Zbukurimi i xhamive për Ramazan
Të thuash se zbukurimi i shtëpive dhe xhamive me drita dhe fenerë me ardhjen e muajit të Ramazanit është bidat (risi e dënueshme), nuk është një qëndrim që meriton shqyrtim shkencor; përkundrazi, në të ka një ashpërsim ndaj diçkaje që është e gjerë dhe e lejuar.
Zbukurimi i xhamive dhe i shtëpive për t’u gëzuar me ardhjen e këtij muaji nuk përmban asgjë të dëmshme dhe asgjë që bie ndesh me fenë; po ashtu, nuk është diçka që u përket vetëm kombeve apo feve të devijuara.
Kjo nuk hyn në kategorinë e bidatit, por në kategorinë e zakoneve dhe traditave të lejuara, të cilat nuk bien ndesh me ndonjë besim apo dispozitë fetare.
Argumente nga historia
Madje, në libra përmendet se Ali ibn Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të) doli në natën e parë të Ramazanit, ndërsa kandilat ndriçonin dhe Libri i Allahut lexohej nëpër xhami, dhe tha:
“Allahu ta ndriçoftë varrin, o Omer ibn el-Hattab, ashtu siç i ndriçove xhamitë e Allahut me Kuran.”
Po ashtu, kalifi el-Me’mun urdhëroi Ahmed ibn Jusufin që të shkruante nëpër vende për varjen e llambave në xhami gjatë muajit të Ramazanit. Ai tha: “Mora letrën për të shkruar, por u hutova; mendova gjatë, pastaj më kapi një dremitje dhe m’u tha: ‘Shkruaj: Sepse shumësia e llambave është ndriçim për ata që falen natën, ngushëllim për udhëtarët, largim i vendeve të dyshimit dhe pastrim i shtëpive të Allahut nga vetmia e errësirës.’”
Kujdeset që duhen pasur
Detyra jonë, nëse qëllimet tona në zbukurimin e shtëpive dhe xhamive me drita, fenerë e kandila janë të mira, është të ruhemi nga këto gjëra:
- Që të mos mbizotërojnë formalitetet dhe pamjet e jashtme, duke lënë pas dore thelbin dhe esencën në realizimin e kuptimit të agjërimit dhe faljes së natës.
- Që koncepti i atmosferës ramazanore të mos kufizohet vetëm në varjen e fenerëve apo zbukurimeve elektrike që shtëpitë tona të shkëlqejnë, duke u bërë shkak për mburrje nga njëra anë, apo për shpenzime të tepërta nga ana tjetër.
- Që në to të mos ketë statuja apo figura të modeluara, për shkak të haditheve të sakta që ndalojnë bërjen e figurave dhe statujave.
Përfundim
Nuk ka asgjë të keqe të rikujtojmë se të devotshmit i zbukuronin shtëpitë dhe xhamitë me kandila kur vinte Ramazani, për të shtuar faljen e natës, në atmosfera e net të mbushura me përkushtim shpirtëror, ku veçoheshin me Zotin e tyre. Nga ballkonet e shtëpive dhe xhamive të tyre përhapeshin ato drita të buta, dhe ndriçonin me dritën e Kuranit që shkëlqente nga gojët e agjëruesve; sepse agjërimi i tyre era durim, namazi i tyre ishte durim, dhe durimi i tyre ishte dritë.
Dr. Habab ibën Mervan El-Hamed
