Raportohet se fluturimet ushtarake lidhen me një ceremoni të mundshme nënshkrimi që mund të zhvillohet në ditët në vijim, nëse përpjekjet e vazhdueshme për finalizimin e marrëveshjes rezultojnë me sukses
Katër avionë transportues C-17 të Forcave Ajrore të SHBA-së u nisën drejt Evropës, duke transportuar pajisje për një udhëtim të mundshëm të zv/presidentit JD Vance në Gjenevë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit, transmeton Anadolu.
Duke cituar burime të njohura me përgatitjet, media online Axios tha se fluturimet ushtarake lidhen me një ceremoni të mundshme nënshkrimi që mund të zhvillohet në ditët në vijim, nëse përpjekjet e vazhdueshme për finalizimin e marrëveshjes rezultojnë me sukses.
Përgatitjet e raportuara erdhën pasi presidenti Donald Trump dje deklaroi se Washingtoni dhe Teherani kishin arritur një “zgjidhje të shkëlqyer” dhe se një marrëveshje mund të nënshkruhet që këtë fundjavë. Sipas Axios, memorandumi i propozuar i mirëkuptimit do të zgjasë armëpushimin aktual për 60 ditë, duke hapur njëkohësisht negociata për një marrëveshje më të gjerë që mbulon programin bërthamor të Iranit.
Drafti i marrëveshjes parashikon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit pa tarifa tranziti dhe synon rikthimin e vëllimit të transportit detar në nivelet para luftës brenda 30 ditëve.
Në këmbim, Irani do të angazhohet të mos zhvillojë armë bërthamore dhe të trajtojë shqetësimet lidhur me rezervat e uraniumit të pasuruar. Sipas raportit, çdo hap konkret lidhur me programin bërthamor të Teheranit do të ishte subjekt i një marrëveshjeje të veçantë dhe më të detajuar.
Axios gjithashtu tha se marrëveshja do t’i siguronte Iranit lehtësim gradual të sanksioneve, të lidhur me përmbushjen e detyrimeve të Teheranit, përfshirë përjashtime të përkohshme që do të lejonin eksportet e naftës.
Raporti tha se marrëveshja paraprake u arrit të mërkurën në mbrëmje pas bisedimeve mes ndërmjetësit nga Katari, Ali Al-Thaëadi dhe ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, me të dërguarit e presidentit Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të përfshirë në negociata.
Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit ka deklaruar se Teherani ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi marrëveshjen e propozuar ndërsa Axios raportoi se marrëveshja është ende në pritje të miratimit përfundimtar nga udhëheqja më e lartë e Iranit.
Nëse nënshkruhet, marrëveshja pritet të njihet si “Marrëveshja e Islamabadit”, duke pasqyruar përpjekjet ndërmjetësuese të Katarit dhe Pakistanit.
Dje, Trump gjithashtu vlerësoi Turqinë për ndihmën në arritjen e marrëveshjes së pritshme, duke theksuar se kishte biseduar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe duke e cilësuar atë si “të shkëlqyer” për ndihmën e tij drejt arritjes së një marrëveshjeje.
