Gazeta Shqiptare zbardh sot të tjera detaje mbi vrasjen e ndodhur dje në Elbasan, ku një 40-vjecar, i cili akuzohej për ekzekutimin e një biznesmeni të njohur në 2005, u vra dje në banesën e tij, në shtratin ku dergjej i paralizuar prej më shumë se dy vitesh.
Gazeta Shqiptare e quan këtë rikthimin e vrasjeve mafioze në këtë qytet, ndërsa sqaron se viktima Gentian Beqiri u qëllua për vdekje me pistoletë ‘silenciator’ teksa po flinte gjumë. Ai akuzohet në se vitin 2005 ka vrarë biznesmenin Sokol Çapja.
Sipas Gazetës Shqiptare, shteti ka shpenzuar rreth 150 milion lekë për ruajtjen e Gentian Beqirit, por me sa duket ekzekutorët kanë arritur të gjejnë skemën perfekte për të kryer krimin, transmeton Bw.
Ata janë paraqitur para policëve roje si miqtë e viktimës, duke thënë se do shkonin t’i bënin atij një vizitë. Policët kanë shpjeguar se viktima mund të ishte në gjumë së bashku me të atin, ndërsa e ëma kishte dalë për të bërë pazaret, por ekzekutorët kanë ngulur këmbë se nuk kishin mundësi të ktheheshin në një orar tjetër, dhe se do tentonin të trokisnin në derë.
Ata i kanë thënë policëve se nëse dikush nuk ua hapte derën do të largoheshin. Pasi kanë mundur të kalojnë policët, vrasësve nuk iu është dashur më shumë se 10 minuta, për të kryer krimin.
Si u ekzekutua biznesmeni Sokol Çapja në vitin 2005
Gentian Beqiri, i cili kohët e fundit kishte ndërruar identitetin dhe njihej me emrin Ardian Meta, është arrestuar pak muaj pas vrasjes së biznesmenit elbasanas, Sokol Çapja. Sipas prokurorisë së Elbasanit, në bazë të sigurimit të provave shkencore dhe analizës së ADN-së, dyshohej që Beqiri të ishte një nga autorët e vrasjes së Çapjas. Prokurori Elvin Gokaj kishte kërkuar dënimin me 25 vjet burg të Gentian Beqirit, por Gjykata kërkoi dy herë rigjykim të tij, dhe dy vite e gjysmë më parë vendosi për të masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Ngjarja për të cilën akuzohej 40-vjeçari ka ndodhur 7 vite më parë. Biznesmeni 33-vjeçar, Sokol Çapja u ekzekutua mbrëmjen e 26 dhjetorit të vitit 2005, nga të paktën tre persona të armatosur dhe me maska në lokal. Atentatorët qëlluan në drejtim të tij disa herë me pistoleta dhe me automatik “Skorpion”. Pas ngjarjes policia deklaroi se autorë të atentatit ishin Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Gentian Beqiri (Meta).
Pas kësaj vrasjeje, në kohë të ndryshme ndodhën një varg ngjarjesh misterioze. Oficeri i policisë rrugore, Fadil Mema, u plagos me armë në këmbë në një atentat të ngritur nga dy persona, në afërsi të shtëpisë së tij. Ndërsa familja Çapja sipas policisë kishte akuzuar Memën si organizator të atentatit.
Të dy familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Pas plagosjes, policia ndaloi një nga nipat e Sokol Çapjas dhe një person tjetër. Por, Prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Pas pak kohësh u ekzekutua në autoshkollën e Fadil Memës kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Një nga të akuzuarit, Gentian Beqiri (Meta) u kap nga policia, ndërsa tentoi të arratisej për në Greqi. Gjatë operacionit, ai u plagos në njërën këmbë. Pas kapjes së Gentian Metës, u vra në rrethana misterioze në Tiranë, Dritan Sheme.