Historia e Ebu Hejthem ibën Et-Tejhanit është një nga tregimet madhështore që tregon mirënjohjen për begatitë dhe të drejtën e mikpritjes.
Transmeton Ebu Hurejra se një ditë Pejgamberi ﷺ doli së bashku me Ebu Bekr es-Siddikun dhe Umer ibën Hattabin, pasi i kishte kapluar uria. Ata shkuan te shtëpia e Ebu Hejthem ibën Et-Tejhanit رضي الله عنه.
Kur Ebu Hejthemi erdhi dhe e pa të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe dy shokët e tij, u gëzua jashtëzakonisht shumë dhe i nderoi me mikpritje. Ai solli një tufë hurmash që përmbante hurma të njoma, hurma të pjekura dhe hurma ende të papjekura, pastaj theri një dele për ta. Ata hëngrën dhe pinë ujë të ftohtë.
Pasi u ngopën, Pejgamberi ﷺ tha:
“Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, ju do të pyeteni për këtë begati në Ditën e Kiametit. Ju nxori uria nga shtëpitë tuaja, e pastaj nuk u kthyet derisa e shijuat këtë mirësi.”
Më vonë, kur Pejgamberit ﷺ iu dhurua një shërbëtor, ai ia dha Ebu Hejthemit dhe i tha:
“Sillu mirë me të dhe kujdesu për të.”
Mësime dhe dobi nga kjo ngjarje:
1. Uria mund t’i godasë edhe njerëzit më të zgjedhur, siç ndodhi me Pejgamberin ﷺ dhe shokët e tij.
2. Mikpritja dhe nderimi i mysafirit janë prej virtyteve të mëdha islame.
3. Begatitë duhet të falënderohen, dhe njeriu nuk duhet të mashtrohet nga to apo t’i marrë si të mirëqena.
4. Shërbëtorët dhe punëtorët duhet të trajtohen me mirësi dhe drejtësi.
5. Begatitë për të cilat njeriu do të pyetet në Ditën e Kiametit përfshijnë ushqimin, pijen, banesën dhe çdo të mirë që Allahu i ka dhuruar.
Kjo ngjarje na kujton se edhe një gotë ujë i ftohtë, një kafshatë ushqim apo një strehë e sigurt janë begati të mëdha, për të cilat besimtari duhet ta falënderojë Allahun vazhdimisht.
Ebu Is-hak El-Huvejni
Përktheu: Bekir Halimi
