Përpjekja e re për aeroplanin e Malaysia Airlines, 12 vjet pasi u zhduk
Robotë nënujorë të aftë të zhyten në thellësi deri në 6,000 metra, instrumente kërkimi të përparuara, perimetër relativisht më i vogël: pothuajse një duzinë vjet pas zhdukjes misterioze të Boeing 777 me 239 persona në bord, kërkimi për aeroplanin e pasagjerëve të Malaysia Airlines që operonte fluturimin MH370 rifilloi dje të martën në Oqeanin Indian jugor.
Për më shumë se një dekadë, zhdukja e aeroplanit të pasagjerëve më 8 mars 2014, pas ngritjes së tij në mesnatë nga Kuala Lumpur për në Pekin, mbetet një nga misteret më të mëdha në historinë e aviacionit civil.
Kompania amerikano-britanike e eksplorimit detar Ocean Infinity ka ndërmarrë kërkimet e reja, të cilat pritet të zgjasin deri në 55 ditë.
Në përpjekje për të gjetur më në fund 777-shin, do të vendosen dronë autonomë nënujorë, të aftë të zhyten deri në 6,000 metra dhe të qëndrojnë për ditë të tëra në thellësi të mëdha.
Këta robotë do të përdorin sonar me rezolucion të lartë, imazhe me ultratinguj dhe magnetometra për të hartuar shtratin e detit në tre dimensione, duke kërkuar për mbeturina të varrosura ose elementë metalikë. Nëse gjejnë diçka premtuese, robotët e operuar nga distanca do të zhyten për një inspektim më të plotë.
“Pa gjetje, pa pagesë”, sipas kushteve të kontratës së lëshuar nga ministria e transportit e Malajzisë. Megjithatë, nëse gjenden rrënojat e aeroplanit, do të paguhet një shpërblim prej 70 milionë dollarësh.
Rifillimi i kërkimit më të synuar do të jetë në një sipërfaqe prej rreth 15,000 kilometrash katrorë deti – më pak se dhjetë herë zona e eksploruar në përpjekjet e mëparshme – që u identifikua duke përdorur të dhëna satelitore, modelim të rrugës së mundshme dhe analiza të përditësuara të ekspertëve.
Ocean Infinity kreu një kërkim fillestar, por pa sukses, në vitin 2018. Kompania, e cila specializohet në robotë detarë, e përsëriti atë shkurtimisht në pranverë përpara se ta pezullonte për shkak të kushteve të motit.
Kërkimet e mëparshme, po aq të pafrytshme, të udhëhequra nga Australia, u kryen për tre vjet, deri në janar 2017.
Pavarësisht të gjitha kërkimeve, më të mëdhatë dhe më të kushtueshmet në historinë e aviacionit, rrënojat e avionit nuk u gjetën kurrë.
Vetëm fragmente që besohet se kanë ardhur nga Boeing – më pak se tridhjetë pjesë të trupit të avionit, krahëve dhe ingranazhit të uljes – janë gjetur që nga viti 2015, kur ato u shfaqën në Reunion dhe Mozambik, mijëra kilometra larg zonës së kërkimit.
Asnjë nga mbetjet e viktimave nuk është gjetur.
Avioni mbante 153 shtetas kinezë, rreth 40 shtetas malajzianë dhe të paktën 13 kombësi të tjera, përfshirë katër shtetas francezë, australianë, indianë, amerikanë dhe holandezë.
Zhdukja e 777 ka dhënë shkas për teori të ndryshme: nëse piloti veproi me qëllim, apo nëse avioni u rrëmbye apo u devijua.
Të afërmit e pasagjerëve të zhdukur vazhdojnë të kërkojnë përgjigje nga autoritetet malajziane deri më sot. /tesheshi.com/
