3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Borxhi kombëtar dhe rendi global

Më të lexuarat

Retorika e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të vënë Amerikën të parën mund të fshehë një strategji të rritjes së ekonomisë përmes lojës me borxhet, por këtu interesat kombëtare dhe siguria globale vihen përballë dhe kërkojnë një zgjedhje të vështirë.

Teksa hymë në vitin e ri, të gjithë treguesit të çonin nga një ribërje e rendit botëror. Donald Trump u përbetua si president në Shtetet e Bashkuara, presidenti kinez Xi Jinping mbrojti globalizimin në Davoc dhe liderët e të djathtës ekstreme si Marine Le Pen dhe Geert Wilders mbajtën një “samit europian alternativ” në qytetin gjerman Koblenz.

Trump dhe aleatët e tij populistë në Europë kanë denoncuar globalizimin, ndërsa Xi tani qëndron si mbrojtësi kryesor i tij. Por mesazhi i Trump, në veçanti, është kontradiktor: ndjekja e interesave ekonomike vetëm kombëtare mund të kërkojë më pak bashkëpunim ndërkombëtar, por forcimi i sigurisë kërkon më shumë.

Toni nacionalist i fjalimit të përbetimit të Trump jehoi izolacionizëm si të aviatorit racist Charles Lindbergh, i cili si zëdhënës i Komitetit Amerika e Para, loboi për të mbajtur SHBA-në jashtë Luftës së Dytë Botërore. Dhe tani Trump, duke fajësuar liderët e mëparshëm amerikanë për vështirësitë ekonomike me të cilat përballen shumica e amerikanëve, ka braktisur rolin historik të vendit në krijimin dhe ruajtjen e rendit të pasluftës. Ndërsa refuzimi i tij për “Amerikën globale” nuk është i ri, ta dëgjosh atë nga një president amerikan, është diçka e re.

Vizioni i Trump përqendrohet në politikën e borxhit. Pasi ka drejtuar një biznes të madh pronash të financuar nga borxhi, intuita e tij është që rinegocimi i borxhit mund të përdoret për t’i kthyer Amerikës atë që “vendet e tjera” sipas tij kanë marrë prej saj. Ai është përqendruar te Kina dhe Gjermania, sepse ata patën bilance të mëdha tregtare pozitive me SHBA-në – respektivisht 366 miliardë dollarë dhe 74 miliardë dollarë, në 2015. Përpara inaugurimit, ai sugjeroi se mund të imponojë tarifa më të larta mbi makinat gjermane të importuara, duke cilësuar veçanërisht BMË.

Me tepricat e akumuluara sipas llogarisë aktuale, të dyja vendet kanë krijuar pretendime të mëdha ndaj SHBA-së, në formën e borxhit qeveritar për Kinën dhe në një shumëllojshmëri asetesh të siguruara për Gjermaninë. Ndërsa rezervat e huaja të Kinës janë tani në rënie të shpejtë, të Gjermanisë po rriten. Por, në të dyja rastet, eliminimi i menjëhershëm i deficiteve bilaterale të Amerikës thjesht do t’i bënte amerikanët më të varfër. Nuk do të ishte e ndryshme nga eliminimi i papritur i borxheve të mëdha të Greqisë me pjesën tjetër të Europës.

Në të shkuarën, politikëbërësit amerikanë janë përpjekur të nxisin krijimin e vendeve të punës në atdhe duke i bërë vendet me bilanc pozitiv të krijojnë deficite buxhetore ose të lehtësojnë politikat e tyre monetare, që ato të mund të rriten më shpejt dhe të blejnë më shumë mallra amerikane. Ish-presidentët amerikanë Jimmy Carter dhe Ronald Reagan ndoqën këtë taktikë në fund të viteve 1970 dhe 1980 dhe presidenti Barack Obama bëri të njëjtën gjë në mes të krizës së euros që filloi në 2009.

Kjo është forma klasike e rregullimit të sistemit ekonomik ndërkombëtar dhe administratat e mëparshme amerikane ndoqën këtë metodë duke aplikuar presion bilateral dhe duke punuar me institucione ndërkombëtare si G7 dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por këto negociata kanë pasur gjithmonë rezultate të përziera. Pashmangshmërisht, asnjëra palë nuk kënaqet dhe procesi shihet si me të meta.

Trump mendon se ky proces i vjetër ka dështuar për shkak se vendet me bilanc pozitiv kanë bërë hile. Sipas kësaj pikëpamjeje, Kina me qëllim ka mbajtur poshtë normat e veta të këmbimit në vitet përpara 2015, ka subvencionuar bizneset kineze dhe ka kufizuar të drejtat e të huajve për pronësi; dhe Gjermania ka manipuluar valutën e saj po ashtu, së pari brenda sistemit të vështirë të këmbimit në Europë pas 1979 dhe pastaj brenda eurozonës pas 1999. Bashkimi Europian dhe eurozona, sipas konkludimeve të Trump, janë thjesht mekanizma që mbrojnë interesat gjermane dhe shtojnë fuqinë e Gjermanisë.

Këto janë dy alternativat e qasjes klasike të rregullimit. Së pari, versioni më i këndshëm është të arrihen marrëveshje bilaterale. Ka precedentë historikë për këtë, si kur Japonia në vitet 1980 “vullnetarisht” ra dakord të kufizojë numrin e makinave që shiste në SHBA. Si pasojë, Japonia ndaloi së shituri makina të lira dhe shpejt rriti vlerën.

Pastaj është një alternativë më radikale. Trump mund të ndjekë një version nacionalist të asaj që është tipike një kërkesë e të majtëve: një falje borxhi. Dhe ky arsyetim strategjik mund të lejojë shpërthim të niveleve të larta të borxhit të brendshëm kinez dhe në çështje të pazgjidhura borxhi në eurozonë.

Takimi i kryeministres britanike Theresa May me Trump në Uashington më 27 janar ka krijuar terren për entuziazëm rreth një marrëveshje të re sigurie të bazuar mbi “kapitalizmin anglo-amerikan”. Kapitalizmi i vjetër i stilit anglo-amerikan ishte ndërtuar mbi prodhimin; por stili i ri bazohet te borxhi – veçanërisht te pronësia e shtëpive – për të ruajtur konsumin dhe standardet e jetesës.

Qeveria e May mund të luajë një rol vendimtar në rregullimin e rendit aktual ndërkombëtar. Por ndërsa ajo ka lënë të kuptohet se Mbretëria e Bashkuar do të ndjekë “një Brexit të ashpër” – një ndarje të pastër me BE-në – ajo gjithashtu ka theksuar se sa të rëndësishme janë BE-ja dhe NATO për kornizën europiane dhe globale të sigurisë.

Nëse May mund ta bindë Trump se siguria është më e rëndësishme se një bast mbi borxhin e investimit, ajo do të pengonte një pjesë kyçe të strategjisë së tij të brendshme, ndërsa shpëtonte pak nga shpirti i vjetër i mbrojtjes së përbashkët. Duhet mbajtur mend se i vetmi president tjetër amerikan që promovoi frazën “Amerika e para” ishte Uillson, i cili përfundoi duke u përpjekur të ndërtojë një sistem ndërkombëtar të bazuar mbi sigurinë dhe bashkëpunimin./Projectsyndicate/kumti.com

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit