Gjuha dëshmon shumë për karakterin e një njeriu. Kjo vlen edhe për politikanët, as Donald Trump nuk përjashtohet këtu. Linguistë nga SHBA dje Gjermania kanë analizuar semantikën gjuhësore të presidentit amerikan.
Nga Deutsche Welle
Elisabeth Wehling ishte në zyrën e saj në Kaliforni mbrëmjen e fjalimit të parë të Trump para Kongresit amerikan. Për linguisten e Universitetit Berkeley puna e saj normale: Analizimi i gjuhës së politikës. Stili gjuhësor i Donald Trump është një temë interesante – sepse politikani për ditë ofron material për t’u analizuar. Pas fjalimit të tij, mediat brohorasin për stilin e ri të Trumpit, por linguistja që e analizon gjuhën e Trumpit nuk gjen asgjë të re nga ana përmbajtësore. Ka ndryshuar vetëm prezantimi. “Sigurisht që vihet re, që fjalimi ka qenë i shkruar më parë. Nuk u publikua më kot një video, ku tregohet Trumpi se si e ushtron fjalimin.”
Prova të tilla janë të zakonshme para fjalimeve të rëndësishme. Nga Donald Trumpi deri më tani njihej diçka tjetër. Presidenti amerikan nuk e përdorte teleprompterin dhe tekstet e studiuara. Ai fliste spontanisht dhe pa fre. Elisabeth Wehling e ndjen tonin e ri, por mesazhi është i njëjtë, sipas saj. “Imazhet që përcjell ai janë mjaft intensive. Ato janë simbole të mënyrës konservatore të mendimit. “Gjak, luftë, e veja e një ushtari të vrarë, këto janë simbolet, me të cilat Trump do të prekë zemrat.”
“Sondazh” përmes Twitter
Donald Trump e di ndikimin e gjuhës së tij, prandaj ai e përdor qëllimisht, Twitterin dhe jo fjalimet. Gjithçka e planifikuar, mendon linguistja. Ai i përdor ato për të larguar vëmendjen nga politika e tij. Në të njëjtën kohë Trump di të krijojë imazhe tek njerëzit. Këto zbarkojnë pa filtrim tek lexuesit. Jo drejtpërdrejt, por përmes Tweets ai i pyet njerëzit se çfarë mendojnë. “Ai shkruan një Tweet, paraqet një tezë të fortë dhe pret se si do të reagojnë njerëzit. Përmes kësaj medieje sociale ai ka lidhje me fansat e tij që i shpërndajnë mesazhet, shprehet linguistja. Kundërshtarët e tij flasin për “fake news” por i shpërndajnë idetë e tij. “Ky është gabimi i shtypit, që i dënon deklaratat e tij, por i shpërndan megjithatë”, thotë linguistja.
Stil i ri
Me fjalime, por edhe Tweets Donald Trump shkakton gjithmonë reagime të forta. Linguistët analizojnë stilin e tij gjuhësor dhe shpjegojnë pse sjell kaq vëmendje gjuha e presidentit amerikan.
Me gjuhën e tij, Trump kërkon të prekë ndjenjat e publikut. Studiesja e gjuhës Jean K. Gordon ka krahasuar fjalët e Trump në fjalimet e tij me ato të Clintonit dhe Obamës. Ajo konstaton, se fjalimet e tij mbajnë më shpesh nocione negative. Fjalimi i tij në Kongres ishte më pozitiv. Tani shihet një strategji e re e Trump dhe ekipit të tij. Mesazhet e Trumpit dhe fjalimet spontane janë për përkrahësit e tij shenja besueshmërie. Ai përdor fjali të shkurtra, fjalë të thjeshta dhe imazhe të kuptueshme. Me këtë strategji ai pati sukses edhe para zgjedhjeve. Tani ai kritikohet për këtë. Duket se Trump mund të veprojë edhe ndryshe pas fjalimeve “katastrofale në memoralian Langley dhe “Mëngjesin e Lutjes Kombëtare”, thotë Theresa Heyd, nga Universiteti i Duisburgut. Pas agresivitetit vijnë tone të qeta. Por Elisabeth Wehling e quan të ekzagjeruar debatin për tonin e ri të Trump. “Ajo që është më e rëndësishme janë përmbajtjet dhe ato nuk kanë ndryshuar.”