Tronditja e besimit te SHBA po i shtyn fuqitë rajonale drejt aleancave të reja
Ahmed Mawlana, Middle East Eye
Disa luftëra lënë pasoja që shkojnë shumë përtej fushëbetejës. Pushtimi i Kuvajtit nga Iraku në vitin 1990 e organizoi rendin arab rreth “ombrellës” së sigurisë amerikane, ndërsa pushtimi amerikan i Irakut në vitin 2003 hapi një epokë konfliktesh sektare që ndikuan mbi rajon për gati dy dekada.
Lufta e fundit amerikano-izraelite kundër Iranit mund të ketë një ndikim të ngjashëm. Përtej rezultateve ushtarake, ajo ka nxjerrë në pah kufijtë e aftësisë së Uashingtonit për të garantuar sigurinë e aleatëve të tij në Gjirin Persik dhe ka shtyrë disa fuqi rajonale të kërkojnë forma të reja bashkëpunimi.
Në këtë kontekst po vërehet një afrim më i madh mes Arabisë Saudite, Turqisë, Egjiptit dhe Pakistanit. Qëndrimet e tyre gjithnjë e më të koordinuara për çështjet rajonale kontrastojnë me lidhjet në rritje që po krijohen mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Indisë, Greqisë, Qipros dhe Etiopisë.
Një nga mësimet kryesore të konfliktit, ishte ekspozimi i dobësive të formulës së sigurisë që ka dominuar Gjirin për dekada. Shtetet e Bashkuara kanë investuar miliarda dollarë në baza ushtarake, sisteme paralajmërimi dhe mbrojtje raketore, duke u paraqitur si garantuesi kryesor i sigurisë rajonale.
Megjithatë, lufta tregoi se prania ushtarake amerikane nuk i mbron domosdoshmërisht vendet pritëse nga pasojat e konflikteve. Përkundrazi, ajo mund t’i ekspozojë ato ndaj kostove ekonomike dhe të sigurisë.
Për shembull, sulmet iraniane ndaj Katarit goditën përkohësisht një pjesë të konsiderueshme të kapacitetit të eksportit të gazit të lëngshëm të vendit. Kjo nuk do të thotë se shtetet e Gjirit po largohen nga SHBA-ja.
Një shkëputje e tillë mbetet e pamundur në të ardhmen e afërt. Megjithatë, qeveritë e rajonit po kërkojnë mekanizma shtesë sigurie për të mos u mbështetur vetëm te Uashingtoni. Në këtë kuadër, po fiton rëndësi bashkëpunimi mes Riadit, Ankarasë, Kajros dhe Islamabadit.
Arabia Saudite sjell fuqinë financiare, Turqia industrinë e zhvilluar të mbrojtjes, Egjipti peshën ushtarake dhe gjeografike, ndërsa Pakistani kapacitetet politike, ushtarake dhe bërthamore. Këto elemente krijojnë bazën për një koordinim më të ngushtë.
Megjithatë, do të ishte e nxituar të flitej për një aleancë të konsoliduar. Marrëdhëniet mes këtyre vendeve janë shoqëruar nga rivalitetet dhe mosbesimi. Kriza e Katarit në vitin 2017 dhe tensionet mes Egjiptit e Turqisë pas rrëzimit të Mohamed Morsit në vitin 2013, tregojnë se interesat strategjike nuk përputhen gjithmonë.
Në të njëjtën kohë, Izraeli duket se po ndërton një rrjet të ri partneritetesh, të frymëzuar nga doktrina e dikurshme e “periferisë”, përmes së cilës kërkonte aleatë në skajet e botës arabe. Versioni modern i kësaj strategjie shtrihet nga Briri i Afrikës deri në Mesdheun Lindor dhe Oqeanin Indian, duke kombinuar interesa sigurie, teknologjie dhe ekonomie.
Emiratet e Bashkuara Arabe, janë bërë një nga shtyllat kryesore të këtij rrjeti pas Marrëveshjeve të Abrahamit. Edhe India po fiton një rol qendror përmes grupimit I2U2, që përfshin SHBA-në, Izraelin, Emiratet dhe Indinë.
Projekti i Korridorit Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë lidhet drejtpërdrejt me ambicien izraelite për t’u shndërruar në nyje tranziti mes Azisë dhe Evropës. Ndërkohë, Greqia dhe Qiproja përbëjnë krahun perëndimor të këtij rrjeti.
Pas përkeqësimit të marrëdhënieve turko-izraelite në vitin 2010, Izraeli forcoi bashkëpunimin me të dy vendet në energji dhe siguri detare, duke krijuar një kundërpeshë ndaj ndikimit turk në Mesdheun Lindor.
Në jug, Etiopia dhe Somalilandi po fitojnë rëndësi strategjike për shkak të konkurrencës në Detin e Kuq dhe Bririn e Afrikës. Sulmet e Huthi-ve gjatë luftës në Gaza e shtynë Izraelin të fokusohej më shumë në këtë rajon për të mbrojtur rrugët tregtare detare.
Megjithatë, Lindja e Mesme nuk po ndahet në dy blloqe të ngurta. Historia e rajonit tregon se ndërtimi i aleancave të qëndrueshme ka qenë gjithmonë i vështirë. Shtetet shpesh bashkëpunojnë në një fushë dhe konkurrojnë në një tjetër.
Lufta kundër Iranit mund të mos prodhojë aleanca klasike, por po përshpejton një proces të gjerë riorganizimi rajonal. Ndërsa siguria, energjia, rrugët detare dhe zinxhirët e furnizimit bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm, fuqitë e Lindjes së Mesme po kërkojnë modele të reja bashkëpunimi në një epokë ku po zbehen skemat e vjetra të bashkëpunimit. \tesheshi.com\
