1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Pse gjermanët kanë vetëm përfytyrim negativ për Kosovën?

Më të lexuarat

Kur flitet për Kosovën nënvizohen vetëm gjërat negative, por Kosova ka edhe shumë përparësi dhe gjëra pozitive. Ish-deputeti i CDU Pflüger, në bisedë me Deutsche Wellen, shpjegon se cilat janë këto përparësi.

Deutsche Welle: Cili ishte qëllimi i organizimit të Forumit ekonomik Gjermano-Kosovar, të mbajtur më 27 nëntor në Berlin? Mendoni se vërtetë ka ardhur koha që sipërmarrjet gjermane të interesohen më shumë për Kosovën?

Friedbert Pflügel: Republika Federale e Gjermanisë e ka ndihmuar shumë Kosovën gjatë luftës, me pranimin e refugjatëve nga Kosova, por edhe pas shpalljes së pavarësisë, sepse Gjermania ka qenë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Tani 16 vjet pas luftës, Kosova ka shënuar përparime të jashtëzakonshme. Shumë gjëra ende nuk janë në rregull. Por kur e krahason Kosovën e sotme me atë të pasluftës – e unë kam qenë në Kosovë shumë shpesh në atë kohë – në Kosovë është shënuar një përparim mbresëlënës. Tani duhet të zhvillohet ekonomia. Shumë sipërmarrje kosovare të kualifikuara dhe të përgatitura mirë duhet të vendosin kontakte me sipërmarrjet gjermane dhe të zhvillojnë projekte të përbashkëta me qëllim që të hapen vende të reja pune.

Pikërisht papunësia është një prej problemeve më të mëdha të Kosovës së sotme, sepse gati 2/3 e të rinjve janë të papunë. Çfarë duhet të bëjë ekonomia gjermane për punësimin e këtyre të rinjve në Kosovë por edhe në Gjermani, për ata që duan të vinë këtu?

Pas nënshkrimit të MSA duhet të ketë në qasje më të mirë të sipërmarrjeve gjermane, me qëllim që të prodhojnë në Kosovë. Pra që Kosova të përdoret si vend për prodhime, që është shumë e rëndësishme. E dyta, është sistemi dual gjerman i arsimit, i cili bazohet mbi mësimet terorike dhe praktike dhe vlerësohet në mbarë botën. E treta, ne në Gjermani duhet të kuptojmë se Kosova është ndërkohë një vend stabil. Kosova ende ka një imazh të keq dhe njerëzit në Gjermani mendojnë se atje ka luftë dhe trazira. Por në Kosovë kemi një gjeneratë të arsimuar, të përgatitur dhe me shumë ide të mira. Pra ne duhet të prezantojmë një pamje tjetër të Kosovës, nga ajo që ekziston tani.

Megjithatë edhe ju vet nënvizuat në fillim se në Kosovë kanë mbetur edhe shumë gjëra për t’u bërë. Ku i shihni deficitet më të mëdha në Kosovën e sotme?
Të gjithë thonë se në demokraci ka kundërthënie dhe konflikte. Kjo është e vërtetë, por shërbimi ndaj vendit është më i rëndësishëm dhe është shumë i domosdoshëm. Duhet pasur kujdes që vendi të prezantohet sa më mirë. Një temë tjetër e rëndësishme është qeverisja e mirë dhe luftimi i korrupsionit. Tema tre, ku qeveria ka bërë përparime të mëdha është krijimi i një klime të mirë për investime, në mënyrë që Republika e Kosvoës të shndërrohet në një vend atraktiv për investorët e huaj. Dhe e katërta, gjërat që janë arritur në Kosovë, për shembull në Prishtinë apo Prizren ku jetohet mirë, ku kemi restorante shumë të mira, njerëz të vyeshëm dhe të mirë, dyqane dhe një infrastrukturë të mirë – të gjitha këto duhet të prezantohen edhe në Gjermani. Shoqata gjermano-kosovare po përpiqet ta bëjë këtë dhe besoj se jemi në rrugë të mirë.
Mendoni se Kosova sot në Gjermani prezantohet shumë më keq se sa e meriton në fakt?
Absolutisht, besoj se imazhi i Kosovës prezantohet shumë më keq se gjendja reale atje. Mendoj se realiteti është shumë më i mirë nga ajo që prezantohet.
Prezantimi më i mirë i Kosovës do të thotë edhe shtimi i besimit dhe interesimit të investorëve gjermanë për këtë vend, apo jo?

Natyrisht, sepse në Kosovë mund të bësh biznes të mirë. Nga Tirana në Prishtinë mund të arrish shumë shpejt. Kosova ka një aeroport shumë të mirë dhe modern. Nga Mynihu deri në Kosovë të duhen vetëm një orë e 20 min me avion. Kosova ka një pozitë shumë të mirë gjeostrategjike, sepse nga ky vend mund të arrihet shpejt dhe lehtë në Maqedoni, Shqipëri, Serbi, Greqi… Këto përaparësi të Kosovës janë shumë pak në mendjen e investorëve gjermanë.

Kur flitet për Kosovën, shumë shpesh nënvizohen vetëm gjërat negative si kriminaliteti, refugjatët, azilkërkuesit, korrupsioni etj. Pra në Gjermani kemi një përfytyrim të njëanshëm dhe të keq për Kosovën. Ne po pëpiqemi që ta ndryshojmë këtë.

Mendoni se do të keni sukses në këto përpjekje?
Në vitin 1990, si deputet i ri, kam shkuar për herë të në Poloni. Asokohe për Poloninë dhe polakët thuhej se ata vjedhin makina, se ekonomia polake është një sinonim i ekonomisë së keqe etj.

Sot, 25 vjet më vonë, situata është krejt ndryshe. Ekonomia e Polonisë ka shënuar përparime shumë të mëdha. Kapacitetet ekonomike shfrytëzohen, Polonia është zhvilluar shumë, por në Gjermani ka kaluar shumë kohë deri sa ësthë kuptuar kjo.

Unë jam shumë i sigurt që Kosovën do ta integrojmë gjithnjë e më shumë në Bashkimin Evropian. Jam shumë i bindur për ardhmërinë e Kosovës. Të rinjtë duan të kenë një përparim të shpejtë dhe kjo është e kuptueshme, sepse ata i shikojnë gjërat nga perspektiva e jetës personale. Por shikuar nga perspektiva historike, prej luftës ka kaluar pak kohë dhe Kosova është në rrugën e zhvillimit të drejtë. Ndërsa ne në Gjermani do ta ndihmojmë Kosovën në këtë rrugë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit