2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Dokumentari i 15 korrikut, së shpejti në ekranet e TRT-së

Më të lexuarat

Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shtetëror të Turqisë (TRT), Şenol Göka, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka folur për ngjarjet e natës së 15 korrikut, gjegjësisht tentativës për grusht shteti në Turqi kur puçistët kishin uzurpuar hapësirat e TRT-së. Ai gjithashtu bëri të ditur se kanë zhvilluar takime për krijimin e një ombrelle të përbashkët dhe mirëkuptimi me institucionet private dhe publike në Ballkan.

“Po takohemi me intitucionet mediatike me të cilat kemi marrëdhënie të tilla në mënyrë që të përçohet dhe të dihen në mënyrë të drejtë ngjarjet që ndodhën më 15 korrik”, tha ai.

Göka, i cili qëndroi për vizitë në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, për t’u takuar me përfaqësuesit e mediave nga shtetet e Ballkanit dhe për të diskutuar në lidhje me tentativën për grusht shteti më 15 korrik dhe në lidhje me bashkëpunimin midis institucioneve mediatike, dha një intervistë për gazetarin e Anadolu Agency (AA).

Göka tha se prej një kohe të gjatë kanë zhvilluar takime për krijimin e një ombrelle të përbashkët dhe mirëkuptimi me institucionet private dhe publike në Ballkan, për të shtuar më tej se përpiqen që në raste të ndryshme të takohen me përfaqësuesit e mediave të këtushme.

Siç tha ai, njërin prej këtyre takimeve e zhvilluan në Maqedoni. “Po kërkojmë rrugë për të bashkëvepruar dhe për të siguruar një koordinim. Në lidhje me ngjarjet që ndodhën natën e 15 korrikut dhe disa zhvillime që rezultuan në saj të demokracisë, si dhe në mënyrë që të përçohen dhe të dihen në mënyrë të drejtë ngjarjet, po realizojmë takime me institucionet mediatike me të cilat kemi marrëdhënie të tilla”, tha Göka në lidhje me qëllimin e vizitës në Shkup.

Duke treguar se në Turqi janë takuar edhe me përfaqësues të mediave të huaja, Göka u shpreh se u kanë ofruar informacione të hollësishme atyre që kishin ardhur të mësonin në mënyrë të sinqertë në lidhje me ndodhitë e 15 korrikut, ndërkohë që ua kanë shprehur reagimet e tyre atyre që kishin ardhur për qëllime manipulative.

“Më duhet të theksoj se ka prej atyre që me qëllime të sinqerta kanë ardhur te ne në Turqi në mënyrë që të mësojnë në lidhje me atë që ndodhi, ndorkohë që ka edhe prej atyre që kanë ardhur për të krijuar një opinion ndryshe dhe për t’i përçuar ndodhitë në mënyrë tjetër, gjë që kuptohet që nga pyetjet e para të tyre”, u shpreh Göka, duke thënë se ka pasur raste kur janë ballafaquar me pyetje të papritshme që kanë qenë edhe tregues i qëllimeve të tyre të ndryshme.

“Ne u kemi thënë atyre se para së gjithash, TRT është anëtare e Unionit Evropian të Transmetimit (EBU) dhe Unionit të Transmetimit të Azisë dhe Paqësorit (EBU), prandaj, fillimisht na ngushëlloni, ndërsa ne nuk presim mbështetje të veçantë prej jush, edhe pse jemi anëtarë të së njëjtës platformë. Kemi hequr dorë nga kjo, sepse e dime që ju nuk do ta bëni këtë. Megjithatë, ne u themi që të paktën të vini dhe t’ia shprehni solidarizimin një anëtari tuaj i cili pësoi puç dhe u godit në aspektin profesional dhe të cilit u përpoqën t’ia ndalin transmetimin”, tha Göka për mënyrën se si i kanë shprehur reagimet e tyre.

Ai shtoi se në Asamblenë që do të mbahet në Indonezi më 16-22 tetor, edhe TRT-ja do të përpiqet që ngjarjet e 15 korrikut t’i përçojë përmes fotografive dhe pamjeve, njëlloj sikurse libri i përgatitur nga Anadolu Agency (AA) në lidhje me tentativën për grusht shteti.

Vetëm duke u nisur nga fakti se ndajnë të njëjtin profesion dhe pa shkuar pikëmajet rreth botës apo ato politike, Göka tha se gjithnjë kanë reaguar ndaj çfarëdo sulmi ndaj cilit do institucioni mediatik pa patur nevojë për miratimin e askujt. Ndërkaq, mediave që heshtën ndaj ngjarjeve të 15 korrikut, ai tha se kanë reaguar në formën: “Edhe pse kanë kaluar ditë e muaj, ju nuk keni shfaqur asnjë reagim apo nuk keni bërë asnjë deklaratë mbështetjeje, por përkundrazi, ju vini muaj më vonë dhe pyesni gjëra totalisht të ndryshme”.

Duke potencuar se një nga qëllimet kryesore të puçistëve të asaj nate ishte TRT-ja, Göka tha se “Ashtu sikurse kuvendi, edhe ajo ishte një nga pikat që kishte kuptim të madh kur u okupua dhe prej aty u lexua komunikata. Fakti që okupuan TRT-në kishte një efekt të rëndësishëm, si nga pikëpamja e tyre, ashtu edhe nga pikëpamja e të gjithë qytetarëve tanë dhe atyre që ndjekin Turqinë nga jashtë”.

Göka rikujtoi se fillimisht rreth orës 10:00 kishin filluar t’i vinin pamje në telefonin e tij dhe se fillimisht nuk e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte. Ai tha se madje i kishin ardhur lajme se bëhet fjalë për sulm nga DAESH.

Ai tha se me kalimin e orëve kishin filluar të përhapen postime dhe lajme në lidhje me “puçin”. Më tej, Göka vazhdoi t’i rrëfejë ngjarjet e natës së 15 korrikut.

“Transmetimin e drejtpërdrejtë e mbaruam në orën 22:30. Menduam që nëse bëhet fjalë për grusht shteti, atëherë ata me siguri që do të vinin këtu, dhe kështu vendosëm të shkonim në drejtorinë e përgjithshme. Pak kohë pasi shkuam, kishin ardhur ushtarë apo, thënë drejt, shumë terroristë të veshur me uniformë ushtarësh. Pas kësaj, qëllimi ynë ishte të mos lejonim të bëhej transmetim. Pra, po lexohej komunikatë për grusht shteti në kuptimin konvencional, dhe ne u munduam të mos e lejonim këtë gjë. Çuditërisht, çdo vend ishte i paqasshëm. Domethënë, nuk kishte qasje në asnjë vend as në Stamboll, as në Ankara. Qendra satelitore po ashtu ishte e paqasshme, ndërkohë që komanda kryesore ishte marrë nën kontroll. Edhe pse u përpoqën të bënim ç’mos, komunikata e grusht shtetit u lexua. Fillimisht, u mërzita shumë nga fakti që nuk mundëm ta pengojmë transmetimin. Megjithatë, në çdo të keqë ka një të mirë. Pas leximit të komunikatës, ndryshoi ngjyra e çdo gjëje. Qytetarët e kuptuan se diçka po ndodhte, por nuk e dinin se ku të shkonin dhe çfarë të bënin. Pas komunikatës, secili filloi të dalë jashtë dhe erdhën edhe para TRT-së. Gjithashtu, edhe pas ftesës motivuese të presidentit të shtetit, qytetarët tanimë kuptuan se njëri nga vendet ku duhet shkuar është TRT-ja”, tha ai.

Vendet e tjera të Turqisë nuk kishin patur dijeni se çfarë po ndodhte, tregoi më tej Göka, duke thënë se po ashtu ishin përpjekur që nga transmetimet përmes telefonave celularë dhe kanaleve të tjera të mësojnë rreth zhvillimeve dhe të jenë në kontakt me ta.

Göka potencoi se kishin bërë çdo gjë të mundur dhe ishin përpjekur që ta kthenin vendin e tyre. “Afërsisht brenda një apo dy orëve kur ishim më superior, hymë nga hyrja kryesore e TRT-së. Nga këto dy orë, në gjysmë orën e fundit ne kishim avantazh psikologjik, sepse ushtarët tanimë dalëngadalë kishin filluar ta kuptonin se nuk do të kishin sukses, dhe në këtë mënyrë entuziazmi ynë u rrit edhe më shumë. Duke qenë kështu, në vendin i cili kishte qenë dëshmitar i disa puçeve për herë të parë u rikthye demokracia, si dhe u rimor TRT-ja, e cila u shndërrua në simbol të puçeve”, tha ai.

– Dokumentari i 15 korrikut, së shpejti në ekranet e TRT-së

Në vazhdim në intervistën për AA, Göka bëri të ditur se nën çatinë e TRT-së po përgatitet filmi dokumentar në lidhje me tentativën për grusht shteti më 15 korrik. “Po përgatitet një dokumentar i hollësishëm së bashku me të gjithë aktorët, me në krye qytetarët tanë. Në mënyrë që ky dokumentar të përgatitet në mënyrën më të hollësishme, jemi duke mbledhur dokumente. Po mbledhim çdo gjë që ka të bëjë me ngjarjen, qofshin xhirime në telefonat celularë të qytetarëve ose xhirime përmes kamerave, apo edhe fakte dhe tregime të ndryshme”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i TRT-së.

Sipas Gökas, filmi dokumentar do të përbëhet nga disa pjesë dhe së shpejti do të shfaqet në ekranet e TRT-së.

– “Media shfaqi një qëndrim që mund të jetë shembull për gjithë botën”

Tentativa për grusht shteti, sipas Gökas, ka pasur një rëndësi të veçantë edhe nga aspketi se ajo ishte një provë e madhe për median. “Media kaloi një provë të mirë nga aspekti që i doli zot demokracisë dhe të gjitha intitucioneve ku zbatohet demokracia dhe shfaqi një qëndrim që mund të jetë shembull për gjithë botën”, vuri në pah Göka.

Siç tha ai, pas leximit të komunikatës në TRT, e cila ishte një nga shpresat më të mëdha të puçistëve, ka patur edhe prej atyre që ishin gëzuar apo në njëfarë mënyre e kishin vlerësuar pozitivisht grusht shtetin, si dhe prej atyre që në njëfarë mënyre ishin tërhequr nëpër shtëpitë e tyre. Megjithatë, siç thekson ai, “Të gjitha mediat kishin vepruar bashkarisht sikur të ishin marrë vesh mes vete, dhe kjo gjë me të vërtetë meriton çdo vlerësim.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit