3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Konkurrencë për naftën e Arktikut

Më të lexuarat

Ambjentalistët paralajmërojnë se shpimet në këtë mjedis delikat mund të shkaktojnë katastrofa.

Kohët e fundit gjiganti i naftës Shell pezulloi përkohësisht aktivitetin e shpim-kërkimit në zonën e Arktikut, si rezultat i shqetësimeve për sigurinë. Ndërkaq ligjvënësit britanikë po u bëjnë thirrje qeverive të ndryshme të bashkohen për një moratorium kundër shpimeve në det në këtë rajon delikat. Ekziston shqetësimi se një rrjedhje gjatë operacioneve të nxjerrjes së naftës mund të shkaktonte një katastrofë ambjentaliste:

Këto pamje janë xhiruar në mes të dimrit në Arktik. Cisterna ruse Renda lundron drejt portit Nome në Alaskë. Jo shumë vite më parë ky udhëtim do të ishte i pamundur në këtë periudhë të vitit. Por ngrohja e klimës e ka holluar akullin dhe tani është shtuar numri i anijeve që lundrojnë këndej gjatë gjithë vitit. Shumë prej këtyre mjeteve janë këtu për shpim-kërkim nafte.

Agjencia Amerikane për Kërkime Gjeologjike përllogarit se nën pjesën amerikane të Arktikut gjenden rreth 26 milionë fuçi nafte. Gjigandë të naftës, përfshirë kompaninë shtetëtore ruse Rosneft dhe firmën holandeze Shell, kanë shpenzuar deri tani miliarda dollarë në kërkimet për burime hidrokarburesh.

Por Glada Lahn e Institutit studimor Chatam House thotë se ndryshimet klimatike nuk sjellin vetëm mundësi, por edhe probleme të reja:

“Me ngrohjen e temperaturave në Arktik shtohen rastet e shkëputjes së masave të akullta, shpejtohet lëvizja e tyre në det, pra ka probleme me ajsbergët gjatë operacioneve. Po ashtu ashpërsohen stuhitë dhe ndërkohë që zbulohet vija bregdetare pas shkrirjes së akullit, shtohen gjasat e dallgëve të fuqishme që sjellin erozion në zonat e bregut si dhe dëmtojnë infrastrukturën”.

Kohët e fundit kompania Shell pezulloi kërkimet në Arktik si rezultat i një problemi teknik me pajisjet e sigurisë. Siguria do të jetë çelësi i suksesit të operacioneve në Arktik thotë analistja Glada Lahn:

“Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada nuk ka qenë aq e lehtë. Aksidenti i kompanisë BP në Gjirin e Meksikës dhe fundosja e anijes Exxon Valdez janë ende të freskëta në kujtesën e njerëzve, prandaj ka një vëmendje më të madhe publike ndaj operacioneve të kompanive të naftës”.

Zëri i Amerikës i kërkoi komente kompanisë Shell, por kompania nuk ofroi njeri për të folur mbi këtë temë.

Pasi problemet politike fillimisht e penguan arritjen e marrëveshjes, duket se Rosneft dhe BP janë pranë finalizimit të planeve për një projekt të përbashkët për shpime në Arktik.

Por jo të gjithë gjigandët e naftës janë të interesuar. Shefi Ekzekutiv i firmës franceze Total tha kohët e fundit se “një rrjedhje nafte do ta dëmtonte së tepërmi imazhin e kompanisë”.

Në gusht aktivistët e grupit ambjentalist Greenpeace bllokuan një anije ruse që punonte për platformën e shpimeve Prirazlomnaya të kompanisë Gazprom në Detin Barenc. Drejtori ekzekutiv i organizatës Kumi Naidoo:

“Ishte një përpjekje paqësore e organizatës Greenpeace për të sjellë një ndjesi urgjence mbi këtë temë. Për të detyruar Gazpromin, Shellin dhe kompanitë e tjera të mendojnë se çfarë shkakton shpimi në Arktik, për të reflektuar mbi pasojat e këtyre veprimeve që do të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve dhe nipave tanë”.

Shkencëtarët paralajmërojnë se një rrjedhje e madhe nafte në Arktik do të ishte e pamundur të pastrohej për dekada pasi do të kthehej në një përzierje të ngrirë uji dhe nafte.

Megjithatë, kompani si Shelli thonë se është e nevojshme që kërkimet të shtrihen në zona të reja si Arktiku, por aktivistët e mjedisit këmbëngulin se aktivitete të tilla në një mjedis kaq delikat janë tepër të rrezikshme./voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit