Një shqiptar 24-vjeçar është qëlluar për vdekje nga një polic Italian. Ngjarja ka ndodhur në Teramo, kur i riu Marjan Kerimi është kapur së bashku me tre bashkatdhetarë të tjerë brenda një makine të vjedhur mbrëmjen e djeshme.
Mediet italiane deklarojnë se polici me të nuhatur makinën e vjedhur, pas denoncimit që ishte bërë për vjedhjen e saj ka nisur ndjekjen e të rinjve shqiptarë. Duket se ata nuk i janë përgjigjur thirrjes së policit për të ndaluar dhe aty ka nisur ndjekja. Të rinjtë kanë hyrë më pas në një rrugë pa dalje, kanë braktisur mjetin dhe kanë tentuar të arratisen në këmbë. Pikërisht në atë moment polici ka shtënë 4 herë me pistoletën e shërbimit, duke lënë të vdekur 24-vjeçarin shqiptar. Sipas policisë italiane edhe shqiptari ka drejtuar armën ndaj policëve italianë.
Ai nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra edhe pasi është dërguar në spital. Mësohet gjithashtu se 24-vjeçari njihej si person me precedentë penalë. Prokuroria e Firences kishte lëshuar një urdhër-arresti më 11 korrik, për trafik droge.
Gjyqtari i çështjes ka urdhëruar kryerjen e një autopsie për viktimën, ndërsa policia në mjetin e vjedhur CLS Mercedes gjeti edhe mjete të tjera të vjedhura, si portofole, çanta, një laptop dhe materiale të ndryshme./koha/kohaislame