Dr. Halid Drejis shkruan:
Në Sahihun e Imam Muslimit qëndron se Ebu Berze (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka thënë:
“Profeti ﷺ ishte në një ekspeditë ushtarake dhe Allahu ia dhuroi fitoren.
Atëherë ai u tha shokëve të tij:
‘A po ju mungon ndokush?’
Ata thanë:
‘Po, filani, filani dhe filani.’
Pastaj tha përsëri:
‘A po ju mungon ndokush?’
Ata thanë:
‘Po, filani, filani dhe filani.’
Pastaj tha përsëri:
‘A po ju mungon ndokush?’
Ata thanë:
‘Jo.’
Ai tha:
‘Por mua më mungon Xhulejbibi.
Kërkojeni atë.’
Atëherë e kërkuan mes të rënëve dhe e gjetën pranë shtatë vetave që ai i kishte vrarë, pastaj ata e kishin vrarë atë.
Pejgamberi ﷺ erdhi, qëndroi pranë tij dhe tha:
‘Ai vrau shtatë, pastaj ata e vranë. Ky është prej meje dhe unë jam prej tij. Ky është prej meje dhe unë jam prej tij.’
Pastaj e ngriti mbi krahët e tij. Ai nuk kishte tjetër mbajtës veç krahëve të Pejgamberit ﷺ.
Pastaj iu hap varri dhe u vendos në të, dhe nuk u përmend se ishte larë xhenazja e tij.”
————-
Sa i ëmbël është ky moral fisnik:
“Por mua më mungon Xhulejbibi.”
Kujdesuni për të dashurit tuaj…
Pyetni për shokët tuaj…
Bëhuni fisnikë…
Sepse mallëngjimi nuk është dobësi,
por është nga cilësitë më fisnike të besnikëve.
Një mesazh përkujdesjeje ose një telefonatë sot
është pastrimi më i mirë i moralit tuaj
nga koprracia, largimi, shpërfillja dhe mendjemadhësia.
Sa shumë e kemi harruar veten
në botën e “moskokëçarjes”,
derisa u thanë ndjenjat tona
dhe u varfëruan emocionet tona.
O Allah, ne kërkojmë mbrojtje te Ti
nga ashpërsia dhe ngurtësia e zemrës.
O Allah, mos na e hiq nga zemrat tona
mëshirën, butësinë dhe falënderimin.
Përktheu: Bekir Halimi
