Besoj se ka shumë burra që ndodhen në situata të vështira kur ndonjë grua shpeshherë edhe myslimane e cila nuk është prej të afërmve të tyre të lejuar (jo mahrem), u zgjat dorën për t’u përshëndetur.
Kur burri, në një rast të tillë, shmanget dhe nuk dëshiron të shtrëngojë dorën, gruaja zakonisht e konsideron këtë si fyerje apo mungesë edukate.
Për fat të keq, disa motra myslimane janë shkuar aq larg në ndjekjen e zakoneve dhe rregullave të sjelljes të huazuara nga shoqëritë perëndimore, saqë u vjen e vështirë ta kuptojnë se mosshtrëngimi i dorës është në fakt respekt ndaj tyre, sepse për burrin mysliman një gjë e tillë është e ndaluar nga Sheriati.
I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i cili duhet të jetë shembull për të gjithë myslimanët, dhe fjalët e të cilit janë gjykatë nëse lind ndonjë mosmarrëveshje për ndonjë dispozitë, u ka thënë grave që vinin për t’i dhënë besën:
“Unë nuk shtrëngoj duart me gratë!”
(Këtë hadith e transmeton Ibn Maxhe nga Umejme bint Rukajeh, dhe këtë transmetim e ka vlerësuar si autentik (sahih) shejh Albani në disa prej veprave të tij. Shih: Ibn Maxhe, Sahih ue Daif, 6/374; Es-Sahiha, 2/63.)
Të nderuara nëna dhe motra të respektuara, dijeni se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, nuk është shtrënguar me gratë dhe dora e tij nuk ka prekur dorën e asnjë gruaje me të cilën nuk kishte lidhje të lejuar (mahrem).
Prandaj, nuk duhet të ndiheni të nënvlerësuara kur ndonjë burrë nuk pranon të shtrëngojë dorën tuaj, sepse ai është në të drejtën e tij dhe po ndjek mësimin e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.
Shtrëngimi i duarve mes burrave dhe grave nuk është zakon i yni, por zakon i huazuar nga popuj të tjerë.
Prandaj, një grua nuk duhet të zgjatë dorën për t’u përshëndetur me burra në takim, sepse në këtë mënyrë ajo ruan veten dhe të tjerët nga situata të pakëndshme, dhe njëkohësisht shpreh bindjen dhe nënshtrimin e saj ndaj Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.
Të gjithë duhet të përpiqemi që tekste si ky të shpërndahen dhe të lexohen, në mënyrë që me kalimin e kohës njerëzit të njihen me këtë dispozitë dhe zakoni i shtrëngimit të duarve mes burrave dhe grave të zhduket nga shoqëria jonë.
Shënim:
Në këtë shkrim qëllimisht nuk kam përmendur fjalët e dijetarëve islamë për këtë çështje, por kam lënë që fjalët e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, të jenë përgjigjja më e qartë për këtë temë.
Përgatiti: KohaIslame
