Argumenti fetar e mbush gjithmonë mendjen dhe zemrën e besimtarit me bindje të palëkundur, duke ngjallur brenda tij një energji të mjaftueshme për ta nxitur drejt zbatimit të porosive të tij. Për këtë arsye, në këtë shkrim kam përmbledhur disa hadithe që trajtojnë vlerën e mësimit dhe të leximit të Kuranit, jetesën nën dritën e tij, si dhe thirrjen për ta lexuar e medituar atë vazhdimisht.
Më poshtë po i paraqesim këto hadithe:
Kurani ndërmjetëson
- Nga Ebu Umame el-Bahili (radijallahu anhu) ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
«اقْرَؤُوا الْقُرْآنَ؛ فَإِنَّهُ يَأْتِي يَوْمَ الْقِيَامَةِ شَفِيعًا لِأَصْحَابِهِ، اقْرَؤُوا الزَّهْرَاوَيْنِ الْبَقَرَةَ وَسُورَةَ آلِ عِمْرَانَ؛ فَإِنَّهُمَا تَأْتِيَانِ يَوْمَ الْقِيَامَةِ كَأَنَّهُمَا غَمَامَتَانِ ـ أَوْ ـ كَأَنَّهُمَا غَيَايَتَانِ ـ أَوْ ـ كَأَنَّهُمَا فِرْقَانِ مِنْ طَيْرٍ صَوَافَّ تُحَاجَّانِ عَنْ أَصْحَابِهِمَا، اقْرَؤُوا سُورَةَ الْبَقَرَةِ؛ فَإِنَّ أَخْذَهَا بَرَكَةٌ وَتَرْكَهَا حَسْرَةٌ وَلَا تَسْتَطِيعُهَا الْبَطَلَةُ»
“Lexoni Kuranin, sepse ai do të vijë në Ditën e Kiametit si ndërmjetësues për shokët (lexuesit) e tij.
Lexoni dy të ndritshmet: el-Bekaren dhe suren Al-Imran, sepse ato të dyja do të vijnë në Ditën e Kiametit sikur të ishin dy re, ose dy hije, ose dy tufa zogjsh të rreshtuar që mbrojnë shokët e tyre.
Lexoni suren el-Bekare, sepse marrja (mësimi/leximi) i saj është bereqet, lënia e saj është dëshpërim dhe nuk munden ta përballojnë atë magjistarët”. (Muslimi, nr. 804).
Më i miri është ai që merret me Kuran
- Nga Othmani (radijallahu anhu), nga Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«خَيْرُكُمْ مَنْ تَعَلَّمَ الْقُرْآنَ وَعَلَّمَهُ»
“Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve”. (Buhariu, nr. 5027).
Lexo Kuranin edhe kur e ke vështirë
- Nga Aisheja (radijallahu anha) e cila ka thënë:
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«الْمَاهِرُ بِالْقُرْآنِ مَعَ السَّفَرَةِ الْكِرَامِ الْبَرَرَةِ، وَالَّذِي يَقْرَأُ الْقُرْآنَ وَيَتَتَعْتَعُ فِيهِ وَهُوَ عَلَيْهِ شَاقٌّ لَهُ أَجْرَانِ»
“Ai që është i shkathët (mjeshtër) në Kuran, do të jetë me melaiket shkruese, të nderuara dhe të mira. Ndërsa ai që e lexon Kuranin duke ngecur në të (me vështirësi) dhe i rëndon atij, ai i ka dy shpërblime”.
(Buhariu, nr. 4937 dhe Muslim, nr. 798, teksti është i Muslimit).
(6) El-Mahir: Ai që është i saktë në lexim dhe memorizim.
Kurani të jep aromë të këndshme
- Nga Ebu Musa el-Esh’ariu (radijallahu anhu) i cili ka thënë:
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«مَثَلُ الْمُؤْمِنِ الَّذِي يَقْرَأُ الْقُرْآنَ كَمَثَلِ الْأُتْرُجَّةِ رِيحُهَا طَيِّبٌ وَطَعْمُهَا طَيِّبٌ، وَمَثَلُ الْمُؤْمِنِ الَّذِي لَا يَقْرَأُ الْقُرْآنَ كَمَثَلِ التَّمْرَةِ لَا رِيحَ لَهَا وَطَعْمُهَا حُلْوٌ، وَمَثَلُ الْمُنَافِقِ الَّذِي يَقْرَأُ الْقُرْآنَ مَثَلُ الرَّيْحَانَةِ رِيحُهَا طَيِّبٌ وَطَعْمُهَا مُرٌّ، وَمَثَلُ الْمُنَافِقِ الَّذِي لَا يَقْرَأُ الْقُرْآنَ كَمَثَلِ الْحَنْظَلَةِ لَيْسَ لَهَا رِيحٌ وَطَعْمُهَا مُرٌّ»
“Shembulli i besimtarit që e lexon Kuranin është si shembulli i utruxhes (qitros): aroma e saj është e mirë dhe shija e saj është e mirë.
Shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin është si shembulli i hurmës: nuk ka aromë, por shija e saj është e ëmbël.
Shembulli i munafikut (hipokritit) që e lexon Kuranin është si borziloku: aroma e tij është e mirë, por shija e tij është e hidhur.
Dhe shembulli i munafikut që nuk e lexon Kuranin është si handhala (shalqiri i egër): nuk ka aromë dhe shija e saj është e hidhur”.
(Buhariu, nr. 5427 dhe Muslimi, nr. 797).
– Er-Rejhane: Bimë me aromë të mirë.
– El-Handhale: Bimë shumë e hidhur.
Lakmia ndaj atij që lexon shumë Kuran
- Nga Ibën Omeri (radijallahu anhu), i cili na tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«لَا حَسَدَ إِلَّا فِي اثْنَتَيْنِ: رَجُلٌ آتَاهُ اللَّهُ الْقُرْآنَ فَهُوَ يَتْلُوهُ آنَاءَ اللَّيْلِ وَآنَاءَ النَّهَارِ، وَرَجُلٌ آتَاهُ اللَّهُ مَالًا فَهُوَ يُنْفِقُهُ آنَاءَ اللَّيْلِ وَآنَاءَ النَّهَارِ»
“Nuk ka lakmi (zili të lejuar) përveçse në dy veta:
- një njeriut të cilit Allahu i ka dhënë Kuranin dhe ai e lexon atë gjatë orëve të natës dhe orëve të ditës, dhe
- një njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë gjatë orëve të natës dhe orëve të ditës”.
(Buhariu, nr. 73 dhe Muslimi, nr. 815).
(14) La hasede: Nuk ka lakmi të dëshirueshme (Ghibtah).
Qetësin që ta sjell leximi i Kuranit
- Nga Bera ibën el-Azib (radijallahu anhu) ka thënë: Një burrë po lexonte suren el-Kehf dhe pranë tij kishte një kalë të lidhur me dy litarë. Atë e mbuloi një re, e cila filloi të sillej e të afrohej, ndërsa kali filloi të trembej prej saj. Kur u gdhi, shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe ia tregoi këtë. Ai ﷺ tha:
«تِلْكَ السَّكِينَةُ تَنَزَّلَتْ لِلْقُرْآنِ»
“Ajo ishte Sakina (qetësia/melaiket) që zbriti për shkak të Kuranit”.
(Buhariu, nr. 5011 dhe Muslimi, nr. 795).
Pozitën e lartë që ta jep në Xhennet Kurani
- Nga Abdullah bin Amër (radijallahu anhu) i cili ka thënë:
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«يُقَالُ لِصَاحِبِ الْقُرْآنِ: اقْرَأْ وَارْتَقِ، وَرَتِّلْ كَمَا كُنْتَ تُرَتِّلُ فِي الدُّنْيَا، فَإِنَّ مَنْزِلَكَ عِنْدَ آخِرِ آيَةٍ تَقْرَؤُهَا»
“Lexuesit të Kuranit do t’i thuhet: Lexo dhe ngjitu (lartësohu), dhe lexo me tertil (ngadalë e bukur) ashtu siç lexoje në dynja, sepse grada jote do të jetë tek ajeti i fundit që do të lexosh”.
(Ahmedi, nr. 2/192; Ebu Daudi, nr. 1464; Tirmidhiu, nr. 2914, hadithi është i saktë).
Çdo shkronjë të shpërblehet
- Nga Ibën Mes’udi (radijallahu anhu) i cili ka thënë:
Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
«مَنْ قَرَأَ حَرْفًا مِنْ كِتَابِ اللَّهِ فَلَهُ بِهِ حَسَنَةٌ، وَالْحَسَنَةُ بِعَشْرِ أَمْثَالِهَا، لَا أَقُولُ: الم حَرْفٌ، وَلَكِنْ أَلِفٌ حَرْفٌ، وَلَامٌ حَرْفٌ، وَمِيمٌ حَرْفٌ»
“Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, ai ka për të një mirësi (sevap), dhe mirësia shpërblehet me dhjetë fish. Nuk them se “Elif-Lam-Mim” është një shkronjë, por Elifi është shkronjë, Lami është shkronjë dhe Mimi është shkronjë”.
(Tirmidhiu, nr. 2910, hadithi është i saktë).
Vlera e dëgjimit të Kuranit nga tjetri (mukabelja)
- Nga Ibën Mes’udi (radijallahu anhu) i cili ka thënë:
Pejgamberi ﷺ më tha:
«اقْرَأْ عَلَيَّ»
“Lexo para meje”.
Thashë: “A të lexoj ty, ndërkohë që ty të është shpallur?!”.
«فَإِنِّي أُحِبُّ أَنْ أَسْمَعَهُ مِنْ غَيْرِي»
Tha: “Unë dëshiroj ta dëgjoj prej dikujt tjetër”.
Kështu i lexova suren en-Nisa, derisa arrita tek ajeti:
{ فَكَيْفَ إِذَا جِئْنَا مِنْ كُلِّ أُمَّةٍ بِشَهِيدٍ وَجِئْنَا بِكَ عَلَى هَؤُلَاءِ شَهِيدًا }
(Si do të jetë gjendja kur Ne të sjellim dëshmitar nga çdo popull, dhe të të sjellim ty (o Muhamed) dëshmitar mbi këta?).
Tha: «أَمْسِكْ» (Mjaft).
Kur ja, sytë e tij po lotonin.
(Buhariu, nr. 4582 dhe Muslimi, nr. 800, teksti është i Buhariut).
Lista e shpërblimeve dhe vlerave të leximit të Kuranit
Nga hadithet e mësipërme nxorrëm këto shpërblime dhe vlera nga leximi i Kuranit Famëlartë:
- Ndërmjetësimi në Ditën e Kiametit: Kurani do të vijë si ndërmjetësues (shefi’) për lexuesit e tij, duke kërkuar falje për ta.
- Mbrojtja nga dy suret e ndritshme: Surja “El-Bekare” dhe “Al-Imran” do t’i bëjnë hije lexuesit të tyre në Ditën e Kiametit si dy re dhe do të dëshmojnë për të.
- Bereqeti dhe mbrojtja nga magjia: Mësimi dhe leximi i sures “El-Bekare” sjell bereqet në jetë, ndërsa magjistarët nuk kanë fuqi ndaj saj.
- Arritja e gradës më të lartë: Njerëzit më të mirë në këtë umet janë ata që e mësojnë Kuranin vetë dhe ua mësojnë atë të tjerëve.
- Shoqërimi me melaiket: Ai që është i saktë dhe i shkathët në leximin e Kuranit do të jetë në shoqërinë e melaikeve të nderuara.
- Shpërblimi i dyfishtë për vështirësinë: Ai që mundohet ta lexojë Kuranin dhe ngec gjatë leximit (për shkak të vështirësisë në shqiptim), merr dy shpërblime: një për leximin dhe një për mundimin.
- Pastërtia e shpirtit dhe e karakterit: Besimtari që lexon Kuran është si një frut i mirë (qitro) që ka erë të këndshme dhe shije të shkëlqyer.
- Zilia e lejuar (Lakmia): Lejohet t’ia kesh lakminë vetëm atij që e lexon Kuranin ditë e natë dhe atij që shpenzon pasurinë në rrugë të Allahut.
- Zbritja e qetësisë (Sekines): Leximi i Kuranit bën që të zbresë qetësia hyjnore dhe melaiket të afrohen për ta dëgjuar atë.
- Ngritja në shkallët e Xhenetit: Grada e besimtarit në Xhenet do të jetë tek ajeti i fundit që ai ka memorizuar dhe lexuar.
- Shpërblim për çdo shkronjë: Për çdo shkronjë të lexuar merret një mirësi (sevap), dhe çdo mirësi shumohet me dhjetë.
- Zbutja e zemrës: Dëgjimi i Kuranit nga dikush tjetër është sunet dhe bën që zemra të mbushet me dashuri e lotë, ashtu siç i lotonin sytë Pejgamberit ﷺ kur e dëgjonte.
Përmbyllje
Të gjitha këto argumente duhet të mjaftojnë si motivim që, gjatë gjithë jetës sonë, ta lexojmë Kuranin, e sidomos tani në muajin e bekuar të Ramazanit.
Nuk duhet harruar kurrë se qëllimi i shpalljes dhe i leximit të Kuranit nuk është thjesht leximi formal e sipërfaqësor; qëllimi parësor mbetet meditimi rreth ajeteve të Kuranit Fisnik dhe zbulimi i zgjidhjeve që ai ofron për problemet aktuale me të cilat përballet bota, e në veçanti Umeti Islam.
Për ne, si popull shqiptar musliman, mbetet detyrë prioritare leximi i Kuranit në gjuhën shqipe – meqenëse tashmë disponojmë disa përkthime cilësore – e më pas mësimi i leximit në gjuhën origjinale arabe, për të shijuar kënaqësinë e Fjalës së Allahut ashtu siç ka zbritur. Po ashtu, një rëndësi të veçantë ka edhe leximi i tefsireve (komenteve) të Kuranit Fisnik, ku fatmirësisht kemi një sasi të konsiderueshme botimesh që na ndihmojnë në këtë drejtim, siç është tefsiri i Shejh Abdurrahman es-Sa’diut, ai i Imam Ibën Kethirit, apo versione të tjera më të përmbledhura.
Allahu na bëftë shoqërues të Kuranit dhe e bëftë Kuranin Pranverë të zemrave tona! Amin!
Bekir Halimi
