7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

A ka mundësi që dikush ta shohë Allahun në këtë botë?

Më të lexuarat

Pyetja:

A ka mundësi që dikush ta shohë Allahun në këtë botë, qoftë besimtar apo jobesimtar? Apo kjo është e mundur vetëm për besimtarët?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Të shohë Allahun në këtë botë nuk është e mundur për askënd, qoftë ai besimtar apo jobesimtar. Muslimi transmeton në Sahihun e tij se Pejgamberi ﷺ ka thënë ditën kur i paralajmëroi njerëzit për Dexhallin: “…Të dini se askush prej jush nuk do ta shohë Zotin e tij, Ai qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar, derisa të vdesë.” [1]

Musai kërkoi të shihte Allahun, por Allahu nuk ia plotësoi atë kërkesë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kur Musai mbërriti në kohën tonë të caktuar dhe Zoti i tij i foli atij, ai tha: “Zoti im, më trego [vetën Tënde] që të shikoj Ty.” [Allahu] tha: “Nuk do të më shihni Mua, por shikoni malin; nëse do të qëndrojë në vend, atëherë do të më shihni Mua.” Por kur Zoti i tij iu shfaq malit, Ai e rrafshoi atë dhe Musai ra pa ndjenja. Dhe kur u zgjua, tha: “I lartësuar je! Unë jam penduar te Ti dhe unë jam i pari i besimtarëve.” (Araf, 143)

Kushdo që pretendon se e ka parë Allahun në këtë botë, pretendon se është më i mirë se Musai. Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Me tekstin e Kuranit vërtetohet se Musait i është thënë: “(Ti nuk do të më shohësh mua) dhe se të shohësh Allahun është më e madhe se zbritja e një libri nga qielli, siç thotë Allahu xh.sh në Kuran {Ithtarët e librit kërkojnë që t’u zbresësh atyre një libër nga qielli. Por ata i kishin kërkuar Musait (madje) më shumë se kaq dhe thanë: “Na trego Allahun në mënyrë të drejtpërdrejtë.” (Nisa, 153)

Pra, ai që thotë se ndonjëri nga njerëzit e pa Atë, po pretendon se ai person është më i madh se Musa Ibn Imran, dhe pretendimi i tij është më i rëndë se pohimi  i atij që pretendon se Allahu i zbriti atij një libër nga qielli.” [2]

Ai gjithashtu tha: “Çdokush që pretendon se e ka parë Zotin e tij me dy sytë e tij para vdekjes, pretendimi i tij është i rremë, sipas konsensusit të Ehli Sunetit ue Xhemat, sepse të gjithë janë pajtuar njëzëri se askush nga besimtarët nuk mund ta shohin Zotin e tij me dy sytë e tij derisa të vdesë.” [3]

Dhe ai shpjegoi se dallimi i mendimeve në lidhje me këtë ka të bëjë vetëm me Profetin ﷺ. Ai (Allahu e mëshiroftë) tha: “Dijetarët kryesorë të muslimanëve janë të një mendimi se askush nga besimtarët nuk do ta shohë Allahun me sytë e tij në këtë botë, dhe se as Profeti ﷺ nuk e ka parë Allahun. Kjo tregohet nga transmetimet sahih, të cilat vërtetohet se janë transmetuar nga Profeti ﷺ dhe sahabët dhe dijetarët kryesorë të muslimanëve.” [4]

Dhe Allahu e di më së miri.

Burimi: islamqa.com

———————————————————-

[1] Muslimi, 169.

[2] Mexhmu’el-Fetava, 2/336.

[3] Mexhmu’el-Fetava, 3/389.

[4] Mexhmu’el-Fetava, 2/335.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit