PËR ÇFARË PO FESTOJMË NË “FESTËN E BIRRËS”? – Nga hoxhë Kastriot Bardhi

Më të lexuarat

Njeriu është krijesë që e do gëzimin dhe festën. Por, pyetja që rrallë ia bën vetes është: “Pse po festoj?”
Festa, në kuptimin e shëndoshë, është shprehje e gëzimit pas një arritjeje, një suksesi, një të mire që i ka ndodhur individit apo shoqërisë.

Por kur vjen fjala tek “Festa e Birrës”, çfarë arritjeje po shënojmë?
Çfarë vlere po nderojmë?

1. Nga këndvështrimi shëndetësor: vetëm dëm

Alkooli është helm që dëmton tru, mëlçi, zemër, sistem nervor dhe madje edhe gjakun. Çdo gotë është një hap drejt shkatërrimit të shëndetit. Nuk ka asnjë përfitim real, veçse pasoja të rënda afatgjata dhe afatshkurtra.

2. Nga këndvështrimi ekonomik: vetëm humbje

Paratë që shpenzohen për alkool janë para të hedhura kot, të cilat mund të përdoren për ushqim, arsim, shëndet, ndihmë për të varfërit ose zhvillim të vendit. Në vend që të ndërtojmë, paguajmë për t’u helmuar.

3. Nga këndvështrimi familjar: vetëm shkatërrim

Sa e sa familje janë shkatërruar për shkak të alkoolit. Ai sjell grindje, dhunë, papërgjegjësi, tradhti dhe shpesh përfundon me divorc. Fëmijët rriten në një mjedis të sëmurë, duke marrë mesazhin e gabuar se “alkooli është argëtim”.

4. Nga këndvështrimi shoqëror: vetëm rrënim

Shoqëria nuk ngrihet mbi festa që promovojnë mëkatin, por mbi vlera që edukojnë dhe ndërtojnë. Kur një qytet apo komb e kthen alkoolin në “krenari” kulturore, në fakt po e shenjtëron atë që Zoti e ka ndaluar.

Drita e udhëzimit hyjnor

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Alkooli është nëna e të këqijave.” (Ibn Maxhe)

Ky përkufizim është i saktë: prej alkoolit burojnë shumë mëkate të tjera — imoralitet, dhunë, aksidente, varfëri dhe shkatërrim familjar.

Allahu i Madhëruar na paralajmëron:

“O besimtarë! Me të vërtetë, vera, bixhozi, idhujt dhe shigjetat për short janë ndyrësi prej veprave të shejtanit. Largohuni prej tyre, që të shpëtoni!”
(El-Maide: 90)

Përgjegjësia për promovimin e së keqes

Sheriati ndalon jo vetëm pirjen e alkoolit, por edhe çdo ndihmë ose bashkëpunim në përhapjen e tij:

“Mos bashkëpunoni në mëkate dhe armiqësi, por bashkëpunoni në mirësi dhe devotshmëri.”
(El-Maide: 2)

Një “festë e birrës” ku alkooli promovohet, shitet, konsumohet dhe normalizohet, është një bashkëpunim i hapur në mëkat. Organizatorët, sponsorizuesit, shitësit dhe promovuesit hyjnë në këtë përgjegjësi para Allahut.

Pasojat dhe ndëshkimet

Kurani na tregon se shkatërrimet shpirtërore dhe fizike shpesh janë pasojë e mëkateve publike:

“Korrupsioni (prishja) është shfaqur në tokë dhe në det për shkak të asaj që kanë bërë duart e njerëzve, që Allahu t’ua shijojë një pjesë të asaj që kanë bërë, ndoshta ata kthehen.”
(Err-Rrum: 41)

Mos të çuditemi kur begatitë shndërrohen në sprova: sëmundje, krizë ekonomike, fatkeqësi natyrore dhe humbje të mirësive. Vetë Allahu na paralajmëron:

“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten.”
(Er-Ra’d: 11)

Detyra e prindërve dhe shoqërisë

Profeti ﷺ ka thënë:

“Secili prej jush është bari dhe secili do të përgjigjet për kopenë e tij.” (Buhariu dhe Muslimi)

Kur prindërit lejojnë fëmijët të marrin pjesë në festa që normalizojnë alkoolin, ata praktikisht i edukojnë në mëkat dhe ia zbehin ndjenjën e ndalimit të haramit.

Zgjidhja

Islami nuk ndalon gëzimin dhe argëtimin, por e udhëzon që këto të jenë:

Brenda kufijve të hallallit

Pa mëkate e pa dëm

Me qëllim ndërtues dhe edukues

Në vend të “Festës së Birrës”, ne kemi mundësi te promovojmë traditat e mira shqiptare, artin dhe kulturën e paster, sportin e shëndetshëm, të trashëgimisë kombëtare dhe mbi të gjitha, t’u mosojme njerezve fenë e Zotit qe te fitojme meshiren dhe kenaqesine e Tij, te shpetojme nga denimi ne dynja dhe Ahiret dhe te lumturohemi ne te dyja botet.

O Allah, na fal! Na përmirëso gjendjen tonë! Na udhëzo në të mirën dhe na mbro nga sprovat e hapura dhe të fshehta!
Amin! 🤲

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit