Allahu i numëron të gjitha, edhe atë që njeriu e harron – Ajeti që zbulon drejtësinë hyjnore

Më të lexuarat

*Allahu i regjistron edhe pse njeriu i harron
*
﴿أَحۡصَىٰهُ ٱللَّهُ وَنَسُوهُۚ وَٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَیۡءࣲ شَهِیدٌ﴾ [el-Muxhādile: 6]

🟢 Ky ajet fisnik mbart kuptime madhështore që lidhen me drejtësinë hyjnore, dijen përfshirëse dhe vëzhgimin e pandërprerë të Allahut.
Ajeti shpall se Allahu i Lartësuar i ka numëruar e i ka përmbledhur të gjitha ato që hipokritët i kanë fshehur në shpirtrat e tyre nga qëllimet e prishura dhe besëlidhjet e thyera, ndërkohë që ata vetë i kanë harruar dhe janë treguar të pakujdesshëm ndaj llogaridhënies për to.

🟢 ﴿ أَحْصَاهُ اللَّهُ ﴾ – Allahu i ka numëruar e përfshirë të gjitha; nuk i ka shpëtuar asgjë, nuk i ka humbur asgjë. Ai i ka rrethuar ato në numër, në cilësi, në kohë dhe në vend, me atributet e Tij të madhështisë dhe bukurisë. Ky është një përmbledhje e plotë e gjithçkaje që lidhet me fjalën, veprën dhe ngjarjen; është e ruajtur në dijen e Allahut, e shkruar në regjistrin e Tij, dhe asgjë nuk i fshihet. Ky numërim nuk është thjesht llogari sasiore, por është ruajtje e qëllimit, veprës, nijetit, të fshehtave dhe rezultateve.

🟢 ﴿ وَنَسُوهُ ﴾ – Ata e harruan atë, qoftë nga pakujdesia e tyre, nga kalimi i gjatë i kohës, apo nga neglizhenca, por Allahu i Lartësuar do t’ua shpallë dhe do t’ua kujtojë në shkrimet e tyre, që të jetë argument edhe më i prerë kundër tyre.

*Disa prej përfitimeve të ajetit:*

✅ Së pari:

Shpaloset drejtësia absolute e Allahut. Ky numërim është baza e llogaridhënies në Ditën e Kiametit. Allahu nuk llogarit vetëm pamjen e jashtme, por edhe të fshehtat që Ai i ka numëruar. Kjo është drejtësi e përfshirshme, sepse numërimi nuk është për çjerrje, por për vendosjen e drejtësisë, që të mos i bëhet askujt padrejtësi.
Siç thotë Allahu:

﴿وَوُضِعَ ٱلۡكِتَـٰبُ فَتَرَى ٱلۡمُجۡرِمِینَ مُشۡفِقِینَ مِمَّا فِیهِ وَیَقُولُونَ یَـٰوَیۡلَتَنَا مَالِ هَـٰذَا ٱلۡكِتَـٰبِ لَا یُغَادِرُ صَغِیرَةࣰ وَلَا كَبِیرَةً إِلَّاۤ أَحۡصَىٰهَاۚ وَوَجَدُوا۟ مَا عَمِلُوا۟ حَاضِرࣰاۗ وَلَا یَظۡلِمُ رَبُّكَ أَحَدࣰا﴾ [el-Kehf: 49].

✅ Së dyti:

Tregohet dallimi ndërmjet dijes së Krijuesit dhe harresës së krijesës. Harresa është cilësi e krijesës së mangët, ndërsa numërimi dhe dijenia absolute janë cilësi të Krijuesit të përsosur.
Njeriu harron, por Allahu nuk harron:
﴿وَمَا كَانَ رَبُّكَ نَسِیࣰّا﴾ [Merjem: 64]
Njeriu pakujdesset, por Allahu nuk pakujdesset:
﴿ وَمَا ٱللَّهُ بِغَـٰفِلٍ عَمَّا تَعۡمَلُونَ﴾ [el-Bekare: 74].

✅ Së treti:

Harresa e njeriut për atë që ka thënë ose bërë nuk e shlyen llogarinë dhe as nuk ia zhduk pasojën e veprës. Ai do të ringjallet me të dhe do të japë llogari për të.
Sa shumë kemi nevojë të bëjmë vetëllogari para se të na bëhet llogaria, dhe të mos mashtrohemi nga harresa e mëkateve, sepse Ruajtësi është Allahu, i Cili nuk pakujdesset dhe nuk harron.

✅ Së katërti:

Dija përmbledhëse hyjnore është rezultat i dëshmisë së vazhdueshme të Allahut:
﴿ وَٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَیۡءࣲ شَهِیدٌ﴾
Allahu nuk është vetëm i ditur për gjënë, por është dëshmitar mbi të; i pranishëm ndaj tij, sikur çdo gjë të ndodhte para vëzhgimit të Tij të drejtpërdrejtë. As grimca nuk i shmanget. Kjo dëshmi është e vazhdueshme; jo një çast i vetëm. Ai është dëshmitar mbi të fshehtën dhe të dukshmen, mbi të kaluarën dhe të tashmen, mbi qëllimin dhe veprën.

✅ Së pesti:

Mbikëqyrja e Allahut në të fshehtë dhe të dukshme. Ajeti mbjell në zemër “ihsanin”, të cilin Profeti ﷺ e përkufizoi:
“Ta adhurosh Allahun sikur e sheh, e nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.”
Kur robi e di se Allahu është dëshmitar mbi qëllimin e tij para veprës së tij, zemra e tij drejtohet dhe pastrohet.
Ka thënë Kusheriu: “Detyra e myslimanit është të mos kundërshtojë urdhrin e Zotërisë së tij dhe të mos afrohet tek ajo që e kundërshton atë. E nëse ndodh e paracaktuar dhe bie në njollën e mungesës, le ta mbajë gabimin në mendje dhe le t’i lutet Allahut me përulësi të thellë.”

Dr. Muhamed Abdul-Kerim
Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit