Dikush mund të thotë se ta reduktosh antipatinë perëndimore ndaj Islamit dhe myslimanëve në një burim thelbësisht racist, është një pretendim reduksionist i pasaktë, që lë mënjanë çështjen e të drejtave të njeriut, të demokracinë, të të drejtave të gruas, të lirisë fetare etj., që perëndimorët ngrenë shpesh ndaj Islamit dhe vendeve myslimane.
Mirëpo e vërteta, që me zhvillimet e dekadës së fundit është bërë më dukshme, është se kërkesa për mungesën e këtyre standardeve të sotme perëndimore del se është një ligjërim dytësor, karshi burimit racist të kësaj antipatie. Dhe kjo shihet qartë te gjuha raciste, supremaciste dhe populiste e ekstremit të djathtë që ka gjetur sot terren të gjerë në Perëndim, pikërisht kur vendet e tyre u mbushën nga të ardhurit me ngjyrë dhe fe tjetër. Ndërkohë që gjuha e intelektualëve, politikanëve në pushtet dhe atyre të majtë apo të qendrës kufizohet apo kamuflohet nga këto standarde perëndimore, ajo që shprehet nga populli është më e sinqerta, sepse tregon kulturën dhe bindjen me të cilën janë brumosur këta njerëz, paçka retorikës së sofistikuar për standardet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut që artikulojnë gjithmonë si pretekst.
Mënyra sesi këto elita dhe këta politikanë u sollën me Pranverën Arabe, si ato sillen me Shtetin Kolonialist Sionist, Çështjen Palestineze etj. tregon sesa e brishtë, hipokrite dhe dytësore është fasada e kërkesave për standarde perëndimore, karshi interesave dhe pikëpamjeve më të thella raciste apo supremaciste që ata kanë ndaj “rivalit islamik të përjetshëm” lindor aziatik.
Sigurisht, edhe pse ndoshta nuk është e nevojshme për ata që kuptojnë, na duhet të pohojmë me forcë se ky konstatim është tashmë pjesë e pohimit të guximshëm të studiuesve të ndryshëm perëndimor, që janë çliruar tashmë nga hipokrizia dhe racizmi i trashëguar fetar mesjetar dhe ai kolonialist modern.
Hoxhë Justinian Topulli
