Barbari në Knesset, deputeti mbron vrasjen e fëmijëve palestinezë…

Më të lexuarat

Ligjvënësi i ekstremit të djathtë, Yitzhak Kroizer, deklaron se “s’ka civilë të pafajshëm” në Xhenin dhe bën thirrje për “zgjerim biblik” të kufijve

Ligjvënësi i partisë Otzma Yehudit, Yitzhak Kroizer, ka shkaktuar revoltë pas deklaratave të tij në parlamentin izraelit Knesset se “nuk ka civilë të pafajshëm, dhe as fëmijë të pafajshëm në Xhenin”.

Komentet e tij erdhën si reagim ndaj vrasjes së një familjeje palestineze me dy fëmijë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor në fillim të këtij muaji.

Duke mbrojtur pa asnjë rezervë ushtarët e përfshirë në incident, Kroizer u shpreh: “Unë mbështes ushtarët e IDF-së në çdo situatë. Edhe nëse dëmet anësore përfshijnë fëmijë ose gra, kjo nuk ka rëndësi për mua…”.

Por përtej retorikës kundër civilëve, Kroizer shpalosi një vizion ekstremist për zgjerimin territorial të Izraelit. Gjatë një interviste për “Knesset Channel”, ai bëri thirrje për pushtimin e Libanit jugor deri në lumin Litani dhe “pastrimin e tij nga civilët libanezë”.

I pyetur për kufijtë përfundimtarë të shtetit të Izraelit, ai sugjeroi se ata duhet të shtrihen “deri në lumenjtë Eufrat dhe Tigër”, duke iu referuar konceptit biblik të “Izraelit të Madh”, madje duke propozuar edhe krijimin e vendbanimeve në Siri.

Reagimet ndaj këtyre deklaratave skandaloze ishin të menjëhershme. Deputeti Ayman Odeh, kreu i fraksionit Hadash-Ta’al, paraqiti një ankesë në Komitetin e Etikës.

“Kudo ka njerëz të pafajshëm – si izraelitë ashtu edhe palestinezë. Kudo ka fëmijë që duan të luajnë, të këndojnë dhe thjesht të jetojnë. Kahanizmi dhe fashizmi duhet të hidhen në koshin e plehrave të historisë”- shkroi Odeh, duke kërkuar sanksione të rënda për deputetin ekstremist.

Ky radikalizëm i shpërfaqur hapur në zemër të institucioneve izraelite, krijon një kontrast revoltues me reagimet e diplomacisë perëndimore.

Ndërsa deklaratat e Kroizer që dehumanizojnë fëmijët kalojnë shpesh pa sanksione reale ndërkombëtare, qeveri në Evropë dhe në SHBA kanë shpenzuar jo pak energji për të sulmuar dhe diskredituar Raportuesen Speciale të OKB-së, Francesca Albanese.

Përpjekjet e saj për të denoncuar krimet e panumërta të luftës dhe për të dokumentuar gjenocidin në Gaza, janë pritur me akuza për “antisemitizëm” dhe përpjekje për t’ia mbyllur gojën. Një sjellje e tillë me dy standarte e dëmton besueshmërinë e rendit ligjor ndërkombëtar. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit