Përveç nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, sigurojnë miliarda nga tregtimi dhe spekulimi me naftën e prodhuar nga të tjerët
Kompanitë më të mëdha të naftës kanë përfituar ndjeshëm nga kriza e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, e cila kufizoi furnizimin global me naftë dhe gaz natyror, duke rritur çmimet në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, një pjesë e madhe e fitimeve nuk vjen nga prodhimi i naftës, por nga aktiviteti i tregtimit, një sektor pak i njohur për publikun, por jashtëzakonisht fitimprurës.
Gjigantët e industrisë nuk tregtojnë vetëm naftën që nxjerrin vetë. Ata blejnë dhe shesin edhe naftën e prodhuesve të tjerë, duke vepruar si ndërmjetës mes kompanive nxjerrëse dhe rafinerive ose konsumatorëve industrialë.
Fitimi realizohet nga diferencat e çmimeve në tregje të ndryshme ose në periudha të ndryshme kohore. Një nga strategjitë më të zakonshme është blerja e naftës në rajone ku çmimi është më i ulët dhe shitja e saj në tregje ku kërkesa dhe çmimi janë më të larta.
Kompanitë përdorin flotat e tyre të cisternave dhe rrjetet e tubacioneve për të transportuar naftën, duke përfituar nga luhatjet e tregut. Një tjetër mënyrë është magazinimi i naftës kur çmimet janë të ulëta dhe shitja e saj kur ato rriten.
Përveç tregtisë fizike, kompanitë realizojnë fitime edhe përmes instrumenteve financiare, si kontratat futures, që u lejojnë të spekulojnë mbi çmimet e ardhshme të naftës. Sipas The Economist, tre kompanitë më të mëdha europiane – BP, Shell dhe TotalEnergies – tregtojnë çdo ditë 40-50 milionë fuçi naftë, rreth 5 herë më shumë sesa prodhojnë vetë.
Vlerësohet se fitimet nga ky aktivitet mund të trefishohen gjatë këtij viti dhe të përbëjnë rreth një të pestën e fitimeve të tyre totale. Gjatë krizës së fundit, këto kompani deklaruan se pikërisht aktiviteti i tregtimit i ndihmoi të ruanin fitimet, pavarësisht tensioneve në treg.
Për shembull, TotalEnergies bleu sasi të mëdha nafte nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani, të cilat arritën pjesërisht të shmangnin bllokimin e Ngushticës së Hormuzit. Nafta u ble në fillim të marsit dhe u shit dy muaj më vonë, kur çmimet ishin rritur ndjeshëm, duke sjellë fitime shumë të mëdha.
Kompani të tjera përfituan në mënyrë të ngjashme nga tregtimi i gazit natyror të lëngshëm. Një situatë e ngjashme u pa edhe gjatë krizës energjetike të viteve 2022-2023, pas pushtimit rus të Ukrainës.
Atëherë, kompanitë blenë gaz natyror gjatë verës, kur çmimet ishin më të ulëta, e magazinuan dhe e shitën në dimër, kur kërkesa arriti kulmin, duke realizuar qindra milionë euro fitime.
Megjithëse ky aktivitet ka marrë një rëndësi të madhe, ai mbetet shumë pak transparent. Kompanitë publikojnë vetëm fitimet e përgjithshme, pa treguar sa vjen konkretisht nga tregtimi. Për këtë arsye, analistët shpesh përpiqen t’i rindërtojnë shifrat vetëm nga të dhënat financiare të disponueshme.
Rritja e tregtisë lidhet edhe me përpjekjet e kompanive për të diversifikuar aktivitetin në një kohë kur industria e naftës përballet me kritika të forta për ndikimin në mjedis. Investimi në tregjet financiare të energjisë, është parë si më pak i diskutueshëm sesa zgjerimi i nxjerrjes së naftës.
Departamentet e tregtisë punësojnë vetëm disa mijëra specialistë, shumë më pak se numri total i punonjësve të kompanive, por ata konsiderohen ndër njerëzit më të rëndësishëm të industrisë. Shumica kanë profil të ngjashëm me bankierët e investimeve dhe marrin shpërblime shumë të larta.
Në një proces gjyqësor u zbulua se një tregtare e BP-së kishte përfituar një bonus prej 5.5 milionë dollarësh, 3 herë më shumë se paga vjetore e drejtorit ekzekutiv të kompanisë në atë kohë.
Fitimet janë të larta edhe sepse tregtimi u lejon kompanive të zhvendosin fitimet në vende me taksa më të ulëta, duke shfrytëzuar struktura financiare ndërkombëtare.
Përveç kompanive tradicionale të naftës, ekzistojnë edhe gjigantë të specializuar vetëm në tregtim, si Vitol dhe Trafigura, të cilët luajnë një rol kyç në tregtinë globale të naftës dhe shpesh ndërmjetësojnë marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare. \tesheshi.com\
