Vorbulla e reagimeve ndaj presidentit të ri të SHBA-së ka marrë me vete dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit Madeleine Albright.
I aftë të ndezë polemika e të nxisë kundërpërgjigje, Trump ia ka dalë që me nismat e fundit të debatueshme të sjellë dhe reagimin e një figure të tillë si Albright.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit në nisje të shekullit të tanishëm, njoftoi përmes Twitter-it se është e gatshme që të regjistrohet si muslimane, në shenjë solidarizimi me pjesëtarët e kësaj feje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E rritur si krishtere, ndërsa ka kuptuar se vjen nga një familje hebreje, ajo ka reaguar ndaj një urdhri ekzekutiv për kufizimin e lëshimit të vizave për refugjatët, të nënshkruar nga presidenti i ri amerikan Donald Trump.
Në postimin e dytë në Twitter, Albright ka nënvizuar se Amerika duhet të mbetet e hapur për njerëzit e të gjitha besimeve dhe prejardhjeve, me hashtagun “Refugjatët të mirëseardhur”.
Sipas një lajmi të publikuar nga Washington Post, një prej urdhrave ekzekutivë të Trump-it kufizon emigracionin dhe ardhjen në Shtetet e Bashkuara të emigrantëve nga Iraku, Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, duke shtuar se qytetarët e shumë prej këtyre vendeve tashmë kanë probleme të konsiderueshme në marrjen e vizave amerikane.
Trump e pati filluar fushatën zgjedhore të tij me premtimin për kufizimin e ardhjes së refugjatëve dhe ndërtimin e një muri përgjatë kufirit amerikano-meksikan.
Ai ka deklaruar gjithashtu ka thënë se do të paraqesë një “pezullim të plotë dhe gjithëpërfshirës të hyrjes së muslimanëve në Shtetet e Bashkuara” derisa autoritetet të jenë në gjendje t’i kontrollojnë më mirë njerëzit të cilët hyjnë në vend. /tesheshi.com/