-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Nga Hamid DABASHI: Rrënjët liberale të islamofobisë

Më të lexuarat

Sëmundja e Islamofobisë, urrejtja irracionale dhe kategorike ndaj muslimanëve dhe besimit të tyre, ashtu sikundër edhe fatkeqësia korresponduese e anti-semitizmit kundër hebrenjve, racizmi kundër afro-amerikanëve, mizogjinia kundër grave – kanë nevojë për një drejtim të qëndrueshëm të mendimit kritik dhe shqyrtimit të hollësishëm përpara se të kuptohen origjinat e tyre patologjike dhe të diskreditohen krye-ideologët e tyre.

Sot, në Shtetet e Bashkuara vërehet rritja e sulmeve nga ana e supremacistëve të bardhë ndaj hebrenjve, muslimanëve dhe njerëzve me ngjyrë afro-amerikanë, ndërsa institucione dhe personazhe janë mbledhur së bashku nën një mjet propagande të quajtur “alt right”,  kryeideologu i të cilit, Stephen Bannon (Abu Bakr al-Baghdadi i “alt-right”) tashmë është ulur ngjitur me karriken e presidentit të Shteteve të Bashkuara në zyrën Ovale, si këshilltari i tij kryesor.

Cila është natyra e kësaj sëmundjeje, dhe nga vjen ajo? Ne tashmë, kemi një numër studimesh të shkëlqyera për këtë çështje, mes të cilëve unë mund të përmend librin e Peter Gottschalk dhe Gabriel Greenberg “Islamofobia: ta gjesh armikun te muslimanët” si dhe “Islamofobia dhe politikat e Perandorisë” nga Deepa Kumar, “Industria e Islamofobisë: si prodhon e djathta frikën nga muslimanët” nga Nathan Lean dhe botimi i Carl Ernst, “Islamofobia në Amerikë: anatomia e intolerancës”.

Këto studime kanë qenë të gjitha të nevojshme dhe kanë thyer tabu, por jo të mjaftueshme. Sëmundja e Islamofobisë – ashtu sikundër të gjitha fobitë – varion në simptoma dhe kërkon diagnozë të vazhdueshme kritike.

Sot, vëmendja e botës është përqëndruar tek islamofobët kryesorë, si Stephen Bannon dhe Sebastian Gorka apo në teoricienin konspirativ, Frank Gaffney dhe të ngjashmit e tyre, të gjithë në ngjitje rreth e rrotull Donald Trump në zyrën Ovale.

Por, fshehur nga kqyrja dhe nën maskim, ekziston një version shumë më i rrezikshëm i sëmundjes në qarqet shumë më popullore që përfaqësohen nga bufonë të prodhuar nga media, si Bill Maher dhe ndihmësi i tij Sam Harris.

Nëse më pyesni se kush është islamofobi i vetëm amerikan, më molepsës në ditët e sotme, unë nuk do thoja Bannon, Michael Flynn, Stephan Miller, apo as Gorka, të gjithë këta janë shefa të zellshëm mes kryqtarëve oportunistë që brohorasin Trump.

Unë do të thoja, pa hezituar asnjë moment, Maher dhe Harris, dhe përpara se të ndërronte jetë, edhe karrieristi Christopher Hitchens. Ata janë lejtnantët shumë më të rrezikshëm të frontit të parë të Islamofobisë.

Këta islamofobë liberalë janë duke shpërndarë urrejtjen e tyre ndaj muslimanëve me fytyra të qeshura, shaka të shkujdesura, argumente hipokritë, me të qeshura të sforcuara dhe me konsensus të fabrikuar – në bashkëpunim të plotë me mjete komunikimi, që përndryshe janë tërësisht të respektueshme.

Masa e miliona amerikanëve demostron në rrugë kundër racistëve famëkeq të mbledhur rreth Trump. Maher dhe Harris janë magjepës tinëzarë që shesin opinionet e tyre të urrejtjes në fashën më të shikuar të kohës televizive.

Këta islamofobë liberalë, në mënyrë proverbiale armiq të asaj që nuk e kuptojnë dot, shenjtërojnë frikën patologjike ndaj Islamit dhe muslimanëve me autoritet të fabrikuar dhe familjaritet të rremë.

Në krah të Maher, Harris lëshoi një urdhër ekzekutiv që Islami “duhet të reformohet”. Por me çfarë autoriteti, me çfarë njohurish, akademizmi e kush ia dha atij këtë autoritet?

Të dy ata nuk mund të dallojnë një fjalë arabisht nga gjuha perse, turke apo urdu. Të ulur në studio si dy banditë talibanë qëllojnë fort përmes lenteve të kamerës, nën të qeshurën e vazhdueshme të miratimit nga audiencat e sajuara.

Sot,  ekzistojnë dy kërcënime të ndërlidhura ndaj reformës së brendshme të nevojshme për historinë intelektuale muslimane që nga përballja fatpërmbushëse me kolonializmin europian: Baghdati dhe banda e tij e kriminelëve fyt-prerës nga njëra anë dhe klubi i vëllazërisë së liberalëve dhe islamofobëve të së djathtës nga ana tjetër.

Mendojeni: midis gjithë bandës së liberalëve dhe islamofobëve konservatorë, ata nuk arrijnë të dallojnë një fjalë arabisht nga një fjalë persisht. Ata janë ekuivalentët funksionalë të sheikëve injorantë dhe homologëve të tyre shiitë në të gjithë Lindjen e mesme që ngrihen e lëshojnë fatva për “Perëndimin” pa ditur një fjalë anglisht apo në çdo gjuhë tjetër europiane.

Dhe këtu është edhe telashi i kohës sonë, zënë midis dy bandash injorantësh ksenofobë, duke mbajtur shenjat e përballjes së një batalioni të injorancës së armatosur kundër tjetrit.

Ata guxojnë të flasin për “betejë idesh” pa citimin më të vogël të ndonjë teologu musliman, të gjallë apo të vdekur, të ndonjë filozofi, mistiku, poeti, artisti apo të ndonjë prove publike intelektuale për prozën e tyre boshe në marramendje.

Injoranca e tyre monumentale është e përcaktuar vetëm nga privilegjet e tyre të sanksionuara për shkak të të qënit të bardhë. Ata janë të bardhë e mund të thonë çfarë dëshirojnë.

Në kulmin e modernizmit të Iluminizmit, Europa përfundoi në kampet gjermane të përqëndrimit. Në kulmin e demokracisë amerikane, ata po qeverisen nga Donald Trump. Dhe ata guxojnë të flasin për “betejë idesh!”. Cilave ide?

Historia e vetë vendit të tyre nisi me shkatërrimin genocidal të amerikanëve vendas, vazhdoi me historinë e neveritshme të skllavërimit të afrikanëve, dhe në kulmin e arritjeve të tyre teknologjike me hedhjen e një bombe bërthamore në Japoni. Betejë e cilave ide kundër cilave?

Një tërsëllimë e tillë e pakuptimtë për “betejën e ideve”, sidoqoftë, është një nënstrehim për një banalitet shumë më të thjeshtë të injorancës. Nuk është më çështja për të akuzuar Maher se po tregohet fanatiku që ai është, apo se po shfaq hapur racizmin në shoqërizimin vëllazëror me djalin-poster të neo-fashizmit, Milo Yiannopoulos.

Asnjë nga këto nuk po sillet për të thënë se muslimanët “en masse” janë dhurata e Zotit për njerëzimit. Islamofilia është po aq e marrë sa edhe islamofobia. Ka rreth 1.5 miliardë muslimanë në gjithë globin. Edhe ata kanë pjesën e tyre të banditëve kriminelë, sociopatëve vrastarë, gangsterëve psikotikë etj.

Por, të adresosh patologji të tilla ka nevojë të paktën për një minimum simpatie për humanizmin e zakonshëm të miliona muslimanëve të tjerë që nuk kanë të bëjnë fare me këta kriminelë.

Rritja historike e Islamofobisë do të ketë një ndikim transformues mbi muslimanët dhe në kthesën aktuale të mendimit të tyre kritik. Intelektualët muslimanë më seriozë sot po kalojnë përmes dhimbjeve të rilindjes morale dhe përfytyrimit.

Armiqtë e tyre si Maher dhe Bannon janë armiq të njerëzimit, pasi Islamofobia është një nënstrehë e hollë për ksenofobinë shumë më malinje, frikën ndaj të gjithëve dhe çdo gjëje që nuk duket apo nuk artikulon si ata.

Ne, muslimanët jemi të privilegjuar, ndoshta ne jemi, madje, të destinuar të luftojmë për liritë tona civile me kushte të reja universale – jo vetëm për veten tonë, por për të gjithë komponentët e tjerë të anashkaluar të njerëzimit që luftojnë kundër supremacisë së bardhë në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.

Ne do të dalim nga kjo betejë pasi të kemi universalizuar moralisht veçanësitë tona politike. Ne do të përballim Maher dhe Bannon sy për sy, me humanizmin tonë të ditur kundrejt barbarizmit të tyre analfabet.

*Hamid Dabashi është profesor i studimeve iraniane dhe letërsisë së Krahasuar në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Artikulli u publikua në faqen online të televizionit “Al Jazeera”.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit