Dita ime fillon pothuajse gjithnjë me ndërhyrje mjaft delikate e komplekse në arteriet/damarët e zemrës, të cilat kur bllokohen mund të shkaktojnë vdekjen e menjëhershme! 3-4 milimetra ndajnë jetën nga vdekja, shëndetin nga sëmundja! Jo më shumë se 3-4 milimetra është diametri i damarëve të cilët duhet ti rihap me instrumente “hightech” dhe pajisje të shtrenjta e të sofistikuara, me balona dhe stenta!
Ditë e natë, si qindra e mijëra kolegë të tjerë, i shërbej shëndetit të njerëzve dhe shpëtoj jetë! Ky profesion, nuk është thjesht një punësim, është një mision human në rrugëtimin tim në këtë botë, një mision i motivuar nga besimi im më Zot. Shumica e pacientëve të cilët i trajtoj nuk janë as muslimanë e as shqiptarë, madje një pjesë e madhe e tyre ndoshta nuk besojnë fare në fe e në Zot! Çdo ndërhyrje më jep kënaqësi, sepse bëhem shkak për vazhdimin e jetës, sepse shoh pacientët të çliruar nga dhimbja!
Sa paradokse dhe sa e dhimbshme është kur sheh se si vriten e masakrohen dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm, foshje të porsalindura, fëmijë, gra e të moshuar, në emër të “demokracisë” së rreme, me bomba dhe raketa “hightech” të prodhuara në botën e “cililizuar” perëndimore!
Është e njëjta industri dhe teknologji e cila i shërben sistemit shëndetësor dhe e cila prodhon çdo ditë pajisje e medikamente shumë të kushtueshme për të ruajtur jetën dhe shëndetin!
Po të njëjtat qeveri të cilat kujdesen për jetën dhe shëndetin e qytetarëve të tyre, vrasin sot në mënyrë aktive dhe hapur fëmijët e Gazës, madje edhe vetë mjekët të cilët shërbejnë në atë vend!
Rreth 18.000 fëmijë dhe foshnje janë masakruar para syve të një bote hipokrite e cila hesht!
Deri kur do të vazhdojmë me këtë gjendje? Deri kur do ti shërbejmë vdekjes me pasivitetin dhe heshtjen tonë?
Mjaft me heshtje! Mjaft me frikë! Mjaft me hipokrizi! Mjaft me masakra!
Kush hesht është palë me kriminelët e luftës! Kush ndihmon luftën i ka duart me gjak!
Po jetës! Jo vrasjes! Jo luftës! Jo padrejtësisë!
Dr. Asllan Tahiraj
