بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ
(ME EMRIN E ALLAHUT, TË GJITHËMËSHIRSHMIT, MËSHIRËPLOTIT)
Falënderimi i takon Allahut, I Cili mjafton, dhe paqja qoftë mbi robërit e Tij të cilët Ai i zgjodhi, e më pas:
Muaji i Ramazanit përbëhet prej ditëve dhe netëve, dhe nuk plotësohet Ramazani vetëm se duke i mbushur të dyja ato me adhurime ndaj Allahut. Prandaj nuk duhet të mjaftohet besimtari që të lë gjërat e lejuara gjatë ditës së Ramazanit, por duhet lërë edhe ato që janë të ndaluara edhe gjatë netëve të tija.
Dhe në këtë muaj është një natë, sa e madhe është vlera e saj dhe sa i madh është shpërblimi i saj, dhe ne e lusim Allahun të na furnizojë me namaz në të dhe të mos na privojë nga mirësia e saj!
Së pari – Mbi vlerën e Natës së Kadrit dhe nxitjen për adhurime brenda saj:
Nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu) ka thënë:
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«مَنْ يَقُمْ لَيْلَةَ الْقَدْرِ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ»
(Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin, Allahu i fal atij atë që ka kaluar nga mëkatet e tij). (Buhariu, nr. 35).
Na rrëfen Enes ibën Maliku (radijallahu anhu) duke thënë: Hyri Ramazani dhe i Dërguari i Allahut ﷺ tha:
«إِنَّ هَذَا الشَّهْرَ قَدْ حَضَرَكُمْ، وَفِيهِ لَيْلَةٌ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ، مَنْ حُرِمَهَا فَقَدْ حُرِمَ الْخَيْرَ كُلَّهُ، وَلَا يُحْرِمُ خَيْرَهَا إِلَّا مَحْرُومٌ»
(Vërtet, ky muaj ju ka ardhur, dhe në të është një natë më e mirë se një mijë muaj; kush privohet prej saj, vërtet është privuar nga e gjithë mirësia, dhe nuk privohet nga mirësia e saj vetëm se i privuari). (Ibën Maxhe, nr. 1644 – E saktësoi Albani).
Aisheja (radijallahu anha) ka thënë:
«كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِذَا دَخَلَ الْعَشْرُ أَحْيَا اللَّيْلَ، وَأَيْقَظَ أَهْلَهُ، وَجَدَّ وَشَدَّ الْمِئْزَرَ»
(I Dërguari i Allahut ﷺ, kur hynte dhjetëditëshi, e ngjallte natën, zgjonte familjen e tij, përpiqej fort dhe shtrëngonte rripin). (Muslimi, nr. 1174)
Dhe prej saj (Aishes radijallahu anha): Se i Dërguari i Allahut ﷺ i nxiste njerëzit për faljen e Ramazanit pa i urdhëruar ata me urdhër të prerë, dhe thoshte:
«مَنْ قَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ»
(Kush falet në Ramazan me besim dhe duke llogaritur shpërblimin, i falen atij mëkatet që ka kryer më parë). (Nesaiu, nr. 2192 – Saktësoi Albani).
Nga Abdullah ibën Amër (radijallahu anhu) se i Dërguari i Allahut ﷺ bënte itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit.
Nafiu ka thënë: Abdullahu (radijallahu anhu) më ka treguar vendin ku i Dërguari i Allahut ﷺ bënte itikaf në xhami. (Muslimi, nr. 1171)
Së dyti – Kur është koha e Natës së Kadrit:
Nga Ebu Seleme (radijallahu anhu) ka thënë: Shkova te Ebu Said el-Hudriu (radijallahu anhu) dhe i thashë: A nuk dalim te palmat të bisedojmë? Ai doli dhe unë i thashë: Më trego çfarë ke dëgjuar nga Pejgamberi ﷺ mbi Natën e Kadrit?
Ai tha: I Dërguari i Allahut ﷺ bëri itikaf në dhjetë ditët e para të Ramazanit dhe ne bëmë itikaf me të, pastaj i erdhi Xhibraili dhe i tha: “Vërtet, ajo që kërkon është para teje”.
Kështu ai bëri itikaf në dhjetë ditët e mesme dhe ne bëmë itikaf me të, pastaj i erdhi Xhibraili dhe i tha: “Vërtet, ajo që kërkon është para teje”.
Pejgamberi ﷺ u ngrit si ligjërues në mëngjesin e të njëzetës të Ramazanit dhe tha:
«مَنْ كَانَ اعْتَكَفَ مَعَ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَلْيَرْجِعْ، فَإِنِّي أُرِيتُ لَيْلَةَ الْقَدْرِ وَإِنِّي نُسِّيتُهَا، وَإِنَّهَا فِي الْعَشْرِ الْأَوَاخِرِ وَفِي وِتْرٍ، وَإِنِّي رَأَيْتُ كَأَنِّي أَسْجُدُ فِي طِينٍ وَمَاءٍ»
(Kush ka bërë itikaf me Pejgamberin ﷺ le të kthehet, sepse mua më është treguar Nata e Kadrit por pastaj e harrova atë, dhe vërtet ajo është në dhjetëditëshin e fundit dhe në natë teke, dhe vërtet pashë veten sikur bëja sexhde në baltë dhe ujë).
Vazhdon tregimin e thotë: tavani i xhamisë ishte nga gjethet e palmave dhe nuk shihnim në qiell asgjë (asnjë re), por erdhi një re e hollë (qaze’ah) dhe rra shi, kështu që Pejgamberi ﷺ u fal me ne derisa pashë gjurmët e baltës dhe ujit në ballin e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe në majën e hundës së tij, si vërtetim i vizionit të tij. (Buhariu, nr. 780)
Nga Aisheja (radijallahu anha) e cila ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte (bënte itikaf) në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit dhe thoshte:
«تَحَرَّوْا لَيْلَةَ الْقَدْرِ فِي الْعَشْرِ الْأَوَاخِرِ مِنْ رَمَضَانَ»
(Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit). (Buhariu, nr. 1916)
Na rrëfen Nafiu nga Ibën Omari (radijallahu anhu): Se disa burra nga shokët e Pejgamberit ﷺ e panë Natën e Kadrit në ëndërr në shtatë (netët) e fundit, kështu që i Dërguari i Allahut ﷺ tha:
«أَرَى رُؤْيَاكُمْ قَدْ تَوَاطَأَتْ فِي السَّبْعِ الْأَوَاخِرِ، فَمَنْ كَانَ مُتَحَرِّيهَا فَلْيَتَحَرَّهَا فِي السَّبْعِ الْأَوَاخِرِ»
(Shoh që ëndrrat tuaja janë pajtuar në shtatë netët e fundit, kështu që kushdo që dëshiron ta kërkojë atë, le ta kërkojë në shtatë netët e fundit).
(Buhariu, nr. 1191)
Na rrëfen Ibën Abbasi (radijallahu anhu) se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«الْتَمِسُوهَا فِي الْعَشْرِ الْأَوَاخِرِ مِنْ رَمَضَانَ لَيْلَةَ الْقَدْرِ، فِي تَاسِعَةٍ تَبْقَى، فِي سَابِعَةٍ تَبْقَى، فِي خَامِسَةٍ تَبْقَى»
(Kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, Nata e Kadrit është kur mbeten nëntë, kur mbeten shtatë, kur mbeten pesë). (Buhariu, nr. 1917)
(Nëntë që mbeten: që është nata e njëzet e njëtë, sepse muaji mund të jetë 29 ditë).
Dhe prej tij gjithashtu: Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«هِيَ فِي الْعَشْرِ، هِيَ فِي تِسْعٍ يَمْضِينَ أَوْ فِي سَبْعٍ يَبْقَيْنَ»
(Ajo është në të dhjetën, është në nëntë që kalojnë ose në shtatë që mbeten). (Buhariu, nr. 1918)
(Nëntë që kalojnë: d.m.th nata e 29-të. Shtatë që mbeten: d.m.th nata e 23-të).
Nga Ubade ibën Samit (radijallahu anhu) ka thënë: Doli Pejgamberi ﷺ të na njoftonte për Natën e Kadrit, por u grindën dy burra nga myslimanët, kështu që ai tha:
«خَرَجْتُ لِأُخْبِرَكُمْ بِلَيْلَةِ الْقَدْرِ فَتَلَاحَى فُلَانٌ وَفُلَانٌ فَرُفِعَتْ، وَعَسَى أَنْ يَكُونَ خَيْرًا لَكُمْ، فَالْتَمِسُوهَا فِي التَّاسِعَةِ وَالسَّابِعَةِ وَالْخَامِسَةِ»
(Dola t’ju njoftoja për Natën e Kadrit, por u grind filani dhe filani, kështu që ajo (dije) u ngrit, dhe mbase kjo është më mirë për ju; kërkojeni atë në të nëntën, të shtatën dhe të pestën). (Buhariu, nr. 1919)
Na rrëfen Muaviu (radijallahu anhu) nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë:
«الْتَمِسُوا لَيْلَةَ الْقَدْرِ لَيْلَةَ سَبْعٍ وَعِشْرِينَ»
(Kërkojeni Natën e Kadrit në natën e njëzet e shtatë). (Taberani – Saktësoi Albani, nr. 1240)
Nga Abdullah ibën Enis (radijallahu anhu) ka thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«تَحَرَّوْا لَيْلَةَ الْقَدْرِ لَيْلَةَ ثَلَاثٍ وَعِشْرِينَ»
(Kërkojeni Natën e Kadrit në natën e njëzet e tretë). (Taberani – Saktësoi Albani, nr. 2923)
Nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu) ka thënë: E përmendëm Natën e Kadrit te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ai tha: Sa ka kaluar nga muaji? Ne thamë: Kanë kaluar 22 ditë dhe kanë mbetur 8. Ai ﷺ tha:
«لَا بَلْ مَضَى اثْنَانِ وَعِشْرُونَ يَوْمًا وَبَقِيَ سَبْعٌ، الشَّهْرُ تِسْعٌ وَعِشْرُونَ يَوْمًا فَالْتَمِسُوهَا اللَّيْلَةَ»
(Jo, përkundrazi, kanë kaluar 22 ditë dhe kanë mbetur 7; muaji është 29 ditë, kështu që kërkojeni atë sonte). (Ibn Hibban, nr. 2548)
Së treti – Mbi thelbin e kësaj nate dhe shenjat e saja:
Na rrëfen Ibën Abbasi (radijallahu anhu) se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë mbi Natën e Kadrit:
«لَيْلَةُ الْقَدْرِ لَيْلَةٌ سَمْحَةٌ طَلْقَةٌ لَا حَارَّةٌ وَلَا بَارِدَةٌ تُصْبِحُ الشَّمْسُ صَبِيحَتَهَا ضَعِيفَةً حَمْرَاءَ»
(Nata e Kadrit është natë e butë, e kthjellët, as e nxehtë as e ftohtë; dielli në mëngjesin e saj lind i dobët dhe i kuqërremtë). (Bejhekiu – Saktësoi Albani, nr. 5475)
Zirri (radijallahu anhu) përcjell nga Ubejj ibën Ka’bi (radijallahu anhu) se shenja e saj është:
«تَطْلُعُ الشَّمْسُ صَبِيحَةَ تِلْكَ اللَّيْلَةِ لَيْسَ لَهَا شُعَاعٌ مِثْلَ الطَّسْتِ حَتَّى تَرْتَفِعَ»
(Lind dielli në mëngjesin e asaj nate pa rreze, si një tepsi, derisa të lartësohet). (Ibën Huzajme, nr. 2193).
Na rrëfen Ebu Hurejre (radijallahu anhu) se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«إِنَّ الْمَلَائِكَةَ تِلْكَ اللَّيْلَةَ فِي الْأَرْضِ أَكْثَرُ مِنْ عَدَدِ الْحَصَى»
(Vërtet melaiket në atë natë në tokë janë më shumë se numri i guralecëve). (Ahmedi, nr. 10734 – Hasen sipas shejh Albanit).
Na rrëfen Xhabiri (radijallahu anhu) se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«هِيَ طَلْقَةٌ بَجَّةٌ لَا حَارَّةٌ وَلَا بَرْدَةٌ كَأَنَّ فِيهَا قَمَرًا يَفْضَحُ كَوَاكِبَهَا لَا يَخْرُجُ شَيْطَانُهَا حَتَّى يَخْرُجَ فَجْرُهَا»
(Ajo është e kthjellët dhe e ndritshme, as e nxehtë as e ftohtë, sikur në të ka një hënë që ua kalon yjeve; djalli i saj nuk del derisa të dalë agimi). (Ibën Hibbani, nr. 3688)
Së katërti – Mbi lutjen në Natën e Kadrit:
Na rrëfen Aisheja (radijallahu anha) se ka thënë: O Pejgamber i Allahut, nëse e qëlloj Natën e Kadrit, çfarë të them? Ai tha: Thuaj:
«اللَّهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ تُحِبُّ الْعَفْوَ فَاعْفُ عَنِّي»
(O Allah, Ti je Falës, e dëshiron faljen, prandaj më fal mua). (Ahmedi, nr. 26215)
Përmbledhja:
Nga krejt këto hadithe të cituara në këtë shkrim dhe të cilat janë të sakta na dëshmohet se Nata e Kadrit vjen në netët teke të dhjetëditëshit të fundit (21, 23, 25, 27, 29). Dhe mbase kjo Natë nuk është përcaktuar në mënyrë të prerë që myslimanët të përpiqen në kërkimin e saj me namaz dhe lutje gjatë gjithë këtij dhjetëditshi të fundit.
Allahu i Madhëruar e di më së miri.
Mjetet ndihmëse dhe Referencat:
Sahihul-Buhari: Muhamed ibën Ismaili el-Buhari, Dar Ibën Kethir, Bejrut.
Sahihul-Muslim: Muslim ibën el-Haxhaxh el-Kushejri, Dar Ihja el-Turath.
Sunenu Ebi Daud: Sulejman ibën el-Esh’ath el-Sexhistani, Saktësoi Shejh Albani.
Sunenu en-Nesai: Ahmed ibën Shuajb el-Nesai, Saktësoi shejh Albani.
Sunenu Ibën Maxheh: Muhamed ibën Jezid el-Kazvini, Saktësoi shejh Albani.
Musnedu el-Imam Ahmed: Ahmed ibën Hanbel, Tahkik: shejh Shuaib el-Arnauti.
Sahihu Ibën Hibban: Muhamed ibën Hibban el-Busti, Tahkik: shejh Shuaib el-Arnauti.
Sahihu Ibën Huzajme: Muhamed ibën Is’hak ibën Huzajme, Tahkik: shejh El-A’dhami dhe shejh Albani.
El-Silsiletus-Sahihah: Muhamed Nasirudin el-Albani, Rijad.
Sahih ve Daif el-Xhami el-Sagir: Xhelaludin el-Sujutiu, Tahkik: shejh Albani.
E shkroi:
Humam Muhamed el-Xhurf
E shtunë, 20 Ramazan, 1429 (20/09/2008)
Përktheu: Bekir Halimi
