5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Jam një grua muslimane që fal namaz e bëj dhikër, por më vijnë mendime të këqija për bashkëshortin. Si t’i largoj dhe a ka ndonjë dua?

Më të lexuarat

Pyetja: Jam një grua muslimane që bëj namaz dhe lexoj Kuran, bëj dhikër e rri me avdes mirëpo nuk ka ditë që nuk mbin mendime të këqija për bashkëshortin; disi sikur nuk i besoj, sikur m’punon mbas shpine, qysh me i largu këto mendime që mos me u rrokë me fjalë me të, se me duket sikur jemi ftof shumë ndërmjet veti, çka të bëj për t’i larguar këto mendime, a ka ndonjë dua të veçantë?

Përgjigjja: Nga besimtari kërkohet që vazhdimisht të angazhohet për t’i larguar mendimet e këqija nga mendja dhe zemra. Kjo, për faktin se mendime të tilla vetëm se e rëndojnë atë, madje edhe mund ta shpiejnë në kryerjen e veprave të këqija. Njëkohësisht mund t’ia rrënojnë raportet me njerëzit, e sidomos me njerëzit e afërt, me të cilët besimtari është i obliguar të mbajë raporte të mira. Ndërsa kur bëhet fjalë për bashkëshortin, atëherë ky obligim është edhe më i madh.

Përderisa mendimet e këqija, me lehtësi mund t’i paraprijnë ftohjes, apo edhe shkëputjes së raporteve ndërmjet bashkëshortëve, e kur dihet se ndër synimet kryesore të shejtanit është rrënimi i raporteve bashkëshortore, atëherë nuk do shumë mend se mendime të tilla, kryesisht shkaktohen nga shejtani.

Që i bie se: Ruajtja nga shejtani, në të njëjtën kohë është edhe ruajtje nga mendimet e këqija, ruajtje kjo e cila mund të arrihet përmes rrugëve si vijon:

1. Kërkim i ndihmës nga Allahu, që t’i largojë mendimet e këqija, dhe mos vazhdueshmëria në to.

2. Njohja e Allahut; emrave të bukur të Tij, ngase sa më shumë që e njohim Allahun, aq më pak i mbetet vend mendimeve të këqija, që dikush të na sjellë dëm pa vullnetin e Tij.

3. Përbuzja e nefsit (unit) dhe kërkimi i llogarisë së vazhdueshme prej tij, përderisa ai është më meritori për ta akuzuar, përderisa prej tij burojnë: Mendjemadhësia, padrejtësia, injoranca, e të ngjashme.

4. Mos shkëputja nga istigfari dhe dhikri; i pari e  pastron nefsin, mendjen, shpirtin, i dyti e forcon zemrën.

5. Mos u lësho në analiza të detajshme rreth mendimeve të këqija.

6. Mundohu që të gjitha elementëve që shkaktojnë mendim jo të mirë, t’i japësh interpretim të mirë; fjala vjen, nëse të thotë për diçka të caktuar: Ti s’je për këtë punë.

Në vend që të mendosh se ka patur për qëllim përbuzjen, mendoje se ka patur për qëllim të të ruaj, duke mos lejuar që t’i futesh një pune e cila të rëndon.

7. T’i shmangesh sa ma shumë vetmisë, ngase vetmia i lë shumë hapësirë mendimeve që të sillen nëpër kokë.

8. Mundohu të qëndrosh sa më larg vendeve, veprave e fjalëve të cilat i nxisin mendimet jo të mira.

Mos iu ndaj së perdoruri armës më efikase të besimtarit, që është duaja, Allahu ua largoftë çdo të keqe, ju begatoftë me të mirat e Tij!

Hoxhë Dr. Rasim Haxha

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit