Krisje reale nga presioni popullor apo një “Kalë Troje” i gatuar në laboratorët e Rilindjes për të përçarë protestën?
Krisja e parë plasi aty ku pritej më pak. Ndërsa sheshi para Kryeministrisë po zien prej 15 ditësh nga një revoltë masive, pushteti mori të dielën një goditje të beftë nga brenda rreshtave të tij. Marjana Koçeku, e njohur në publik si “Neomalsorja”, braktisi grupin parlamentar socialist në çastin më kritik të qeverisë.
Ajo deklaroi se vlerat e saj kanë kufij që partia nuk i shkel dot. Ky akt ka ndezur alarmin e kuq në zyrat e shumicës. Paranoja tashmë po bën kërdhinë. Pyetja që po pëshpëritet me tmerr nëpër korridore nuk është më nëse protesta ka forcë.
Tani të gjithë duan të dinë se kush po qëndron në hije me letrën e dorëheqjes në xhep. Shumë deputetë po presin momentin e duhur për t’u hedhur nga bordi i anijes përpara se uji të vërshojë plotësisht në të.
Skenari i një efekti domino është ankthi më i madh i Edi Ramës. Kur një deputet thyen rreshtin e bindjes së verbër, bie miti i paprekshmërisë së liderit suprem. Dhe Koçeku mund të jetë vetëm e para e një liste të gjatë të pakënaqurish.
Ata po llogarisin mbijetesën e tyre politike përtej kësaj epoke. Presioni i rrugës ka arritur më në fund në palcën e sistemit. Megjithatë, në këtë teatër të ndotur politik, naiviteti kushton shtrenjtë.
Skenari i një diversioni të hollë, të gatuar në laboratorët e Rilindjes, mbetet po aq i gjallë. Në shesh, mes oratorëve që kanë dy javë në rrugë, entuziazmi u shoqërua me një kujtesë të hidhur. Askush nuk e harron vitin 2018.
E njëjta Marjanë u shfaq atëherë si zëri radikal i protestës së studentëve. Më pas i braktisi ata për t’u strehuar në prehrin e ngrohtë të PS-së. Ky precedent ngre hije të frikshme dyshimi.
Shumë kush sheh këtu një “Kalë Troje” të dërguar me një mision të qartë. Qëllimi është përçarja e frymës së pastër të sheshit. Duke infiltruar një figurë oportuniste, Rama mund të jetë duke luajtur lojën e tij të preferuar.
Ai kërkon helmimin e kauzës nga brenda dhe nxitjen e debateve për “pastërtinë morale” të njerëzve që udhëheqin lëvizjen. Kështu vëmendja zhvendoset nga rrethimi i qeverisë te teoritë e konspiracionit.
Nëse ky është skenari i vërtetë, ky largim nuk është krisje por një manovër cinike e kapitenit për të mbytur revoltën nën peshën e mosbesimit kronik. Strategjia është e vjetër: kur nuk e ndal dot valën, përçaje atë.
Por përtej intrigave politike, kjo situatë po nxjerr në dritë një tjetër simptomë të rëndë: shkrehjen totale të makinerisë shtetërore. Vetë zëra kritikë brenda mazhorancës, si Erion Braçe, po ngrenë publikisht zërin për paralizën që ka kapur administratën.
Sipas tij, protesta nuk mund të shërbejë kurrsesi si alibi për të braktisur punët e përditshme të qeverisjes, si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor. Ndërsa vëmendja e kupolës është përqendruar vetëm te mbijetesa e karriges, kryeqyteti po lihet në mëshirë të fatit.
Vetë Braçe denoncon çdo ditë me dëshpërim atë që sheh rrugëve të Tiranës: gropa të mëdha të lëna hapur, kantiere ndërtimi të braktisura rrugëve dhe pirgje me plehra që nuk po mblidhen më.
Kjo plogështi dhe amulli administrative, po ndodh në momentin më të keq të mundshëm, pikërisht tani kur vendi po hyn në kulmin e sezonit turistik. Ky menaxhim skandaloz tregon se administrata ka rënë në gjumë, duke dëshmuar se kur lëkundet kreu, i gjithë sistemi shtetëror pushon së funksionuari.\tesheshi.com\
