Gjatë dy javëve të fundit, kanë shpërthyer përplasje mes forcave të sigurisë siriane dhe kurdëve të udhëhequr nga “Forcat Demokratike Siriane” (SDF). Ajo që filloi si një përplasje ushtarake e iniciuar nga kurdët, u shndërrua shpejt në një mundësi strategjike për regjimin e Ahmed al-Sharaa-s për të rimarrë territore të gjera dhe për të ushtruar presion të madh mbi kurdët që të zbatojnë marrëveshjet e parashikuara në marrëveshjen e marsit 2025. Pas marrjes së kontrollit mbi lagjet Sheikh Maqsoud dhe al-Ashrafiya në qytetin e Alepos, e më pas edhe qytetin Deir Hafir, forcat e regjimit arritën të shtrijnë kontrollin e plotë mbi provincën Deir ez-Zor, si dhe mbi disa lagje në qytetin Raqqa, një nga qytetet më të rëndësishme të verilindjes së Sirisë.
Këto zhvillime përbëjnë, praktikisht, operacionin më të madh të rimarrjes së territoreve që ka realizuar regjimi sirian që nga rrëzimi i Asadit, pasi më shumë se 40% e zonave që ishin nën kontrollin e kurdëve kaluan nën autoritetin e tij, përfshirë edhe fushat kryesore të naftës dhe gazit në Siri. Në përparimin e shpejtë ushtarak dhe në karakterin e tij relativisht jo të dhunshëm ka ndikuar dukshëm ndryshimi i qëndrimeve të popullsisë lokale, ku disa fise arabe sunite zgjodhën të shkëputen nga autoriteti i “SDF”-së, të rreshtohen përkrah forcave të regjimit dhe të marrin pjesë në dorëzimin e zonave forcave të al-Sharaa-s. Gjithashtu, mbështetja që al-Sharaa merr nga Shtetet e Bashkuara dhe mungesa e një kundërshtimi ndërkombëtar efektiv ndaj kësaj lëvizjeje kanë luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e këtij procesi.
Në një mbrëmje dramatike, më 18 janar, al-Sharaa shpalli një armëpushim, duke konfirmuar se të dyja palët po shkojnë drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje të re. Sipas të dhënave të disponueshme, marrëveshja parashikon integrimin e të gjitha institucioneve të verilindjes së Sirisë nën autoritetin e Damaskut, transferimin e plotë të fushave të naftës dhe gazit te qeveria qendrore, dorëzimin e kontrollit mbi pikat kufitare, si dhe integrimin e anëtarëve të “SDF”-së në ushtrinë siriane si individë dhe jo si njësi të organizuara, në kundërshtim me kërkesat kurde. Regjimi është zotuar gjithashtu të emërojë përfaqësues kurdë, me konsensus, në institucionet shtetërore.
Këto zhvillime pasqyrojnë këmbënguljen e al-Sharaa-s për ribashkimin e Sirisë dhe për pengimin e çdo përpjekjeje për vendosjen e një modeli decentralizues apo federal. Nëse marrëveshja zbatohet plotësisht, kjo do të forcojë pozitën e brendshme të al-Sharaa-s, në kurriz të zbehjes së shpresave për vetëqeverisje të pakicave të tjera, në krye të të cilave qëndron komuniteti druz.
Sa i përket Izraelit, i cili i sheh kurdët si një aktor pozitiv me interesa të përbashkëta, ai ka zgjedhur në këtë fazë një politikë vetëpërmbajtjeje. Pas rikthimit së fundmi në tryezën e negociatave me Damaskun, Izraeli është përmbajtur nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë dhe është mjaftuar me shprehjen publike të mbështetjes për kurdët, për të shmangur përfshirjen në çështjet e brendshme siriane ose një përballje me Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, pritet që Izraeli të shfrytëzojë kanalet e komunikimit që ka në dispozicion, qoftë me Damaskun apo me Uashingtonin, për të sqaruar pritshmëritë e tij lidhur me garantimin e sigurisë së kurdëve dhe forcimin e integrimit të tyre në institucionet shtetërore dhe në aparatin e sigurisë. Kjo mund të kontribuojë në stabilizimin e Sirisë, në diversifikimin e qendrave të fuqisë dhe në balancimin e dominimit sunit, çka mbart, nga ana e vet, rëndësi strategjike për Izraelin.
Shkruar nga: Karmit Valensi,
studjuese në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS), drejtoreshë e Programit të Kërkimeve për Sirinë, redaktore e revistës Vlerësimi Strategjik dhe e specializuar në çështjet e Lindjes së Mesme.
Përgatitur nga: hulumtuesi Rami Abu Zubeida
