Për më shumë se gjashtë dekada, Hirësia e Tij Shejh Abdulaziz bin Abdullah Al-Sheikh, Myftiu i Përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Kryetar i Këshillit të Madh të Dijetarëve – Allahu e mëshiroftë – përbënte një figurë të shquar në historinë e fetvasë dhe të diturisë fetare, duke qenë i treti që mori këtë post pas Shejh Muhamed bin Ibrahim Al-Sheikh dhe Shejh Abdulaziz bin Bazit (Allahu i mëshiroftë).
Lindja dhe fillimet
Shejh Abdulaziz Al-Sheikh lindi në Mekë, më 3 Dhul-Hixhe 1362 h. (30 nëntor 1943 m.). Në moshë të vogël ai humbi babain, dhe u rrit si jetim. Kur’anin e mësoi përmendësh te shejh Muhamed bin Sinan. Që në fëmijëri u dallua për përkushtim dhe seriozitet. Edhe pse humbi shikimin në të njëzetat e jetës, nuk u ndal në kërkimin e dijes, derisa u bë ndër nxënësit më të shquar të muftiut të dikurshëm të Arabisë Saudite, Shejh Muhamed bin Ibrahim Al-Sheikh.
Arsimi dhe formimi akademik
Ai mori dije në fushën e teuhidit, fikhut dhe akides nga dijetarë të mëdhenj, mes tyre Shejh Abdulaziz bin Baz, i cili i mësoi shkencën e faraidit (trashëgimisë). Në vitin 1374 h. u regjistrua në Institutin “Imam ed-Da‘wah” në Rijad dhe më pas vijoi studimet në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin “Imam Muhamed bin Saud”, prej nga u diplomua në vitin 1384 h., i specializuar në sheriat dhe gjuhën arabe.
Karriera akademike
Fillimisht dha mësim në Institutin “Imam ed-Da‘wah”, më pas u bë asistent dhe pastaj profesor i asociuar në Fakultetin e Sheriatit në Rijad. Ligjëroi gjithashtu në Institutin e Lartë të Gjyqësorit. U bë i njohur për mbikëqyrjen e tezave të magjistraturës dhe doktoratës, si dhe për kontributet akademike në universitetet saudite, duke pasur një prani të dukshme edhe në seminare dhe konferenca brenda dhe jashtë Mbretërisë.
Imam dhe hatib
Emri i tij lidhet me xhami të mëdha. Pas ndarjes nga jeta të Shejh Muhamed bin Ibrahim Al-Sheikh, ai mori përsipër imamllëkun e xhamisë që mbante emrin e tij në Rijad, më pas u bë imam i Xhamisë së Imam Turki bin Abdullah. Që nga viti 1402 h., ai mbajti hutben e Ditës së Arafatit në Xhaminë “Nemira” në Arafat, ku zëri i tij lidhej çdo vit me miliona haxhilerë.
Postet drejtuese
Ai u bë anëtar i Këshillit të Madh të Dijetarëve në vitin 1407 h., më pas anëtar i Komitetit të Përhershëm për Kërkime Shkencore dhe Fetva në vitin 1412 h. Në vitin 1416 h. u emërua zëvendës-myfti i përgjithshëm, dhe pas vdekjes së Shejh Abdulaziz bin Baz në vitin 1420 h., me dekret mbretëror u caktua Myfti i Përgjithshëm i Mbretërisë dhe Kryetar i Këshillit të Madh të Dijetarëve, si dhe Kryetar i Përgjithshëm i Institutit të Kërkimeve Shkencore dhe Fetvave. Ai vazhdoi në këtë post deri në fund të jetës së tij.
Trashëgimia shkencore dhe fetvatë
Shejhu la pas dorëshkrime dhe vepra me rëndësi në fushën e akides, fikhut dhe fetvasë, mes tyre: “El-Xhami‘ li-Khutabi ‘Arafah” dhe “Hakikatu Shehadeti enne Muhammeden Resulullah”.
Fetvatë e tij u përmblodhën në vepra të shumta përmes programit “Nur ‘ala’d-Darb”, duke përfshirë çështje të pastrimit, namazit, zekatit, agjërimit dhe haxhit, dhe u bënë një referencë për muslimanët në mbarë botën.
Lamtumira
Hirësia e Tij, Shejh Abdulaziz Al-Sheikh – Allahu e mëshiroftë – ndërroi jetë të martën, më 1 Rabi‘ el-Ahir 1447 h. (23 shtator 2025 m.), duke lënë pas një trashëgimi të çmuar akademike dhe fetare dhe një jetë të tërë në shërbim të thirrjes dhe fetvasë, që do të mbetet e pranishme në historinë moderne të Mbretërisë.
✍ Shkroi: Abdul Hakim Shar
