“Business Tuesday” organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK) do të ofrojë një diskutim dhe disa prezantime të rëndësishme për të gjithë ata që duan të dinë më shumë mbi qasjen në financim për biznesin e tyre.
Pavarësisht se për çfarë lloji të biznesi bëhet fjalë vështirë që mund të shmangët nga diskutimi çështja e financimit – që është element tejet thelbësor në arritjen e suksesit. Gjetja e fondeve të duhura në tregun e sotëm mund të jetë një objektiv i vështirë dhe tejet kompleks, që kërkon kohë dhe njohuri specifike mbi mundësitë e ndryshme të financimit.
Në edicionin e pestë të Business Tuesday do të diskutohet më detajisht lidhur me gjetjen e financimit përmes pjesëmarrjes së ekspertëve të kualifikuar nga fusha e industrisë së financimit. Në këtë takim do të ofrohen më shumë detaje mbi qasjen në mundësitë e financimit të biznesit, mbi kushtet ekzistuese, grantet e mundshme, etj.
Pjesëmarrësit gjatë Business Tuesday #5 do të kenë mundësinë që të marrin informata mbi shërbimet e ofruara nga institucionet bankare, organizatat e ndryshme, të informohen mbi përfitimet e mundshme nga këto opsione të financimit, çka duhet të bëjnë që të kualifikohen për të përfituar financimin, si dhe do të kenë mundësinë që drejtpërdrejtë të bisedojnë me folësit.
“Business Tuesday” i pestë me radhë mbahet më 5 shkurt 2013 në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK) prej orës 17:15, ndërsa pjesëmarrja është e lirë për të gjithë të interesuarit.
“Business Tuesday” është i inspiruar nga praktika e ngjarjeve të ngjashme që organizohen në Skandinavi.
Athene Prosjektledelse, nga Norvegjia dhe Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), janë themeluesit e ICK-së, kurse Crimson Capital është partner kryesor bashkëpunues. ICK-ja financohet nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme. /Telegrafi/