Të dy këta burra zgjodhën rrugën e tyre në jetë. Secili, me vullnet të hekurt dhe vendosmëri të palëkundur, e ndoqi deri në fund, pa u lëkundur as përballë humnerës. Njëri zgjodhi të bëhet shkatërrimtar në tokë – ta përziejë të ndaluarën me të lejuarën, të rrënojë jetën e njerëzve, të derdhë gjakun që Zoti e ka ndaluar, të krenohet me krimin e vet e ta ngrejë arrogancën në piedestal. E për të, e keqja s’është turp, por nder.
Tjetri, përkundrazi, zgjodhi të jetë prej atyre që ndërtojnë. Ai ngriti zërin për të shtypurit, qëndroi përkrah popullit të vet dhe për të gjithë ata që kërkojnë drejtësi. U mbështet në besimin e tij, duke kërkuar nderin vetëm nga Zoti, i bindur se rruga e drejtësisë përfundon ose me fitore, ose me dëshmi që ndriçon udhën e brezave që do të vijnë.
Pas katërqind ditësh lufte, Netanjahu nuk guxon të shpallë fitore. Dhe kjo heshtje, në gjuhën e ligjeve njerëzore dhe të logjikës ushtarake, është pranim i dështimit. Sepse ai që lufton pa drejtësi, edhe kur ka armët e botës, mbetet i mundur.
Historia njeh shumë beteja të tilla: të pabarabarta në fuqi, por të barazuara në qëllim. Zoti vetë na e kujton këtë në librin e Tij, në tregimin e Talutit dhe Xhalutit, që çdo njeri me thirrje e ideal të mos dëshpërohet kur është i vetëm. “Sa shumë herë një grup i vogël ka mposhtur një grup të madh me lejen e Zotit, dhe Zoti është me të duruarit.” Fitorja nuk është në numra, por në besim; jo në armë, por në qëndrueshmëri pas përpjekjes.
Dikur betejat zgjatnin një ditë; sot ajo midis Gazës dhe makinerisë së Netanjahut ka kaluar katërqind ditë. Dhe ende, asgjë s’është fituar. Kjo, më shumë se çdo gjë, është dëshmi e fuqisë së qëndresës njerëzore përballë arrogancës së pushtetit.
Sinvari dhe Netanjahu mishërojnë dy pole të përjetshme të ekzistencës: të mirën dhe të keqen, drejtësinë dhe padrejtësinë, forcën që lind nga besimi dhe forcën që lind nga frika. Njëri qëndron mbi parimin hyjnor “Përgatituni kundër tyre me gjithë fuqinë që mundeni”, tjetri ecën mbi mendjemadhësinë e atyre që thonë “Kush është më i fortë se ne?”.
Pamja e Jahja Sinvarit – udhëheqësit që qëndroi deri në frymën e fundit, që luftoi edhe me shkop kur i munguan plumbat dhe forca do të mbetet në kujtesën e njerëzimit si simbol i durimit dhe sakrificës. Një imazh që nuk do të fshihet, sepse e ruajtën vetë armiqtë e tij, pa dashur.
Ashtu siç nuk do të fshihet imazhi i Netanjahut kriminelit të dëshmuar nga ligjet ndërkombëtare dhe ndërgjegjja njerëzore simbol i dhunës së pashpirt që s’ka arritur asnjëherë të triumfojë mbi dinjitetin.
Në fund, historia do t’i ruajë të dy, siç ka ruajtur gjithnjë tiranët dhe të drejtët. Por njëri do të kujtohet si frymëzim, si forcë e besimit dhe qëndresës për çlirimin e tokës dhe nderit. Ndërsa tjetri, si shembull i poshtërsisë, i arrogancës së zbrazët dhe i pushtetit që s’mund ta blejë dot fitoren.
Dhe mbi të gjitha, do të mbetet përjetë fjala hyjnore që mbyll çdo debat njerëzor:
“Thuaj: e vërteta është nga Zoti juaj. Kush do, le të besojë; e kush do, le të mohojë.”
Ahmed Mensur
