Një studim i kryer në SHBA ka zbuluar se përdorimi i ilaçeve si “Ozempic”, të zhvilluara për trajtimin e diabetit të tipit 2 ose problemeve shëndetësore që lidhen me mbipeshën, ka sjellë ulje të ndjeshme të shpenzimeve për ushqime, si në supermarkete ashtu edhe në restorante.
Ilaçe si “Ozempic”, “Mounjaro” dhe “Wegovy”, të njohura edhe si barna të grupit GLP-1, janë zhvilluar për trajtimin e diabetit të tipit 2 ose sëmundjeve që lidhen me mbipeshën. Sot ato përshkruhen gjerësisht edhe për humbje peshe.
Dihet se ilaçet me përbërës aktiv semaglutid imitojnë efektet e hormonit të njohur si GLP-1 në trup. Në këtë mënyrë, ato rrisin çlirimin e insulinës nga pankreasi, ulin prodhimin e glukozës në mëlçi dhe ngadalësojnë zbrazjen e stomakut.
Sipas një studimi të përgatitur nga studiues të Universiteti Cornell dhe të botuar në revistën Journal of Marketing Research, ndikimi i këtyre ilaçeve nuk reflektohet vetëm në peshore, por edhe në shpenzimet për ushqim.
Në familjet amerikane ku përdoren këto lloj ilaçesh, është vërejtur një ulje e konsiderueshme e shpenzimeve për ushqime, si në supermarkete ashtu edhe në restorante.
Rënia më e madhe u pa te ushqimet me shumë kalori dhe të përpunuara
Brenda gjashtë muajve pas fillimit të përdorimit të ilaçeve GLP-1, shpenzimet për blerje në supermarkete në këto familje u ulën mesatarisht me 5.3 për qind. Te familjet me të ardhura të larta, kjo rënie kaloi 8 për qind.
Studimi vuri në dukje se shpenzimet për ushqim në restorantet e ushqimit të shpejtë dhe zinxhirët e kafeneve ranë gjithashtu me rreth 8 për qind. Rënia më e madhe u regjistrua te ushqimet e përpunuara dhe me përmbajtje të lartë kalorike.
U zbulua se shpenzimet për ushqime të kripura të lehta ranë me rreth 10 për qind, ndërsa një rënie në të njëjtin nivel u pa edhe te ëmbëlsirat dhe produktet e brumit.
Në të kundërt, u konstatua rritje e shpenzimeve për kos, fruta të freskëta, bare ushqyese dhe ushqime të lehta me mish.
Njëra nga autoret e studimit, Sylvia Hristakeva nga Fakulteti i Biznesit S.C. Johnson i Universitetit Cornell, deklaroi se shpenzimet në supermarkete kanë rënë dukshëm në familjet amerikane që kanë filluar përdorimin e ilaçeve GLP-1, ndërsa ulja më e madhe është vërejtur te ushqimet me shumë kalori dhe të përpunuara.
Ajo tha se kanë vërejtur rënie edhe në shpenzimet për restorantet e ushqimit të shpejtë dhe zinxhirët e kafeneve, duke theksuar se kjo prirje kryesore e zbuluar në studim vazhdon të mbetet e vlefshme.
Hristakeva nënvizoi se elementi që mund të ndryshojë me kalimin e kohës nuk është aq shumë efekti i ilaçeve, sa profili i përdoruesve. Ajo tha se përdoruesit e parë të përfshirë në studim i përkisnin kryesisht grupit me të ardhura të larta.
“Me rritjen e qasjes, grupi i përdoruesve mund të zgjerohet. Kjo mund të bëjë që ndryshimet në kërkesën për ushqim të përhapen në më shumë familje”, tha ajo.
Efektet zbuten kur ndërpritet përdorimi i ilaçit
Studimi vërejti se te personat që vazhdojnë përdorimin e GLP-1, shpenzimet e ulëta për ushqim vazhdojnë të paktën për një vit, por efekti dobësohet me kalimin e kohës.
Hristakeva tha se te familjet që përdorin këto ilaçe vërehet një rënie e qartë e shpenzimeve për ushqim, por pas ndërprerjes së përdorimit, shpenzimet në përgjithësi kanë prirje të kthehen në nivelet e mëparshme.
Ajo theksoi se gjatë gjashtë muajve pas ndërprerjes së ilaçit, shpenzimet në supermarkete fillojnë të rriten sërish drejt niveleve që kishin para përdorimit të tij.
Sipas saj, nëse ilaçet GLP-1 bëhen më të përhapura, kërkesa për ushqime me shumë kalori dhe shumë të përpunuara mund të ulet edhe më shumë.
Ilaçet GLP-1 mund të transformojnë edhe sektorin ushqimor
Në studim thuhet se përhapja e përdorimit të ilaçeve të grupit GLP-1 mund të sjellë ndryshime afatgjata, veçanërisht në sektorin e produkteve të lehta ushqimore dhe të ushqimit të shpejtë.
Kjo mund t’i detyrojë prodhuesit e ushqimeve, restorantet dhe shitësit me pakicë të rishikojnë larmishmërinë e produkteve, madhësinë e porcioneve dhe strategjitë e marketingut.
Hristakeva theksoi se kompanitë ushqimore mund të shkojnë drejt rregullimit të përbërjes së produkteve, ndryshimit të madhësisë së porcioneve dhe zhvillimit të alternativave të reja ushqimore.
Ilaçet që imitojnë GLP-1
Këto ilaçe përshkruhen veçanërisht për të siguruar kontroll afatgjatë të nivelit të sheqerit në gjak te pacientët me diabet të tipit 2. Përdorimi i tyre zakonisht fillon me dozë të ulët, e cila rritet gradualisht sipas tolerancës së pacientit.
Ndër efektet e ilaçit është edhe ulja e oreksit. Për shkak të ngadalësimit të zbrazjes së stomakut dhe zgjatjes së ndjenjës së ngopjes, te përdoruesit mund të vërehet ulje e marrjes së kalorive. Kjo mund të çojë në humbje peshe te shumë pacientë.
Përdorimi i këtyre ilaçeve është rritur kohët e fundit në nivel global. Përhapja e postimeve për to në rrjetet sociale dhe në platforma të ndryshme digjitale ka rritur kërkesën për to edhe mes personave që nuk vuajnë nga diabeti.
Siguria e përdorimit të këtyre ilaçeve vlerësohet në varësi të qëllimit të përdorimit dhe nëse ato merren nën mbikëqyrje mjekësore.
Të dhënat e marra nga studimet klinike dhe proceset e licencimit të barnave tregojnë se trajtimet që përmbajnë semaglutid janë efektive dhe përgjithësisht të sigurta për pacientët me diabet. Megjithatë, si çdo ilaç tjetër, edhe këto mund të shkaktojnë efekte anësore.
Efektet anësore më të zakonshme lidhen me sistemin tretës. Të përzierat, vjellja, diarrea dhe kapsllëku mund të shfaqen më shpesh sidomos në fillim të trajtimit. Shumica e këtyre efekteve mund të pakësohen me kalimin e kohës, përmes rritjes graduale të dozës.
Ekzistojnë edhe efekte anësore më të rralla, por që mund të kenë pasoja më serioze. Mes tyre përfshihen inflamacioni i pankreasit (pankreatiti), sëmundjet e fshikëzës së tëmthit dhe përkeqësimi i funksionit të veshkave.
Po ashtu, për shkak se në eksperimentet me kafshë janë vërejtur disa rreziqe që lidhen me gjëndrën tiroide, përdorimi i këtyre ilaçeve mund të kufizohet te personat me disa sëmundje të caktuara të tiroides.
Te disa persona që përjetojnë humbje të shpejtë në peshë janë raportuar edhe ulje e masës muskulore, dobësi e lidhur me këtë gjendje, si dhe shtim i shpejtë në peshë pas ndërprerjes së ilaçit.
Këto pasoja mund të bëhen më të dukshme sidomos kur ilaçi përdoret pa nevojë mjekësore dhe pa u kujdesur për një regjim të përshtatshëm ushqimor.
