Mes mosmirënjohjes dhe vazhdimit në veprat e mira (Një porosi e mrekullueshme)

Më të lexuarat

Kur të shtrëngon dhimbja e mosmirënjohjes dhe ndien atë hidhërim që e shoqëron ndjesinë e kotësisë, sepse askush nuk të tha “faleminderit”, ose sepse fryti i asaj që ke mbjellë me mund nuk u pjek në kohën që prisje…

ndalu pak këtu, fshiji lotët e zemrës sate dhe shikoje veten në pasqyrë me sinqeritet. Kjo dhimbje o miku im nuk është padrejtësi që të është bërë, por një mesazh zgjimi shpirtëror, që të tregon se po vuan nga një dyzim i drejtimit: se ende po kthen shikimin nga krijesat dhe po pret duartrokitjen e tyre, në një treg për të cilin pretendoje se kishe hyrë për hir të Krijuesit.

I gjori ti… Kur Allahu dëshiron ta ruajë përpjekjen e robit të Tij nga mikrobet e hipokrizisë, Ai ia fsheh shpërblimin e menjëhershëm, ua mbyll gjuhët e lavdërimit dhe ndoshta u vesh njerëzve petkun e mosmirënjohjes ndaj tij, që vepra të mbetet vetëm për Të: e pastër si ari, pa ortak as një shikim kalimtar dhe as një përkëdhelje shpatulle nxitëse.

Zhgënjimi yt është termometri që mat sa i lidhur je ende me rezultatin e kësaj bote.
Ndërsa robi i sinqertë është njeri i misionit dhe i veprës: ai lidhet me vetë veprimin, jo me korrjen e frytit.

“Dhe se përpjekja e tij do të shihet” — një ajet që ia fshin lodhjen zemrës sate me freskinë e bindjes së tij.

Vëre saktësinë e shprehjes: nuk tha “do të falënderohet” nga njerëzit, as “do të japë fryt” në banka; vetëm… “do të shihet”. Dhe mjafton që të shihet nga i Gjithëdijshmi, i Gjithëinformuari, si shpërblim dhe kompensim.

Lodhja jote e fshehur, hapat e rraskapitur që askush nuk i vuri re, përpjekjet e dëshpëruara për përmirësim pas kuintave… të gjitha janë të regjistruara, të shkruara dhe të dukshme për një sy që nuk fle dhe nuk harron.

Korrigjoje lentën e shikimit tënd: kush vepron me Falënderuesin, çlirohet nga poshtërsia e mosmirënjohësit; kush është i bindur për shpërblimin më të plotë, e ka të lehtë t’i përballojë koprracitë e kësaj bote.

Lëri krijesat me krijesat; ato nuk janë veçse numra në një ekuacion kalimtar.
Ti drejtohu Atij që sheh ecjen e milingonës së zezë në natën më të errët.

Përpjekja jote tek Ai është e dukshme,
dhe lodhja jote në peshoren e Tij është më e rëndë nga sa e imagjinon, edhe nëse askush në këtë tokë nuk ka dëgjuar për të.

✍️ Dr. Muhamed Ali Jusuf
Përshtati: Bekir Halimi
Pas këtij shkrimi them e lutem:

O Allah, përpjekja jonë nuk është veçse dhuratë dhe mirësi prej Teje.
Të lutem, o Zot, bekoje përpjekjen time; jam i bindur se tek Ti nuk humbet asgjë dhe se Ti shpërblen për përpjekjen, edhe nëse nuk arrihet qëllimi, edhe nëse askush nga njerëzit nuk e vlerëson apo nuk e sheh.

O Allah, të gjitha kanalet tona dhe të gjitha llogaritë e tona; i llogaris tek Ti si përpjekje që më ke lejuar ta bëj. Më furnizo me sinqeritet, pranim, qëndrueshmëri dhe ndershmëri në qëllim dhe në përpjekje. Bëje synimin tim kënaqësinë Tënde dhe Xhenetin, dhe më ndero që të jem prej atyre për të cilët thuhet:
“Ky ishte shpërblimi juaj dhe përpjekja juaj u falënderua.”

Shpërbleji për mua me të mira të gjithë ndjekësit, qoftë ata që falënderojnë, që luten fshehurazi apo që kalojnë në heshtje. Fali ata që e morën përpjekjen tonë dhe ia atribuuan vetes, sepse Ti e di kush përpiqet dhe kush pretendon.

Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit