Hapat e shejtanit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit
- “Ramazani më ka ikur dhe nuk po gjej në zemrën time gjallëri për adhurim.”
Kjo është një ndjenjë që i pengon shumë njerëz të përfitojnë nga këto net të bekuara dhe i privon nga mirësitë e tyre.
Fjalët më të mira në këtë rast janë: nëse është ashtu siç mendoni, atëherë ne kemi arritur dhjetë netët e fundit, në të cilat ndodhet një natë që është më e mirë se gjithçka që ka kaluar më parë.
Pse të mos i drejtohemi me përulësi Atij që i kthen dhe i drejton zemrat e robërve, që të na zgjojë nga pakujdesia, të na ringjallë nga plogështia dhe t’i drejtojë zemrat tona drejt bindjes ndaj Tij?
Le të largojmë nga vetja pluhurin e dëshpërimit, dembelizmit dhe pasioneve, të luftojmë veten tonë dhe të rreshtohemi me adhuruesit.
Le të jetë mangësia e mëparshme një shtysë për të përfituar nga ajo që është ende e mundur tani, dhe mos i bashko vetes dy pendime: pendimin për atë që ka kaluar dhe për atë që mund ta arrish tani.
- Vetëkënaqësia dhe mahnitja me veprat (el-uxhb).
Kjo është e kundërta e gjendjes së parë. Disa njerëz përpiqen shumë në fillim dhe në mes të Ramazanit, por kur vijnë dhjetë netët e fundit, shohin veprat e tyre dhe i konsiderojnë të shumta, duke u mahnitur me to. Ata nuk ia atribuojnë suksesin Allahut, por vetes së tyre.
Kjo është ndër shkaqet më të mëdha të dështimit dhe rënies pas përparimit. Prandaj mos u mahnit me veprën tënde, sado e madhe të duket në sytë e tu. Sa herë që Allahu të mundëson një vepër të mirë, falënderoje Atë dhe shto përpjekjen për ta vazhduar atë.
Allahu i Madhëruar thotë:
وَإِذْ تَأَذَّنَ رَبُّكُمْ لَئِن شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ
“Dhe kur Zoti juaj shpalli: Nëse falënderoni, Unë me siguri do t’ju shtoj (mirësitë).”
(Ibrahim, 7)
Ai që kujton shumësinë e mëkateve të veta dhe madhështinë e mirësisë së Allahut ndaj tij, nuk do ta shohë asnjë nga veprat e tij si të mëdha.
- Përçmimi i veprave të njerëzve të tjerë.
Në këto net mund të të vijë në mendje:
“Ku ishin këta gjatë gjithë muajit? Tani na shtyjnë në xhami! Nuk e kujtojnë xhaminë veçse në këto dhjetë net. Filani fal vetëm jacian dhe disa rekate dhe pastaj largohet – pse nuk e përfundon namazin e natës?”
Kështu mund të të flasë vetja jote, duke parë vetëm përpjekjen e tyre dhe duke i përçmuar. Por sikur të kishe vëmendje ndaj vetes tënde, ajo do të të mjaftonte për të mos u marrë me të tjerët.
Mos e përçmo veprën e askujt, sepse mund të pengohesh nga diçka edhe më e lehtë se ajo.
Allahu thotë:
وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّامٍ لِلْعَبِيدِ
“Dhe Zoti yt nuk është i padrejtë ndaj robërve.”
(Fussilet, 46)
- Parimi: “Ose e bëj në mënyrën më të plotë, përndryshe nuk bëj fare.”
Disa njerëz, nëse nuk arrijnë gjendjen më të përsosur, lënë edhe atë që është më pak se ajo, edhe pse është në mundësinë e tyre. Ata braktisin atë që mund ta bëjnë, sepse nuk arritën atë që dëshironin plotësisht.
Për shembull: nëse nuk mund ta përfundosh namazin e natës me imamin për shkak të angazhimit, sëmundjes apo ndonjë arsye tjetër, mos e privo veten nga namazi vullnetar në çdo kohë të natës dhe në çdo vend.
Përmendja e Allahut është edhe më e madhe.
Allahu thotë:
وَلَذِكْرُ اللَّهِ أَكْبَرُ
“Dhe përmendja e Allahut është më e madhja.”
(El-Ankebut, 45)
Po kështu edhe gratë, nëse në këto net pengohen nga namazi ( për shkak ciklit menstrual), le të kujdesen për veprat që nuk kërkojnë pastërti rituale, si: lutja, përmendja e Allahut dhe – sipas disa dijetarëve – leximi i Kuranit. Mos e nënvlerëso asnjë vepër të mirë.
- Angazhimi me përcaktimin e Natës së Kadrit dhe ndjekjen e shenjave të saj.
Disa njerëz merren duke përcaktuar se cila natë është Nata e Kadrit, duke ndjekur shenjat dhe duke fotografuar diellin çdo mëngjes. Kjo është një gjë që nuk na është urdhëruar ta kërkojmë.
Nëse Allahu do të donte ta bënte të qartë këtë natë për të gjithë njerëzit, që të mos mbetej e fshehtë për askënd, Ai do ta kishte bërë. Por urtësia e Tij ka qenë që ajo të mbetet e fshehtë, në mënyrë që njerëzit të përpiqen në të gjitha netët.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
تَحَرَّوْا لَيْلَةَ الْقَدْرِ فِي الْعَشْرِ الأَوَاخِرِ مِنْ رَمَضَانَ
“Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Prandaj, ai që ka më shumë shpresë ta arrijë Natën e Kadrit është ai që i trajton të gjitha netët njësoj në adhurim, duke qenë vazhdimisht me dëshirë, frikë dhe lutje ndaj Allahut që t’i japë sukses për ta arritur atë dhe për t’i pranuar veprat e tij.
Allahu është Ai që jep suksesin!
