Sëmundja e kohës! – Kriza bashkëkohore e perceptimit të kohës

Më të lexuarat

Klaus Schwab, themeluesi dhe kryetari i Forumit Ekonomik Botëror, thotë:
“Po kalojmë nga një botë ku i madhi e ha të voglin, në një botë ku i shpejti e ha të ngadaltin.”

Karl Honoré përmend se e gjithë bota sot është e prekur nga sëmundja e kohës. Ai tregon se në vitin 1982, mjeku amerikan Larry Dossey formuloi termin “sëmundja e kohës”, për të përshkruar atë bindje obsesive se koha po mbaron, se nuk ka kurrë mjaft prej saj, dhe se njeriu duhet të nxiton vazhdimisht për ta kapur.

Honoré thekson se ka ardhur koha të braktisim këtë shtysë obsesive për ta bërë çdo gjë shpejt; sepse kur e shpejtojmë jetën tonë, dhe e mbushim çdo orë me më shumë e më shumë detyra, ne e rëndojmë veten përtej kufirit deri në pikën e rrëzimit. Ai sqaron se problemi qëndron në faktin se dashuria jonë për shpejtësinë dhe mania për të prodhuar sa më shumë në kohë gjithnjë e e më të shkurtra ka shkuar shumë larg, derisa është shndërruar në varësi, madje në një lloj idhujtarie. Edhe kur shpejtësia prodhon pasoja të kundërta, ne, në vend se të reflektojmë, kërkojmë shpëtimin në “akoma më shumë shpejtësi”.

Ai nënvizon rëndësinë e rishikimit të këtij ritmi të tensionuar të jetës, sepse ka gjëra që nuk mund dhe nuk duhet të shpejtohen; ato kërkojnë kohën e tyre dhe kanë nevojë për ngadalësi. Dhe kur i përshpejton gjërat që nuk duhet të përshpejtohen, kur harron si të ngadalësosh, atëherë ekziston një çmim që duhet paguar.

Në të vërtetë, njeriu sot është me të vërtetë i sprovuar nga sëmundja e kohës: një ankth i thellë se koha po i rrëshqet ndër duar dhe se asnjëherë nuk mjafton për të përmbushur dëshirat e tij. E çuditshme është se ky ndjenim nuk e shtyn drejt punës e aktivitetit, por drejt zhgënjimit dhe pafuqisë. Kështu ai fillon të ndjekë në imagjinatën e vet çaste që i duken si pre e cila i ikën vazhdimisht.

Pikërisht për këtë arsye, “njeriu digjital” sot, më shumë se kurrë, ka nevojë të refuzojë këtë vrull të detyrueshëm drejt nevojës obsesive për rezultate të shpejta. Sepse kur e shtrydh jetën brenda njësive të ngushta kohore, ai në të vërtetë nuk fiton kontroll më të madh; përkundrazi, ai shtyhet nga paniku dhe hutimi drejt buzës së rrëzimit.

Kjo etje e pavetëdijshme, patologjike, për shpejtësi dhe ky obsesion për të prodhuar më shumë në kohë më të shkurtër, e kanë kthyer kohën nga një hapësirë ku njeriu duhej të jetonte një jetë të ekuilibruar, në një makinë shkatërruese që i përpin ndjenjat dhe i konsumon energjitë. Kështu “arti i përshpejtimit të gjërave” u bë shenjë e suksesit dhe e menaxhimit modern, duke u imituar në çdo gjë, derisa shpejtësia u shenjtërua vetvetiu dhe u paraqit si shpëtimi i vetëm.

Shikimi i shembjeve të sotme në botën emocionale të njeriut, në marrëdhëniet e tij, në produktet materiale dhe në mallrat kulturore të dobëta, tregon qartë se ekzistenca nuk mund të reduktohet në këto koncepte industriale.

Në jetë ka gjëra, emocione, përvoja dhe njohuri që nuk mund të zbatohen sipas atij arti të rremë të përshpejtimit. Ato nuk piqen veçse ngadalë. Ka kuptime të larta që nuk shfaqen veçse me kohë. Rritja, të kuptuarit, shijimi, shërimi — gjithçka që ka vlerë të vërtetë dhe që prek thelbin e njeriut — nuk mund t’i bindet ligjit të përshpejtimit, njësoj si procesit të mallëzimit; por kërkon prani të duruar dhe kohë të mjaftueshme që ia rrit vlerën dhe e nderon thelbin e saj.

Në këtë epokë, kur njeriu përpiqet të përshpejtojë edhe ato gjëra që në vetvete nuk e pranojnë përshpejtimin, dhe kur humbet aftësinë për të ndalur e për t’u marrë me qetësi me gjërat e vyera, ai patjetër do ta paguajë këtë çmim me nervat, emocionet dhe njerëzinë e tij. Do t’i humbasim ato gjëra të çmueshme që janë trajtuar si mallra, dhe njerëzimi do të humbasë cilësinë e vetëdijes ndaj vetes dhe ndaj gjërave të çmuara në jetë — dhe kështu, thellësinë e vetë jetës dhe qëllimit të saj.

Ngadalësia dhe qetësia nuk janë luks, por virtyt thelbësor i ekzistencës njerëzore. Njeriu nuk matet me sasinë e asaj që kryen, por me masën e asaj që jeton.

Dr. Aid Deuseri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit