Drejtoria e Arsimit e Komunës së Malishevës ka marrë vendim që mësimdhënësja e matematikës, Fatmire Bujupi, të transferohet nga shkolla fillore “Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës në shkollën e mesme profesionale ekonomike-juridike “Lasgush Poradeci” në Kijevë.
Vendimi është marrë pasi, për një javë rresht nxënësit e shkollës së Drenocit e kanë bojkotuar mësimin me arsyetimin se mësimdhënësja bart shami gjatë orëve mësimore. Këtë shqetësim e kishin shfaqur edhe prindërit, shkruan sot Koha Ditore.
Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, i kontaktuar të hënën, ka thënë se mësimi është duke u mbajtur normalisht dhe nuk ka bojkot të procesit mësimor.
“Me kërkesën e palëve dhe me pajtimin e tyre, kemi bërë zgjidhje, ku është bërë një transferim i brendshëm, nga shkolla në shkollë. Bojkotimi i mësimit ka zgjatur pesë ditë dhe ditët e humbura do të zëvendësohen ditëve të shtuna”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.