I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kur një njeri falet me imamin derisa ai të përfundojë, atij i shkruhet sikur ka falur tërë natën.”
(Hadith i transmetuar nga Imam Ahmedi, Darimi, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Xharudi, Ibn Mundhiri, Ibn Huzejme, Ibn Hibani dhe të tjerë.)
Të gjithë e transmetojnë nga Daud ibn Ebi Hind, nga Uelid ibn Abdurrahman el-Xhurashi, nga Xhubejr ibn Nufejr el-Hadhremi, nga Ebu Dherri (Allahu qoftë I kënaqur me të!).
Dijetarët që e kanë pranuar këtë hadith:
Ky hadith është përdorur si argument nga Imam Ahmedi, Ebu Ubejd Kasim ibn Selam dhe Ibn Mundhiri.
Hadithin e ka saktësuar Tirmidhiu, Ibn Huzejme dhe Ibn Hibani.
Ebu Davudi ka heshtur rreth tij dhe e ka përdorur si argument, ndërsa Nesaiu e ka pranuar dhe Ibn Xharudi e ka zgjedhur atë si të saktë.
Komentet e dijetarëve për këtë hadith:
• Ebu Davudi ka thënë:
“E kam dëgjuar Imam Ahmed ibn Hanbelin të thotë: Më pëlqen që njeriu të falet me imamin dhe të bëjë vitër me të, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Kur një njeri falet me imamin derisa ai të përfundojë, atij i shkruhet sikur është falur tërë natën.”
• Ebu Davudi ka thënë gjithashtu:
“E kam parë Ahmed ibn Hanbelin gjatë Ramazanit duke falur vitrin me imamin e tij, përveç një nate kur nuk isha i pranishëm.” (Masail Ebi Davud, fq. 90).
• Muhamed ibn Nasr el-Meruzi ka thënë:
“Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: ‘Duhet të falet me njerëzit dhe të bëjë vitër me ta, dhe të mos largohet derisa të përfundojë imami.’” (Mukhtesar Kijam Ramadan, fq. 217).
• Ebu Bekr el-Ethram ka thënë:
“Imam Ahmedi ibn Hanbeli i falte të gjitha namazet e teravisë me njerëzit – duke përfshirë të gjitha rekate e çiftit dhe vitrit – dhe përdorte hadithin e Ebu Dherrit si argument. Imam Ahmedi ka thënë: ‘Xhabiri, Ali ibn Ebi Talibi dhe Abdullah ibn Mesudi i faleshin teravit në xhemat.’” (Et-Temhid, 8/118).
• Nesaiu e ka futur këtë hadith nën kapitullin: “Shpërblimi për atë që falet me imamin derisa ai të përfundojë.”
• Ibn Huzejme ka thënë:
“Në thënien e Pejgamberit ﷺ: “Kush falet me imamin derisa ai të përfundojë, atij i shkruhet sikur ka falur tërë natën,” ka dëshmi që edhe ai që di të lexojë Kuran dhe ai që nuk di, nëse falen me imamin deri në fund të namazit të tij, atyre u shkruhet shpërblimi i tërë natës. Dhe ky shpërblim është më i madh se sa të falet vetëm një pjesë e natës.” (Sahihu Ibn Huzejme, 2211).
• Ibn Hibani e ka futur këtë hadith nën kapitullin:
“Përmendja e mirësisë së Allahut të Madhëruar që Ai i shkruan faljen e tërë natës atij që falet me imamin teravitë derisa ai të përfundojë.”
• Ebu Bekr Ibn Mundhir ka thënë:
“Thënia e Pejgamberit ﷺ: “Kur një njeri falet me imamin derisa ai të përfundojë, atij i shkruhet sikur ka falur tërë natën,” është argument se falja në xhemat me imamin në Ramazan është më e vlefshme se falja individuale. Gjithashtu, ky hadith dëshmon se njeriu nuk duhet të kundërshtojë imamin, edhe nëse ai e fal vitrin me tre rekate. Nëse imami e vepron kështu, atëherë duhet ta ndjekësh, dhe kjo është më e dashur për mua, për shkak të hadithit që përmenda më herët.” (El-Evsat, 2664).
• Ibn Mundhiri ka thënë gjithashtu:
“Duhet ta falësh vitrin me imamin, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur një njeri falet me imamin derisa ai të përfundojë, atij i shkruhet sikur ka falur tërë natën.”” (El-Ishraf ala Mezahib el-Ulema, 2/265).
• Ibn Rexheb el-Hanbeli ka thënë:
“Dijetarët e hadithit kanë transmetuar nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ﷺ kur fali teravitë me ta një natë deri në një të tretën e natës, dhe një natë tjetër deri në gjysmën e saj, ata i thanë: “Sikur të na e plotësoje tërë natën?” Atëherë ai tha:
“Kur një njeri falet me imamin derisa ai të përfundojë, atij i shkruhet sikur ka falur tërë natën.”
Ky hadith tregon se falja e një të tretës ose gjysmës së natës me imam është e barasvlershme me faljen e tërë natës. Imam Ahmedi e praktikonte këtë hadith dhe nuk largohej derisa të largohej imami.” (Lataif el-Ma’arif, fq. 397-398).
Shkruar nga: Shejh Abdulkader ibn Mahmud Arnaut, Allahu e ruajt.
Përktheu: Fitim Gërguri.
