Hüseyin Aydın ka deklaruar se bankat e botës arabe ndjekin nga afër tregun turk
BEJRUT (AA) – Kryetari i Unionit të Bankave të Turqisë dhe njëkohësisht drejtori i Përgjithshëm i Ziraat Bank, Hüseyin Aydın ka deklaruar se bankat e botës arabe ndjekin nga afër tregun turk, raporton Anadolu Agency (AA).
Aydın, i cili gjendet në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, ku ka marrë pjesë në mbledhjen e Unionit të Bankave të Vendeve Arabe me temë “Lobimi për marrëdhëniet ndërkombëtare mes bankave”, ka theksuar se krahas temave të tjera në këto takime janë trajtuar edhe tema që kanë të bëjnë me tregun turk.
Duke theksuar se gjatë vizitës së tij në Bejrut është takuar me drejtues të lartë të bankave të vendeve arabe, Aydın më pas ka thënë se sektori bankar i jep rëndësi marrëdhënieve rajonale dhe globale.
“Drejtuesit e bankave që kemi takuar u shprehën se janë të interesuar nga afër për Turqinë, ekonominë e së cilës në planin afatgjatë e shikojnë me potencial të lartë zhvillimi, si dhe të përshtatshme për investime”, tha Aydın.
Ai shtoi se interesi i bankave nga vendet arabe nuk është i limituar vetëm me sektorin financiar. “Jemi duke parë që po vlerësohen të gjitha mundësitë e bashkëpunimit. Ajo që është më e rëndësishme është mundësia e kthimit të bashkëpunimit të sektorit financiar në tregti”, ka shtuar Aydın në përfundim të fjalës së tij.