Vendimi i ish kryediplomatit të Serbisë, tash president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiq që të caktojë debat mbi punën e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Serbisë nuk do t’i sjellë kurrfarë përfitimi, por, mund ta shtyjë në rrugën drejt konfrontimit me vendet evropiane dhe botërore nga të cilët varet fati i integrimit të saj, thonë analistë serbë dhe ndërkombëtarë.
Vendimi i Jeremiqit ka pasuar lirimin si të pafajshëm të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaq nga Dhoma e Apelit e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës.
Jeremiq ka shkruar në rrjetin social Twitter, se vendimi për lirimin e të akuzuarve për spastrim etnik, nuk duhet fshehur nën tepih.
“Në të kundërtën, dikush do të mendojë, se kjo është një recetë edhe për veriun e Kosovës”, ka thënë ai, duke aluduar në operacionin “Stuhia”(Oluja), për të cilin akuzoheshin Gotovina dhe Markaq, gjatë të cilit, sipas aktakuzës, ishte larguar qëllimisht nga territori kroat i Krajinës, popullata civile serbe.
Analistët në Serbi, por edhe ata të huaj, nuk e shohin me sy të mirë iniciativën e Jeremiqit.
Ish diplomati i Serbisë, Vatroslav Vekariq thotë se nuk mund të mohohet se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mund të debatojë për organet e OKB-së që i ka nën përgjegjësi, ku bie edhe Tribunali i Hagës. Por, ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, flet për rrethanat që mund ta komprometojnë iniciativën e Jeremiqit.
“Kjo rrethanë, ka të bëjë me faktin se Vuk Jermeiqi ka kërkuar që Asambleja të debatojë për Tribunalin e Hagës, i motivuar nga vendimi ndaj gjeneralëve kroatë. Motivimi i tij ka bazë emotive, andaj, që në fillim, nuk është gjë e mirë”, thotë ai, duke shtuar se Jeremiq nuk është sjellë si duhet të sillet një kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Është hap politik, që duke përfaqësuar Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të vendosësh në rend dite një temë që i intereson vendit tënd. Për këtë do të marrë shumë kritika”, shpjegon ish diplomati.
Jelena Miliq, drejtoreshë e OJQ-së, Qendra për Studime Euro-Atlantike, vë në pah hipokrizinë dhe qasjen dekonstrukitve që sipas saj reflekton iniciativa e fundit e Jeremiqit.
“Kur caktoni një debat të tillë në OKB, duke mos ofruar alternativë, atëherë është e qartë se ju nuk keni qëllim të sinqertë mbi kontributin e drejtësisë tranzicionale të një tribunali ndërkombëtar, por, krejt diçka tjetër. Kjo është që të përgatitet terreni për të diskualifikuar të gjitha gjykimet e ardhshme, që do t’i nxjerrë Tribunali i Hagës, e që lidhen kryesisht me Srebrenicën”, shprehet Miliq.
Ajo thekson se Jeremiq as që ka reaguar kur presidenti serb Tomisllav Nikolliq e ka ofenduar Tribunalin, duke këmbëngulur se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid, pa marrë parasysh vendimet e gjykatave, që e cilësojnë si të tillë.
Proceset jetike, të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë janë nisur në një drejtim racional dhe iniciativa e Jeremiqit, mund t’ju japë një goditje të rëndë, vlerëson Vatroslav Vekariq.
“Është procesi i integrimeve evropiane, e paralelisht me të, edhe procesi i dialogut politik me Prishtinën. Të gjitha këto janë nisur në një drejtim racional, dhe me këtë iniciativë, ky drejtim racional vihet në pikëpyetje”, shprehet Vekariq.
Nga vlerësimet e ekspertëve të Serbisë, nuk është larg as mendimi i analistit britanik.
James Ker-Lindsay, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare në London School of Economics, thotë për Radion Evropa e Lirë, se sa do që të mund të ketë sjellë frustrim në Serbi, vendimi i Tribunalit për gjeneralët kroatë, nuk beson se Serbia mund të arrijë diçka me debatin në OKB.
“Mendoj se debati në OKB mbi gjykimin e gjeneralëve kroatë, si dhe hapja e çështjes së tribunaleve ad hoc ndërkombëtare të OKB, mund ta çojë Serbinë në një konfrontim me vendet kryesore të BE-së”.
“Problemi tjetër është se dihet struktura e AP të OKB-së dhe në këtë kuptim, që më parë dihet se nga cilat shtete do të marrë Serbia mbështetje. Thënë realisht, këto nuk janë vende, nga debati i të cilave, Serbia do të ndjehej si fitimtare”, shprehet Linsay.
Ai thotë se vendet që do të mund ta mbështesin Serbinë, do të jenë ato, që marrin zakonisht kritika për shkeljen e të drejtave të njeriut në vendin e tyre.
“Mes tyre mund të themi se gjendet Irani. Atëherë shtrohet pyetja, çfarë dobie merr Serbia nga kjo. Prandaj mendoj se është argument mjaft i fuqishëm ai, se debati në OKB nuk është në interesin e Serbisë, e cila po synon anëtarësimin në BE”, thotë James Ker-Lindsay.(a.i.)