15.5 C
Pristina
Friday, May 24, 2024

A e ka Asociacioni çelësin e Këshillit të Evropës?

Më të lexuarat

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe – një thirrje e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën – duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për të, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të martën se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë “dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”, në mënyrë që t’i bindë qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Themelimi i Asociacionit ka qenë vazhdimisht kërkesë edhe e vendeve të tjera të grupit QUINT, që, pos Francës e Gjermanisë, përfshijnë edhe SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës nëse planifikon ta dërgojë draft-statutin në Kushtetuese përpara datës 16 maj, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Më 17 prill, zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se themelimi i Asociacionit nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në KiE, por shtoi se ai është pjesë e listës së zotimeve në kuadër të raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyyanis, të cilat Kosova i ka marrë përsipër që t’i zbatojë pas anëtarësimit në KiE.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 23 prill, se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike dhe diplomatike në Kosovë pajtohen se vendi duhet të bëjë “hapa pozitivë” për të mos rrezikuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Polemika rreth Asociacionit

Kosova dhe Serbia u pajtuan për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe qysh në vitin 2013.

Megjithatë, qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë marrëveshjen, duke shprehur frikë se asociacioni i tillë njëentik mund të ndikojë në funksionalitetin e duhur të shtetit.

Pas trysnisë së vazhdueshme, diplomatët perëndimorë hartuan një draft-statut të këtij asociacioni, të cilin ia dorëzuan Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit të kaluar.

Udhëheqësit e dy vendeve thanë fillimisht se e kanë pranuar në parim, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 19 mars se nuk e ka pranuar.

Para se të bëhet ndonjë hap tjetër, draft-statuti duhet të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, thotë se kërkesa ose sugjerimi i partnerëve perëndimorë është i qartë: Qeveria e Kosovës duhet ta dekretojë draft-statutin për Asociacionin dhe ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Në rast se dërgohet [në Gjykatën Kushtetuese], atëherë, faktikisht, mund të thuhet se është debllokuar procesi i themelimit të Asociacionit… Deri më tash, ky proces është bllokuar nga perspektiva e vendimmarrjes politike”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, praktika e deritashme ka treguar se ministrat e Jashtëm në Këshillin e Evropës, përgjithësisht, i mbështesin vendimet e Asamblesë Parlamentare.

Por, në rastin e Kosovës, thotë ai, marrë parasysh pritjet që i kanë disa vende lidhur me themelimin e Asociacionit, votimi më 16 maj mund të mos jetë fare në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Që të mos duket se po votojnë kundër vendimit të Asamblesë Parlamentare, rrezikohet që të mos futet fare në rend dite, si një e formë e refuzimit jo të drejtpërdrejtë”, thotë Kamberi.

Valon Murtezaj, profesor i Diplomacisë në Universitetin IESEG në Paris, thotë se çdo hap që mund ta bëjë Qeveria e Kosovës në drejtim të themelimit të Asociacionit, duhet ta bashkërendojë me kërkesat e partnerëve kryesorë, nga të cilët pret përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Nëse këto janë pritje nga ata që do të votojnë – dhe Qeveria e di më së miri se cilat janë pritjet – atëherë duhet vendosur në bazë të drejtpeshimit ndërmjet pritjeve dhe gjasave për sukses në votim”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, hap tjetër që mund të bëjë Kosova para takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, më 16 maj, është: dërgimi i garancive të qarta te vendet përkatëse se do të zbatohen të drejtat e komuniteteve joshumicë, si dhe i sinjaleve të qarta se do të avancohet i gjithë korpusi ligjor që ndërlidhet me të drejtat e njeriut.

“Do të ishte e dhimbshme që Kosova ta humbiste anëtarësimin pas gjithë këtij rrugëtimi të suksesshëm deri sot”, thotë Murtezaj.

Në një intervistë dhënë REL-it, më 18 prill, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se këshillë e tij për Kosovën do të ishte “ta dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese” përpara votimit në maj.

Organizata e Knausit publikoi së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Kjo, përkundër marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

\REL\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit