“Ajo me shami”

Më të lexuarat

Të jesh vajzë apo grua me shami nuk është aspak e lehtë. Kudo; në shoqërinë tonë, në Evropën Perëndimore, madje edhe në Turqi. Ti nuk je “thjesht një grua” e zakonshme që kalon rrugës, pi kafe në një lokal, ha në një restorant, prezanton në një ngjarje kulturore, shkencore, apo politike. Ti je “ajo me shami”.

Nga ti kanë pritshmëri të larta të gjithë. Ti s’e ke luksin të gabosh! Ti duhesh te jeshë “melaqe në tokë”. Ti mban mbi supe gjithë përfaqësimin e komunitetit tënd fetar. Ti je njësi matëse. Ti e ndjen veten përgjegjëse për ta dëshmuar të kundërtën e asaj që paramendohet për ty. Ti harxhon shumë energji për këtë. Ti ke më shumë barierra për t’i kaluar se të tjerët. Ti ofendohesh nga publiku për paraqitjen tënde në media. Ti e humbet edhe veten duke u përpjekur të veprosh konform pritshmërive. Sa e lodhshme! Sa e panevojshme!

Por, për çudi, je ti ajo e cila gjykohesh në shumë dimensione. Jo ai, djali apo burri i cili praktikon besimin e njëjtë me ty. Së pari gjykohesh nga ata që nuk janë si ti. Nga ata që e urrejnë ose kanë frikë nga identiteti yt fetar. Nga ata që ndajnë besimin, por jo mënyrën tënde të të jetuarit. Qofshin edhe familjarët e tu. Edhe besimtarë/e të tjerë të distancohen sepse mbulesa yte nuk përputhet me standardet e tyre për “gruan e mbuluar të devotshme”. Edhe nga komuniteti yt ti gjendesh nën lupën e kritikës. Disa fije floku që dalin, 1-2 cm lëkure që duket, sandalet që ke mbathur, ngjyra e ndezur e rrobave. Të gjitha këto ty të deklasojnë nga besimi dhe devotshmëria. Nuk e dijnë ata si është me të pa me një sy tjetër. Apo me të peshu me një peshore të veçantë.

Ti e bën të dukshëm identitetin tënd fetar ende pa u prezantuar. Dhe për këtë, shpesh përjashtohesh, etiketohesh, paragjyohesh, diskriminohesh para se të të jepet mundësia të veprosh. Madje, edhe djemtë besimtarë hezitojnë të të zgjedhin për bashkëshorte. Nga frika për të shfaqur hapur identitetin e tyre, të cilin e maskojnë pas stilit të veshjes dhe mënyrës së jetesës. Dhe kështu, përveç sakrificave dhe vështirësive të përditshme, mbi ty rëndon edhe gjykimi nga të gjithë anët.

Shpesh të ndalet rritja, vetëm pse mban shami. Ti privohesh nga shumë gjëra që në kushte normale do të duhej të konsideroheshin të mirëqena. Por ti reziston! I reziston padrejtësive, pabarazive, linçimeve, ofendimeve, përjashtimeve, etiketimeve. Vetëm një gjëje mos i rezisto. Asaj çka në të vërtetë je! Mos heq dorë nga ato cikërrima çka ty të bëjnë ty.

Prandaj, në radhë të parë, djemtë e burrat, myslimanë e jo myslimanë, praktikues e jo praktikues, nuk keni të drejtë të thoni as edhe një fjalë drejt nesh. Aspak. Ju jeni të vegjël para nesh. Sakrifica juaj mbetet e zbehtë para tonës. Por edhe ju gra me shami që shiqoni shtrembër gratë tjera me shami, zbuteni pak shikimin sepse në një rrugëtim të përbashkët jemi. Nuk iu ka ngarkuar askush barrën për të kategorizuar nivelin e devotshmërisë ndaj Zotit. Qetësohuni!

Po të mos ishte një forcë që vjen përtej tokësores, fizikes e trupores, sot, zor se do ta mbante kush shaminë. Gjithkund. Në vendet myslimane e jo myslimane.

Merjem Gashi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit