Në kohën e Profetit (alejhi selam)
Kur i zbriti Xhibrili (alejhi selam) Profetit në shpellën Hira ajetet e para, ai shkoi dhe i tregoi Hatixhes (Zoti qoftë i kënaqur me të!) për çka ndodhi në shpellë dhe ia lexoi ajetet.
Që atëherë e urdhëroi Allahu të dërguarin e Tij që të thërrasë njerëzit në fenë islame. Profeti dhe sahabët filluan që të mblidheshin në shtëpinë e Erkem bin ebi Erkem që të mësonin Kuranin përmendësh dhe të meditonin në ajetet e Allahut. Ata kanë qenë arabë të vërtetë, të pa përzier e kuptonin Kuranin sipas natyrshmërisë arabe, nëse hasnin në paqartësi ktheheshin tek njëri-tjetri se ata kanë qenë njëri më i ditur se tjetri ose pyesnin të dërguarin alejhi selam dhe ai qartësonte atyre.
Nga kjo mësojmë se shkencat e Kuranit kanë filluar që në kohën e fillimit të Islamit, madje qëkur ndriçoi dielli i tij, sepse mësimi përmendësh i Kuranit, leximi dhe të medituarit në të si dhe tefsiri i tij, janë nga shkencat më kryesore të Kuranit madhështor.
Në kohën e sahabëve (Zoti qoftë i kënaqur me ta!)
Nëse do të shikojmë në gjendjen e sahabëve, do t’i gjejmë se ata e mësonin Kuranin dhe shkencat e tij në mënyrë gojore, sepse në kohën e tyre nuk shkruheshin këto mësime dhe kjo për disa arsye:
1. Shumica e sahabëve kanë qenë analfabet, nuk dinin të shkruanin e as të lexonin.
2. Mjetet e shkrimit nuk kanë qenë të mjaftueshme tek ata.
3. Profeti (alejhi selam) i ka ndaluar ata që të shkruajnë gjë tjetër, veç Kuranit dhe kjo në bazë të fjalës së tij: “Mos shkruani gjë nga mua dhe kush shkruan prej meje gjë veç Kuranit le ta fshijë atë”. Autori i librit “Ulumul Kuran” Fehd Rrumi thotë se disa njerëz mendojnë se Profeti i ka ndaluar sahabët nga kjo gjë, duke u frikësuar se mos e ngatërronin Kuranin me atë që thoshte ai. Allahu e di më së miri, por kjo duket që s’është e vërtetë, sepse ata kanë qenë njerëz me karakter të mençur që e shijonin shpalljen. Ata e dallonin mrekullinë e Kuranit me dëgjimin e parë me dallim të plotë dhe e thithte truri i tyre dhe e shkruante atë zemra e tyre në rreshtat e saj. E si mund të imagjinohet se ata mund ta përzienin me fjalën e njeriut? Shkaku i kësaj është se Profeti (alejhi selam) dëshiroi që të shpërndante përgjegjësinë e përcjelljes së shpalljes te të gjithë sahabët. Sikur të urdhëronte vetëm ata të cilët shkruanin për të shkruar, do të mendonin ata që nuk dinin se përgjegjësia e përcjelljes së shpalljes kufizohet vetëm për ata që shkruanin, të cilët ruajnë termat e sheriatit dhe se ata janë të ruajtur nga kjo gjë. Kur i ndaloi Profeti (alejhi selam) ata nga shkrimi i mësimeve, veç Kuranit u bënë sahabët të gjithë të njëjtë në marrjen e mësimit nga Profeti (alejhi selam); nuk dallohej ai që shkruante nga ai që nuk shkruante. Ata bashkëpunuan të gjithë në thirrjen e Allahut dhe thirrja më e mirë është ajo që të përhapej nga të gjithë sahabët dhe jo e përkufizuar në një numër të pakët, nga ata të cilët dinin shkrim e lexim.
Nëse do të thoshe se meqenëse qenka kështu, atëherë as për Kuranin s’do t’i kishte lejuar që ta shkruanin. Do të thosha se rëndësia e përcjelljes së Kuranit nuk është si shkencat e tjera që të mos mendonin analfabetët se kjo detyrë ishte vetëm për ata që lexonin. Kështu ata vazhduan ta lexojnë atë fshehtas dhe haptas, në shtëpitë e xhamitë e tyre në vetmi dhe në publik në namazet e tyre; pra, përcjellja e tij është në mënyra të ndryshme. Të gjithë ishin të ngarkuar për ruajtjen e tij në rreshta dhe në kraharorët e tyre.
Shembuj të sahabëve për mësimin përmendësh të Kuranit dhe shkencave të tij
Kështu pra triumfuan sahabët në mësimin e Kuranit dhe shkencave të tij, si pasojë e shkaqeve të lartpërmendura dhe kujdesja e fortë për mësimin përmendësh; kështu i mësuan shkencat e tij, sikurse mësuan ajetet. Taberiu transmeton nga Ibnu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ishim që nëse njeri prej nesh do të mësonte dhjetë ajete, nuk i tejkalonte ato derisa t’i mësonte mirë dhe të punonte me to”.
Abdurrahman es Selmi ka thënë: “Na kanë treguar ata të cilët na lexonin ne se ata e kishin mësuar Kuranin nga Profeti (alejhi selam) dhe ishin që nëse mësonin dhjetë ajete, nuk mësonin tjetër, derisa të punonin me ato që ndodheshin në ajete dhe kështu mësuam Kuranin dhe punën me të së bashku.”
Abdullah ibnu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Betohem për Allahun, që nuk ka zot tjetër me të drejtë veç Tij, nuk ka zbritur sure nga libri i Allahut, vetëm se unë e di se ku ka zbritur; dhe nuk ka zbritur ajet nga libri i Allahut vetëm, se unë e di për çfarë ka zbritur. Sikur të di një më të ditur se unë që informon për librin e Allahut do ti hypja deves për të shkuar tek ai”.
Ali ibnu Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) një ditë kur ishte në mimber tha: “Më pyesni mua se, për Allahun, nuk keni për të më pyetur për ndonjë gjë, vetëm se kam për t’ju lajmëruar dhe më pyesni për librin e Allahut, se, për Allahun, unë jam që e di më mirë se ka zbritur natën apo ditën, në fushë apo në mal”. Versionet për këtë janë të shumta dhe të gjitha ato vërtetojnë se sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!) nuk janë mjaftuar vetëm me mësimin përmendësh të tekstit të Kuranit, por edhe shkencat dhe kuptimet e tij. Shumë prej sahabëve janë të njohur për tefsirin e Kuranit dhe prej tyre katër halifet, Ibnu Abasi, Ibnu Zubejri, Ubeje bni Keab, Zejd ibn Thabit, Abdullah ibnu Mesudi, Ebu Musa el Eshari dhe Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Transmetimet më të shumta në tefsir janë nga Ali ibnu ebi Talib, Ibnu Abasi, nga Ibnu Mesudi dhe Ubeje bni Keab (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Në kohën e sahabëve u hapën shumë vende islame dhe sahabët u shpërndanë nëpër to që t’u mësonin njerëzve Kuranin dhe shkencat e tij dhe këto vend-mësime u quajtën më pas shkolla të tefsirit; më të shquarat janë tri:
Shkolla e Ibnu Abasit në Mekë dhe ai është më i dituri i këtij umeti (në tefsir) dhe komentuesi i Kuranit, pasi për të Profeti (alejhi selam) është lutur duke thënë:
“اللهم فقهه في الدين و علمه التأويل”
“O Zot, bëje atë të kuptojë fenë dhe mësoi atij komentimin (e Kuranit)!”
Shkolla e Ubeje ibn Keab në Medine. Ka qenë një prej atyre që shkruanin shpalljen dhe prijësi i lexuesve të Kuranit me dëshminë e Profetit, i cili ka thënë:
“أقرؤكم أبي بن كعب”
“Lexuesi më i mirë tek ju është Ubej ibn Kab.”
Shkolla e Abdullah ibn Mesudit në Kufe. Ai është i pari i cili publikoi Kuranin në Mekë te kurejshët pas Profetit (alejhi selam). Profeti për të ka thënë:
“من أحب أن يقرأ القرآن غضا كما أنزل فليقرأه على قراءة ابن أم عبد”
“Kush dëshiron ta lexojë Kuranin të freskët, ashtu siç ka zbritur, le ta lexojë me leximin e Ibnu Umi Abd.” Ku kishte për qëllim Ibnu Mesudin. Ndërsa ai ka treguar për veten e tij: “Për Allahun, kam marrë nga goja e Profetit (alejhi selam) më shumë se shtatëdhjetë sure.”
Banorët e Mekës të Medinës dhe të Kufes janë njerëzit më të ditur në tefsir.
Bledar Haxhiu