije”, viti 1968, lënda nr .1097, ligji mbi abortin 6/20.

Këtë mendim e mbron edhe Komisioni Suprem i Shkencave Fetare dhe Enciklopedive Juridike në Kuvajt. Shiko “El Mevsua elfikhije”, 2/57.

Argumentet e mendimit të dytë

Argumenti i parë: Rregulla juridike të përgjithshme si vijon:

1) dëmi më i madh largohet me dëmin më të vogël;

2) kur të paraqiten dy gjëra të dëmshme (që dëmi i tyre është i pashmangshëm), i largohemi asaj dëmi i së cilës është më i madh, duke e vepruar atë gjë dëmi i së cilës është më i vogël;
3) Islami i jep prioritet largimit nga gjërat e ndaluara më tepër sesa veprimit të gjërave të lejuara, apo kujdesi i jurisprudencës islame është më i madh ndaj pengimit të gjërave të ndaluara sesa veprimit të gjërave të lejuara;

4) nevoja merr pozitën e detyrimit, qoftë globale apo e veçantë;

5) detyrimet lejojnë ndalesat, etj..

Duke u mbështetur në këto rregulla juridike islame, këta juristë islamë thonë:

“Nëna është baza, rrënja, fetusi është i formuar nga ajo, në rast se tentojmë ta shpëtojmë jetën e tij duke mos bërë abortin, është rrezikuar jeta e të dyve (nënës dhe fetusit), prandaj i japim prioritet shpëtimit të jetës së nënës.” Shiko “Fikhul islam ve ediletuhu”, Dr Vehbe Zuhejli, 4/118.
“Jeta e nënës është verifikuar, ajo gëzon të drejtat e saj në këtë botë, ajo është ndërtesa e familjes, me largimin e saj rrezikohet rrënimi i ndërtesës. Derisa nëna është edhe bashkëshorte dhe nevojat e bashkëshortit për të janë më se të kërkuara, me vdekjen e saj atij i vështirësohen gjërat, prandaj nuk është logjike që të sakrifikohet jeta e nënës për t’i shpëtuar jetën fetusit, që ende nuk dihet fati i jetës së tij e që ende nuk ka garantuar asgjë nga të drejtat dhe obligimet e tij.” Shiko fetvatë e hoxhës Mahmud Sheltuti, f. 250.

“Jeta e nënës është e qartë, ndërsa e fetusit e luhatur, dyshimi apo luhatja s’mund ta tejkalojë një gjë që është me bindje. Jeta e nënës është më me prioritet edhe për vetë fetusin, sepse vdekja e saj rrezikon bindshëm edhe jetën e tij.” Shiko “El Mevsua elfikhije”, 2/57, “Kadaja fikhije muasire”, f. 136.

“Në abortin e fetusit kemi interesa fetare apo mbrojtje të dëmit më të madh, prandaj dhe është lejuar aborti që të mbrohemi nga dëmi dhe rreziku më i madh i mundshëm dhe kërkimi i njërit prej interesave më të mëdha.” Shiko “Komisionin e Përhershëm për Hulumtime dhe Vendime të Sheriatit në Arabinë Saudite”.
Argumenti i dytë: Jeta e fëmijës mbas vdekjes së nënës së tij është e rrezikuar, ngase është tepër e mundshme që s’ka kush ta marrë në përkujdesje.

Argumenti i tretë: Juristët islamë, Allahu i mëshiroftë të gjithë, kanë ndaluar operimin e femrës së vdekur edhe nëse fetusi është në barkun e saj i gjallë, prandaj kanë sakrifikuar me të që t’i përkushtohen trupit të femrës, nëse është ajo e vdekur dhe ka tërë këtë respekt dhe përkujdesje, është më me tepër perspektivë që të ruhet jeta e saj nëse në mbajtjen e fetusit rrezikohet jeta e nënës, ngase jeta e saj është e vërtetuar, kurse jeta e fetusit ende është në dyshim.

Argumenti i katër: Nëse i përkushtohemi ligjeve juridike islame, vërejmë se nuk lejohet aborti për shkak të vështirësisë së shtatzënisë, apo për shkak se shtatzënia dëmton shëndetin e saj, mirëpo është transmetuar juridikisht se ndalohet vrasja, likuidimi i prindit për shkak të fëmijës. Transmeton Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin alejhi selam duke thënë: “Dhe nuk mbytet prindi për fëmijën.” (Transmeton Termidhiu dhe Ibën Maxhe, hadithi është i saktë.)

Kjo ngase prindi ka qenë shkaktar i jetesës së fëmijës, fëmija nuk mund të jetë shkaktar për zhdukjen e prindit dhe nga kjo rezulton se ndalohet sakrifica e jetës së prindit për t’i shpëtuar jetën fëmijës.
Argumenti i pestë: Synimi i ligjeve juridike islame është që të realizojë interesat e njerëzve sa më tepër, aq sa i jepet hapësira e veprimit, duke mos i ikur asgjë. Nëse mund t’i realizojë të tërat, e vepron këtë, mirëpo nëse realizimi i tyre të gjithave është i pamundshëm, prioritet u jepet atyre që janë më të plota, më të rëndësishme dhe më të nevojshme, që ka kërkuar Ligjvënësi.

Mendimi më i saktë nga këto mendime është mendimi i dytë, pra lejohet aborti mbas frymëzimit të shpirtit sipas gjendjes të posatheksuar nga juristët islamë, që d.m.th. nëse ajo është rruga e vetme e shpëtimit të jetës së nënës, mirëpo pasi të jenë përdorur të gjitha rrugët dhe mjetet e shërimit të fetusit dhe raportet mjekësore të verifikuara deklarojnë se kjo është e vetmja shpresë e shpëtimit të jetës së nënës. Gjithashtu, kërkohet që gjendja të jetë reale praktike dhe jo e paragjykuar, që mund të paragjykojnë mjekët apo dikush tjetër, ngase nuk lejohet mbytja e njeriut të gjallë për paragjykime jo të sigurta. Njëherazi propozojmë që komisioni i mjekëve të përbëhet prej tre e më tepër mjekëve eminentë, të besueshëm dhe me eksperiencë të gjatë. Allahu e di më së miri.

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, kurse salavatet ia dërgojmë krijesës më të dashur të Allahut, Muhamedit alejhis-salatu ues-selam.

Sadat Rrustemi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit