Ishte një burrë nga Shami, trim me zemër, dhe vinte shpesh tek Omer ibn Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të).
Një ditë Omerit i mungoi dhe tha: “Ç’ka ndodhur me filanin, birin e filanit?” Ata i thanë: “O Udhëheqës i besimtarëve, ai është dhënë pas kësaj pijeje (alkoolit).”
Atëherë Omeri e thirri shkruesin e tij dhe i tha: Shkruaj, “Nga Omer ibn el-Hattabi drejtuar filanit, birit të filanit. Paqja qoftë mbi ty, e më pas me të vërtetë para teje All-llahun e lavdëroj, Atë që s’ka të adhuruar tjetër përveç Tij, Falësin e mëkateve, Pranuesin e pendimit, të Rreptin në ndëshkim, Poseduesin e mirësive. S’ka të adhuruar tjetër përveç Tij; tek Ai është kthimi.”
Pastaj u tha shoqëruesve të tij: “Luteni All-llahun për vëllain tuaj, që ta pranojë me zemër dhe që All-llahu t’ia pranojë pendimin e tij.”
Kur letra e Omerit arriti te njeriu, ai filloi ta lexonte e ta përsëriste duke thënë:
“Falës i mëkatit, Pranues i pendimit, i Rreptë në ndëshkim… Ai më ka paralajmëruar për ndëshkimin dhe më ka premtuar se do të më falë.”
Po ashtu Hafidh Ebu Nuajmi e transmeton nga hadithi i Xhafer ibn Burkanit, duke shtuar:
“Ai nuk ndaloi së përsërituri vetes së tij, pastaj qau, e u tërhoq (nga kjo vepër) me një tërheqje të mirëfilltë, e kur lajmi arriti te Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), ai tha: “Kështu veproni: kur ta shihni vëllain tuaj se ka devijuar një herë, udhëzojeni atë dhe drejtojeni, dhe luteni All-llahun që ta pranojë pendimin e tij, e mos u bëni ndihmës të shejtanit kundër tij.’”
Nga tefsiri i sures El-Gafir
Tefsiri i Ibn Kethirit. (Perkthim)
Po sikur kjo ngjarje e njëjtë që ka ndodhur para 1400 vitesh, na rrëfente një ditë Shejh Jahja Ibrahim el Jahja (hoxhë në Medine), një ngjarje bashkëkohore, nga koha kur vepronte në Universitetin Islamik të Medinës…
Ku një ditë prej ditësh kishte pasur një mbledhje mes kryesisë së universitetit në lidhje me një nxënës nga Afrika, për të cilin nxënës kishin shumë ankesa për sjelljen e keqe dhe zënkat e shumta të tij, me ç’rast në mbledhje profesorët ranë në mosmarrëveshje se çfarë duhet të veprojnë me këtë nxënës, ta përjashtojnë apo jo, derisa iu drejtuan Shejh Bin Bazit (All-llahu e mëshiroftë) i cili ishte Rektor i Universitetit në atë kohë dhe i thanë: çfarë po sugjeron të veprojmë!?
Shejh Bin Bazi (All-llahu e mëshiroftë) tha: do t’ju jap një sugjerim, por me kusht që të ma pranoni…
Kur ata të gjithë pranuan, atëherë shejhu tha:
“Unë sugjeroj që të ngremë duart dhe të lutemi për këtë nxënës që All-llahu ta udhëzojë, dhe i ngriti duart Ai bashkë me profesorët, dhe u lutën për të.”
Nuk kaloi shumë kohë saqë të pranishmit dëshmuan për nxënësin se po i njëjti nxënës që kishte shumë ankesa ndaj tij, u bë prej njerëzve më të dobishëm për të tjerët.
E kjo është pra shembulli i të parëve tanë të largët që ishin shembull duke na trashëguar një Sunnet, dhe i të parëve tanë të afërt që lanë shembull se si duhet pasuar këto Sunnete në realitet.
All-llahu na bëftë pasues të traditës së atyre që duan me të vërtetë për All-llah.
