Paradoksi sirian dhe standardet e dyfishta ndaj muslimanëve në botë

Më të lexuarat

Nga: Ahmed el-Darawsha

Në një botë që gjithnjë e më shumë flet për të drejtat e njeriut, përfaqësim demokratik dhe barazi mes qytetarëve, realiteti i komuniteteve muslimane në shumë shtete tregon një tjetër histori – atë të përjashtimit të heshtur dhe mohimit sistematik të pjesëmarrjes në jetën publike dhe institucionale.

Mjafton të hedhim një vështrim të shpejtë mbi situatën globale për të parë këtë fenomen. Në Kinë, India, Filipine, Greqi, Evropë, Britani, Australi dhe SHBA, muslimanët përbëjnë pakica të cilat, në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk janë përfshirë realisht në pushtet. Edhe në vende me struktura të ashtuquajtura demokratike, muslimanët mbeten në periferi të vendimmarrjes. Askush nuk kërkon përfshirjen e tyre të detyrueshme në administratë apo qeveri, askush nuk i përmend këto përjashtime si probleme të demokracisë.

Por ky standard duket se ndryshon rrënjësisht kur vjen fjala për Sirinë.

Në këtë vend – ku më shumë se 90% e popullsisë është muslimane – fuqitë perëndimore dhe shumë institucione ndërkombëtare kërkojnë që pakicat të kenë përfaqësim të barabartë në pushtet, madje të bëhen pjesë vendimtare e ndërtimit të shtetit të ri. Kjo kërkesë bëhet edhe kur këto pakica kanë qenë historikisht të lidhura me strukturat e represionit dhe dhunës shtetërore ndaj shumicës.

Këtu lind pyetja: pse dy standarde?

Në vendet ku muslimanët janë pakicë, injorohen krejtësisht kërkesat për përfaqësim të drejtë. Por kur muslimanët janë shumicë – si në Siri – kërkohet që ata të ndajnë pushtetin me pakicat, madje edhe nëse këto të fundit kanë qenë pjesë e regjimit shtypës. Kjo është jo vetëm kontradiktë, por padrejtësi e hapur. Është një përpjekje për të garantuar ruajtjen e status quo-së së padrejtë, në vend që të mbështetet një rend i ri i bazuar në shumicën e përfaqësuar dhe vullnetin popullor.

Të flasësh për “shtet qytetar” është e lavdërueshme, por ky parim nuk mund të zbatohet vetëm aty ku i shërben interesave gjeopolitike të disa fuqive. Përndryshe, nuk është më një parim – është një mjet manipulimi.

Nëse duam drejtësi dhe paqe të qëndrueshme, atëherë duhet të aplikojmë standarde të njëjta për të gjithë. Ose e kërkojmë përfshirjen e pakicave kudo ku ato janë përjashtuar, ose e respektojmë vullnetin e shumicës atje ku ajo është shtypur. Ndryshe, do të vazhdojmë të ushqejmë padrejtësi që, herët a vonë, do të shpërthejë në forma të reja të destabilitetit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit