Tregim i marrë nga letërsia ruse
Legjenda thotë se, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e vërteta dhe gënjeshtra u takuan rastësisht.
Gënjeshtra i tha së vërtetës:
“Sot moti është i mrekullueshëm.”
E vërteta vështroi përreth, ngriti sytë nga qielli dhe, me të vërtetë, moti ishte i bukur.
Kaluan së bashku pak kohë, derisa arritën te një liqen.
Gënjeshtra zhyti dorën në ujë, pastaj iu kthye së vërtetës dhe tha:
“Uji është i ngrohtë dhe i këndshëm; po deshe, mund të lahemi bashkë.”
Çuditërisht, edhe kësaj here gënjeshtra kishte të drejtë;
e vërteta futi dorën në ujë dhe e gjeti ujin të ngrohtë e të këndshëm.
U lanë për pak kohë dhe, papritur, gënjeshtra doli nga uji, veshi rrobat e së vërtetës dhe iku me vrap, duke u zhdukur.
E vërteta doli nga uji, e zemëruar dhe lakuriq, dhe nisi të vraponte në të gjitha drejtimet në kërkim të gënjeshtrës, për t’i rimarrë rrobat e saj.
Bota, që e pa të vërtetën lakuriq, ia ktheu shikimin me turp dhe përbuzje.
Ndërsa e vërteta e mjerë, nga turpi i madh për shkak të vështrimeve të njerëzve, u kthye sërish në liqen dhe u zhduk atje përgjithmonë.
Që nga ajo kohë, gënjeshtra endet nëpër botë e veshur me rrobat e së vërtetës, duke përmbushur të gjitha dëshirat e botës;
ndërsa bota, në asnjë rast, nuk dëshiron ta shohë të vërtetën lakuriq.
