Ringjallja e një Suneti të Braktisur: Argumentet e Shejh Albanit për drejtimin e saktë të rreshtave me supe dhe me këmbë

Më të lexuarat

Një sunet i braktisur që duhet ringjallur
Shejh Muhamed Nasiruddin el-Albani (Allahu e mëshiroftë), në librin e tij të çmuar “Silsiletu’l-Ehadithi’s-Sahiha”, pas haditheve me numër (31–32), thotë:
Janë përhapur në mënyrë të gjerë hadithet e sakta nga Profeti ﷺ në lidhje me urdhrin për ngritjen (rregullimin) e rreshtave dhe drejtimin e tyre, aq sa rrallë ndodh që ato t’i fshihen ndonjë nxënësi të dijes, e aq më pak dijetarëve. Mirëpo, mund të mbetet e paqartë për shumë prej tyre se drejtimi i rreshtit (saffit) nënkupton drejtimin e tij edhe me këmbë dhe jo vetëm me shpatulla.
Madje kemi dëgjuar shpesh nga disa imamë të xhamive — kur urdhërojnë për drejtimin e rreshtave — të theksojnë se suneti në këtë çështje është vetëm me shpatulla dhe jo me këmbë. Duke qenë se kjo bie në kundërshtim me atë që është vërtetuar në sunetin autentik, e pashë të domosdoshme të përmend atë që ka ardhur në hadith, si një rikujtim për atë që dëshiron të veprojë sipas sunetit të saktë, pa u mashtruar nga zakonet dhe traditat e përhapura në mesin e umetit.
Prandaj them: në këtë çështje i kemi dy hadithe të vërteta:
I pari: hadithi i Enesit.
I dyti: hadithi i Nu‘man ibn Beshirit (Allahu qoftë i kënaqur me ta).
1- Hadithi i Enesit
(أقيموا صفوفكم وتراصوا فإني أراكم من وراء ظهري)
“Drejtoni safet dhe afrohuni mes jush sepse unë ju shoh nga pas”.
Transmeton Buhariu dhe Ahmedi nga disa rrugë transmetimi përmes Humajd et-Tavil, nga Enes ibn Maliku, i cili tha: “U bë ikameti për namaz dhe i Dërguari i Allahut ﷺ u kthye nga ne me fytyrën e tij dhe tha: (përmendi hadithin).”
Buhariu shton në një transmetim: “para se të bënte tekbirin”, dhe shton gjithashtu në fund:
“Dhe secili prej nesh e bashkonte supen e tij me supen e shokut dhe këmbën e tij me këmbën e tij.”
Ky hadith gjendet gjithashtu tek el-Muhal-lis (1/10/2) dhe Ibën Ebi Shejbe (1/351) me shprehjen:
Enesi tha: “Vërtet kam parë secilin prej nesh duke e bashkuar supen e tij me supen e shokut dhe këmbën e tij me këmbën e tij. Po të përpiqeshe ta bëje këtë sot, njëri prej jush do të largohej sikur të ishte një mushkë e egër.”
Buhariu e ka titulluar këtë hadith me:
“Kapitulli i bashkimit të supes me supen dhe këmbës me këmbën në rresht (saff).”
2- Hadithi i Nu‘man ibn Beshirit
Na rrëfen Ebul-Kasim El-Xhedelij, Husejn ibën el-Harith, i cili thotë: kam dëgjuar Numan ibën Beshirin, i cili thotë:
Pejgamberi, ﷺ, u kthy kah njerëzit me fytyrën e tij dhe u tha:
)أقيموا صفوفكم [ثلاثًا] والله لتقيمن صفوفكم أو ليخالفن الله بين قلوبكم(
“Drejtoni saffet. (e përsëriti tre herë). Pasha Allahun ose do ti drejtoni saffet (rreshtat) ose Allahu do ua përçan zemrat”.
Pastaj tha: “Vërtet kam parë secilin prej nesh duke e bashkuar supen e tij me supen e shokut, këmbën e tij me këmbën e tij dhe zogun e këmbës me zogun e këmbës së shokut të tij”.
E transmeton Ebu Davudi, nr. 662, Ibën Hibani, nr. 396, Ahmedi, 4/276 dhe Dulabiju në El-Kuna, 2/86.
Them: senedi i tij është i saktë (sahih).
Dobitë e nxjerra nga këto dy hadithe
E para:
Drejtimi i rreshtave (saffeve) dhe ngjeshjes në to është detyrë edhe obolgim fetar, për shkak të urdhrit për këtë, dhe parimi i njohur i Usuli Fikhut është se urdhri nënkupton obligim, përveç nëse ekziston një tregues shtesë që e zhvendos atë nga ky kuptim, siç është e përcaktuar në parimet e jurisprudencës islame.
Këtu, në këtë hadith, treguesi vetëm se e përforcon edhe më shumë obligueshmërinë, e kjo shtesë është fjala e tij ﷺ:
“ose Allahu do të përçajë mes zemrave tuaja”, sepse një kërcënim i tillë nuk thuhet për diçka që nuk është detyrim, siç është e qartë për secilin.
E dyta:
Se drejtimi i përmendur realizohet duke bashkuar supen me supen dhe skajin e këmbës me këmbën, sepse kjo është ajo që bënë sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) kur u urdhëruan për drejtimin dhe ngjeshjen e rreshtave.
Për këtë arsye, Hafidhi (Ibn Haxheri) në Feth el-Bari, pasi përmend shtesën e hadithit nga Enesi, thotë:
“Kjo deklaratë tregon qartë se ky veprim ka ndodhur në kohën e Profetit ﷺ, dhe kështu bëhet argument për sqarimin e asaj që nënkuptohet me drejtimin e rreshtit.”
E treta:
Është për të ardhur keq që ky sunet i kësaj forme të drejtimit të rreshtave është neglizhuar nga muslimanët, madje është humbur, përveç një pakice. Nuk e kam parë këtë praktikë tek ndonjë grup tjetër përveç pasuesve të hadithit, të cilët i kam parë në Mekë në vitin 1368 hixhri, të përkushtuar në zbatimin e saj, ashtu sikur edhe në sunetet e tjera.
Ndërsa ndjekësit e katër medhhebeve — madje as hanbelinjtë nuk i përjashtoj — e kanë lënë këtë sunet, deri në atë pikë sa është bërë diçka e harruar. Ata janë pajtuar në mendimin se suneti është që këmbët të ndahen sa katër gishta, dhe nëse tejkalohet kjo, konsiderohet e papëlqyeshme. (el-Fikhu alel-Medhahibil-Erbeati, 1/207). Ky vlerësim nuk ka bazë në sunet, por është thjesht mendim. Edhe sikur të ishte i saktë duhet kufizuar në Imamin dhe atë që falet vet, që të mos kundërshtohen këto hadithe të sakta, siç është e njohur në rregullat e Usulit.
Përfundimi:
U bëj thirrje muslimanëve — veçanërisht imamëve të xhamive — që janë të përkushtuar në ndjekjen e Profetit ﷺ dhe në fitimin e shpërblimit për ringjalljen e sunetit të tij, që ta praktikojnë këtë sunet, të jenë të kujdesshëm ndaj tij dhe t’i thërrasin njerëzit drejt tij, në mënyrë që të bashkohen mbi të dhe të shpëtojnë nga kërcënimi:
“ose Allahu do të përçajë mes zemrave tuaja”
Shtesë nga autori:
Më është transmetuar për një prej thirrësve se ai e nënvlerëson këtë sunet praktik që është zbatuar nga sahabët dhe është miratuar nga Profeti ﷺ, duke sugjeruar se nuk ishte pjesë e mësimit të tij. Mirëpo ai nuk ka vënë re se kjo është kuptuar prej sahabëve dhe është miratuar nga Profeti ﷺ, dhe kjo mjafton për të vërtetuar ligjshmërinë e saj sipas Ehli Sunetit. Pasiqë i pranishmi e sheh atë ëq nuk e sheh ai që ka munguar dhe se ata janë burra të atillë nuk humb asgjë, ai që rrin me ta.
E katërta:
Në hadithin e parë ka një mrekulli të qartë të Profetit ﷺ, që është shikimi i tij pas shpinës. Por duhet ditur se kjo është specifike për gjendjen e tij gjatë namazit, pasi që nuk ka ndonjë hadith specifik i cili tregon se kishte këtë gjendje edhe jashtë namazit. Allahu e di më së miri!
E pesta:
Në këto hadithe ka një argument të qartë për një çështje që shumë njerëz nuk e dinë edhe pse është e njohur në psikologji: se prishja e jashtme ndikon në prishjen e brendshme dhe anasjelltas. Në këtë kuptim ka shumë hadithe të tjera. Grumbullimin edhe sqarimin e tyre do e lëmë për ndonjë rast tjetër.
E gjashta:
Fillimi i imamit me tekbirin në momentin që myezini thotë:
“قد قامت الصلاة”
“Po fillon namazi” është bidat (risi), sepse bie në kundërshtim me sunetin autentik. Këto hadithe, sidomos hadithi i parë, tregojnë se imami ka një detyrë pas ikametit, që është urdhërimi i njerëzve për drejtimin e rreshtave dhe kujtimi i tyre për këtë, sepse ai është përgjegjës për ta:
«كلكم راع وكلكم مسؤول عن رعيته»
“Secili prej jush është kujdestar dhe secili prej jush është përgjegjës për atë që i është besuar.” (Buhariu dhe Muslimi)

Muhamed Nasirudin Albani
Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit