“Pres që nesër ose pas nesër të kemi qartësi për atë që mund të ofrojmë kolektivisht”, tha Mark Rutte lidhur me garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të mërkurën e ka përshkruar Rusinë si kërcënimin më të madh dhe direkt për sigurinë euroatlantike, duke përsëritur se aleatët duhet të investojnë më shumë në mbrojtje dhe të zgjerojnë prodhimin industrial të armëve.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin estonez Alar Karis në Bruksel, Mark Rutte tha se Rusia mbetet “kërcënimi më i madh dhe direkt” për sigurinë euroatlantike.
“Prandaj duhet të qëndrojmë vigjilentë, të investojmë më shumë në mbrojtje, të zgjerrojmë prodhimin industrial të armëve nga të dyja anët e Atlantikut dhe të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, theksoi ai.
Rutte nënvizoi rëndësinë e takimit të nesërm të “Koalicionit të Vullnetarëve” në Paris, ku Ukraina dhe aleatët do të diskutojnë mbi garancitë e sigurisë, duke kujtuar deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump muajin e kaluar që ai dëshiron të bëhet pjesë e garancive për sigurinë e Kievit.
“Pres që nesër ose pas nesër të kemi qartësi për atë që mund të ofrojmë kolektivisht”, shtoi ai.
